Sahatkullat në Kohë të Gabuar

Tregtarët i sillnin orët nga Perëndimi, ndërsa mjeshtrit vendorë i ndërtonin kullat. Gjashtë sahatkulla ishin ngritur në Kosovë, në periudhën kur Perandoria Osmane po e linte gjurmën e saj historike këtu. Ato ishin elemente të shquara të arkitekturës së kohës dhe mbetën kujtime të organizimit të dikurshëm urban shqiptar.

Luftërave i kanë mbijetuar vetëm sahatkullat e Prishtinës dhe Rahovecit. E Prishtinës është në gjendje të mirë dhe mbrohet nga ligji, ndërsa sahatkulla e Vushtrrisë e cila së bashku me objekte të tjera të rëndësishme të këtij qyteti antik përbënte arkitekturën e atëhershme të Vicianës antike është shkatërruar.

Viteve të fundit ndërkohë është duke u zhvilluar një proces i “rikthimit të sahatkullave” që ishin zhdukur me kohë ndonëse, nga perspektiva profesionale, një gjë e tillë nuk e është e lejueshme të bëhet.

Sahatkulla e Gjakovës u rindërtua 100 vjet pas shkatërrimit të saj. Në Gjilan ka filluar rindërtimi i asaj që pretendohet se ka qenë sahatkullë në të kaluarën. Ndërsa, në Ferizaj, vitin e kaluar ka nisur ndërtimi i një sahatkulle që kurrë nuk ka qenë aty, 100 për qind vendore.

Sahatkullat në formë rikthimi, përshtatje dhe dhurate

Tri vjet më parë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në kallaballëkun e projekteve në pritje për rininë e pasivizuar dhe sportistët e harruar, vendosi ta rindërtonte sahatkullën e Gjakovës. Të emocionuar që po ia kthenin Çarshisë së Madhe rrëzë Çabratit këtë vlerë historike, “rindërtuesit” nuk deshën t’ia dinë as për faktin se Ligji për Trashëgimi Kulturore nuk i trajton objektet e rindërtuara si objekte të trashëgimisë kulturore.

Mirëpo, për arkitekten Shqipe Nixha, rindërtimi i kësaj kulle mund të justifikohet.
“Në Gjakovë, përkundër lëvizjes së lokacionit për disa metra, kulla është rindërtuar brenda Çarshisë dhe e ka ruajtur deri diku tërësinë kompozicionale. Sidoqoftë, problemi është te arkitektura e kullës së rindërtuar”.

Afër parkut në Gjilan, disa pleq luajnë shah, kurse fëmijët me top. Të vjetrit e dinë ç’është duke u ndërtuar ngjitur me këtë park, për dallim nga të vegjlit që janë kureshtarë të kuptojnë se çfarë është objekti në të cilin po punohet që një kohë. Ndoshta është një lodër e madhe, është shumë afër lodrave të tjera.

Ideja e ndërtimit të saj ka ardhur nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore, bazuar në një fotografi të vjetër të Gjilanit ku shihet një objekt për të cilin zyrtarët e kësaj Qendre pretendojnë se është sahatkullë.

Për arkitekten Nixha, ky qëllim nuk është arritur. “Me aq sa kam arritur të mësoj, asnjëra nga këto ndërtime nuk është mbështetur në dokumentacion të saktë dhe të mjaftueshëm, që është parimi thelbësor për rindërtimin e monumenteve të kulturës, atëherë kur është i domosdoshëm  një veprim i tillë. Edhe atëherë kur i rindërtojmë, madje të mbështetur në të dhëna të plota dokumentare, ato janë praktikisht – kopje”.
 
Nëse për fëmijët e Gjilanit sahatkulla nuk rezultoi të ishte dhuratë, në Ferizaj kompania “Drenica” ka menduar për një gjë të tillë. Në vitin 2008, kjo kompani, pas ndërtimit të nënkalimit në qendër të qytetit, atij ia bashkëngjiti, si bakshish, edhe sahatkullën.

Ky objekt nuk ka ekzistuar më parë në Ferizaj. Por, pronari i kompanisë “Drenica” kishte një qëllim të vetëm: ta ndërtojë sahatkullën si dëshmi se Kosova po ndërtohet.
“Sahatkulla në Ferizaj i ka dy simbole kryesore. Pesë troje shqiptare (pesë orët) në një trung, dhe plisi në majë”, shprehet pronari i kompanisë, Ismet Shamolli.

Qytetarët e Ferizajt nuk u pajtuan asnjëherë me shprehjen që gjeti qëllimi i ndërtuesit.

“Mendoj se e ka prishë simbolikën e qytetit të Ferizajt si vend me tolerancë fetare, që ia japin kisha dhe xhamia që gjenden në një oborr”, thotë Kushtrim Palushi nga organizata joqeveritare INPO. “Nuk më pëlqen as pamja e jashtme e sahatkullës. Janë munduar ta ndryshojnë me disa ndërhyrje, por prapë po duket si raketë në pritje për t’u lansuar në hapësirë”.

Naim Ferati, Drejtor i Drejtorisë së Kulturës në Ferizaj, shprehet se nuk ka ditur gjë për ndërtimin e objektit kulturor në këtë vend. “Nuk jam i informuar që ka pasur debat publik për këtë objekt, madje jam i sigurt që nuk ka pasur. As ne si Drejtorat nuk jemi lajmëruar në asnjë moment për këtë gjë. E kemi pa vetëm kur është ndërtu”, shprehet ai.

foto
Sahatkulla në ‘ringjallje’ e sipër, Gjilan.

 

Për profesor Shemsi Krasniqin, Sociolog i Kulturës në Departamentin e Sociologjisë të Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës, ndërtimi i sahatkullës në Ferizaj është “një veprim anakronik dhe, për më tepër – një kiç publik”.

Orientimet estetike: kohë e tokës, jo qiellit    

Në të kaluarën, ambienti rrethues i është përshtatur sahatkullës, për shkak të peshës simbolike që ka pasur ajo. Sot është vështirë të ndërtohet diçka e tillë, e të mos ndikojë negativisht në ambientet urbane, edhe ashtu kaotike.

Dikur, orët e dorës ishin luks i rrallë, prandaj funksioni praktik i sahatkullave ishte shumë i rëndësishëm për banorët. Orët në kullat e larta shndërroheshin në orientimin kryesor hapësinoro-kohor.

Përveç anës praktike, ato kanë pasur edhe funksionin artistik, duke u dhënë shesheve pamje të bukur. Mirëpo, rindërtimin e këtyre sahatkullave ekspertët e vlerësojnë si veprim të papërputhshëm dhe të panevojshëm me nevojat aktuale të qyteteve tona.

“Sot, bukuria e qytetit nuk varet nga pirgjet vertikale, qofshin ato sahatkulla apo monumente të tjera. Ajo kërkohet në rrafshet horizontale – në sheshet, parqet, sipërfaqet e gjelbëruara dhe objektet tjera estetike të përmasave tokësore, e jo qiellore”, shprehet sociologu Krasniqi.

Restaurim, jo rindërtim

Në të tri qytetet ku po rindërtohen sahatkullat ekzistojnë objekte tjera të cilat me përkujdesje të mirëfilltë mund të ndikojnë pozitivisht në identitetin urbanistik, të harmonizuar me kërkesat e kohës. Kurse iniciativat rindërtuese që kërkojnë dhjetëra mijëra euro, ekspertët i shohin si shpenzime të panevojshme. 

“Të ndërtohet në sahatkullë e re, pa shije, pa funksion, pa plan urbanistik dhe pa nevojë, është shpenzim i kotë i parasë. Dhe, më tepër se sa shpenzim i parasë, kjo flet për një shpenzim të plotë të shijes artistike për hapësirën publike”, mendon Krasniqi.

Ndërsa, Nixha porosit për kujdes më të madh ndaj objekteve që janë në rrezik për t’u shkatërruar.
“Duhet të investojmë në konservimin, restaurimin dhe rifunksionalizimin e objekteve dhe komplekseve të trashëgimisë arkitekturore, t’i shpëtojmë nga shkatërrimi i mëtutjeshëm, t’i prezantojmë vlerat e tyre dhe t’i integrojmë në jetën bashkëkohore. Kjo është shumë e mundur. Kërkohet vetëm vullnet i mirë  dhe ekspertizë profesionale“.

Ironikisht, në Kosovë ka më shumë shanse të gjendet ndonjë sahatkullë origjinale me orë të saktë, sesa të plotësohen kërkesat e ekspertëve – “shija artistike për hapësirën publike, vullneti i mirë  dhe ekspertiza profesionale”.