Rrihen Shkaku i Radovan Karadzicit

Derisa ruanin bagëtitë në arat e fshatit Grizme të Kamenicës, Ranko Stanovic dhe Zivko Stojkovic kanë provokuar njëri-tjetrin dhe grindja ka rezultuar me përleshje fizike. Shkaku i gjithë kësaj ishte arrestimi i Radovan Karadzicit.

Lideri i serbëve të Bosnjës ishte arrestuar dhe dorëzuar në Tribunalin e Hagës në korrik 2008, i akuzuar për krime të luftës. Sikur dyshimet, edhe arrestimi i tij kishte ndarë opinionin serb. Kjo u reflektua edhe në qëndrimet e Rankos dhe Zivkos.

Për rrahjen, asnjëri nga të akuzuarit nuk e pranojnë fajin. 

“Ka gjashtë vjet që nuk flas me Zivkon”, thotë Ranko Stankovic. “Ditën kritike më ka fyer duke më thënë pse po më përzihesh në partinë time  ‘nënën  ta ….’. Ai me është vërsulur, më ka goditur me një shkop në ballë dhe kokë, e pastaj duke ikur nga vendi i ngjarjes është lënduar në një kumbull”.

“Raportin tim mjekësor e ka hequr nga dosja Nebojsa Popovic, sepse ata janë të një partie dhe janë miq”, vazhdoi Stankovic.

Zivko Stojkovic, ka version tjetër. “Unë nuk kam shkuar ta rrahë, ai më ka kapur dhe nuk më ka lëshuar të shkoj e pastaj më ka goditur tri herë me shkop të trashë në fytyrë. Në atë moment gati e kam humbur vetëdijen”, tha i akuzuari Stojkovic.

Dëshmitarja  Vlainka Blagojevic ka rrëfyer në seancë gjyqësore se si erdhi deri te konflikti mes dy të akuzuarve. “Ranko me ka thënë se e kanë burgosë Radovan Karadzicin, atëherë ka ndërhy Zivko e këtij ia ka tërhequr vërejtjen Ranko duke i thënë ‘mos ndërhyj’ dhe e ka kapur për gjoksi Zivkon”.

“Pastaj, Zivko e ka goditur Rankon me shkop e dhe Ranko e ka goditur Zivkon”, rrëfen dëshmitarja.

Në anën tjetër dëshmitari Skënder Bunjaku, polic, deklaron se kur kanë dalë në vendin e ngjarjes të pandehurit kanë pas lëndime të lehta trupore. Zivko ka pasur gjakderdhje të vogël në kokë, e Ranko më të vogla. Deri te përleshja ka ardhur si pasoje e akuzave të bëra njeri-tjetrit lidhur me arrestimin e Radovan Karadzicit. 

Gjyqtari Burim Shala i gjykatës komunale të Kamenicës ka shpallur të enjten dy të akuzuarit fajtorë, me ç’rast  Ranko Stankovicit iu shqiptua dënimi me pesë muaj burgim ndërsa Zivko Stankovicit tre muaj burgim.