Në kohë virusi të pambrojtur e në dializë, obligohen të punojnë punëtorë krahu

Me rreth 26% të qytetarëve të papunë varfëria në vend është rritur gjatë kohës së pandemisë në Kosovë.

Në kërcënimin e virusit COVID-19, të sëmurë e në dializë pa masa mbrojtëse e me shumë probleme të tjera, punëtorët e krahut qëndrojnë të ulur nën hijen e blirit në qendër të Ferizajt.

Vendi të cilin e njohin të gjithë ‘para xhamisë’ në Ferizaj, çdo ditë është i mbushur me punëtorë të cilët kërkojnë të fitojnë ndonjë mëditje për çdo punë të mundshme.

Isa Braha është njëri nga ata që presin punë. Ai ka një familje me shtatë anëtarë dhe askush nga ta nuk ka një marrëdhënie pune të sigurtë.

“Bon vakia dalim katër, pesë ditë dalim, a punojmë një herë a hiç a, por e kemi obligim me dal sepse unë jam vetë i shtati anëtarë edhe s`kam kërkah të ardhura, s’kam qare pa dal”, thotë ai për KALLXO.com.

Për të lloji i punës nuk ka rëndësi, edhe në kohë të pandemisë ai është i gatshëm të pastroj kanalizime apo edhe t`i pastroj oxhakët e shtëpive.

“Na punojmë me oxhak, sajle, kanalizime e çdo punë që ofrohet, ngarkim, shkarkim, ke çka ke”, tregon ai.

Qeveria e Kosovës ka marrë një vendim me të cilin të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë kanë një kohë të caktuar të qarkullimit. Sipas kësaj rregulle ata që janë të punësuar lejohet të qarkullojnë me leje speciale. Pa kontrata të punës punëtorët e krahut nuk e kanë këtë leje, ndërsa rrezikojnë të arrestohen për shkak të shkeljes së rregullave.

“Nuk na kanë nguc, për shembull na kanë largu kur jem kanë ka tre, katër veta, pesë që jem ba troq, por jo kanë hasë mirëkuptim edhe këta për neve”, thotë Braha, duke bërë me shenjë nga Policët të cilët qëndrojnë në anën tjetër të rrugës.

Përvojë tjetër ka pasur Tahir Callaku. Ai duke kërkuar punë ishte arrestuar nga policia për t`u liruar më pas.

“Nuk i kena këqyr ato (kohën e qarkullimit) kur i kena pasë, kena dal pa qare. Më kanë marr më kanë quar në polici 1 orë e 15 minuta m’kanë majtë mrena. Çka ke dalë?, Kam dalë me punu e me i mbajt fëmijët, kanë thanë na e kena urdhërin për mos me ju lan, a po hec?, Ju kam than s’kam ku shkoj. Për se dyti kanë than ju gjejmë i keni 500 euro dënim”, ka treguar Callaku.

Punëtorët e krahut me pak para në xhepa kanë pak mundësi të financojnë mjetet mbrojtëse. Qëndrim Abazi mbanë në fytyrë një maskë të vjetëruar, ndërsa me problemet shëndetësore që i ka mundohet të gjejë ndonjë punë të lehtë, pasi edhe i është rekomanduar nga mjeku që të mos punojë në punë të rënda fizike.

“Jam me dializë, nëna ime ma ka dhanë veshkën dhe jam babë i tre fëmijëve edhe qetu, me punu punë të rënda s`mundem, po qetu najsen lehtë që ka, që s`ka apet shnosh”, ka treguar Abazi.

Tutje ai thotë se mjekimi i mëtejshëm është i nevojshëm, por mundësitë nuk i lejojnë që të kryej procedurat mjekësore.

“Hala kam nevojë me u mjeku, po nuk janë kushtet për me shku në Shqipëri, këtu në Kosovë gjysma e kontrolleve janë, gjysma s’janë, barnat edhe janë edhe s’janë”, ka shtuar ai.

Në situatën me virusin COVID-19 frika e qytetarëve i ka lënë pa punë edhe punëtorët e krahut.

Emrush Gashi, i cili po ashtu del çdo ditë në të njëjtin vend, thotë se tek njerëzit sheh një frikë për shkak të coronavirusit dhe kjo ndikon që atyre të mos u ofrohet punë.

“O njëfarë frike, njëfarë panike, penikë është kjo jo që ka diçka, te na s`ka hiç kurrgjë, bile as nuk tuten për këtë punë hiç”, ka thënë Gashi.

Prej kur në Kosovës është shfaqur rasti i parë me COVID-19, si të pa punë në Komunën e Ferizajt janë regjistruar 2099 persona, që rrit numrin për 26%.

“Vetëm në periudhën 13 mars 2020 deri më 12.05.2020 janë regjistruar si punëkërkues të rinj 2099 persona, ku prej tyre gra/vajza janë 848 persona si dhe burra 1251 persona”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë së Punësimit së Republikës së Kosovës.