Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri duke festuar me shqiponjë pas golave Foto:Laurent Gillieron/EPA

Festimi i golave nga Xhaka dhe Shaqiri i pasqyruar në 'The Guardian'

Dyshja e Zvicrës, të cilët janë me prejardhje shqiptare, provokuan tensione me Serbinë duke bërë simbolin nacionalist.

Futbollistët zviceranë, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri kanë rrezikuar të ndezin tensionet politike në Ballkan pasi ata bënë një simbol nacionalist shqiptar për të festuar golat e tyre kundër Serbisë në një fitore 2-1 të grupit E në Kaliningrad, raporton The Guardian.

Dyshja që kanë prejardhje shqiptare por që janë rritur në Zvicër, e kthyen ndeshjen e së premtes mbrëma në favor të tyre pasi Serbia po udhëheqte lojën me golin Aleksandar Mitroviç që nga fillimi i pjesës së parë.

Të dy i vendosin duart e tyre të hapura së bashku, me gishtat e tyre të të mëdhenj të kryqëzuar dhe gishtat e tjerë të shtrirë për të bërë atë që duket sikur shqiponja me dy koka e cila gjendet në flamurin kombëtar të Shqipërisë. Gishtat e mëdhenj paraqesin kokat e dy shqiponjave, ndërsa gishtat e tjerë duken si pendët.

Gjesti ka të ngjarë të ndezë tensionet midis nacionalistëve serbë dhe shqiptarëve.

Shaqiri ka lindur në Kosovë, në ish-krahinën serbe që shpalli pavarësinë në vitin 2008. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe marrëdhëniet midis dy vendeve mbeten të tensionuara. Prindërit e Xhakës janë me origjinë nga Kosova. Babai i mesfushorit të Arsenalit u burgos në ish-Jugosllavi për fushatën e tij për pavarësisë së Kosovës.

Shaqiri, i cili luan për ‘Stoke City’, tha pas ndeshjes se “është vetëm emocion” kur u pyet për mënyrën se si festoi fitoren e tyre të vonshme.

“Unë mendoj se në futboll ju keni gjithmonë emocione”, tha ai. “Ju mund të shihni se çfarë kam bërë dhe unë mendoj se kjo është vetëm emocion. Unë jam shumë i lumtur që kam shënuar këtë gol. Nuk ka më shumë. Unë mendoj se ne nuk duhet të flasim për këtë tani.”

Trajneri i Zvicrës, Vladimir Petkoviç, shtoi: “Kurrë nuk duhet të përzihet politika dhe futbolli. Është e qartë se shfaqen emocionet dhe kështu ndodhin gjërat. Unë mendoj se të gjithë së bashku duhet të largohemi nga politika në futboll dhe duhet të përqendrohemi në këtë sport si një lojë e bukur dhe diçka që i bashkon njerëzit.”

Festimet në një lokal në Prishtinë pas golit të Granit Xhakes Foto: Armend Nimani/AFP Getty Images

Përgatitjet për ndeshje kishin parë polemika midis lojtarëve serbë dhe Shaqirit i cili në pjesën e pasme të këpucës e mban flamurin e Kosovës dhe në këpucën tjetër flamurin zviceran.

Mitroviç ka pyetur: “Nëse ai e do Kosovën aq shumë dhe vendos të shfaqë flamurin, pse ai refuzoi shansin për të luajtur për ekipin e tyre?”

Por më pas, trajneri serb Mladen Krstajiç nuk u përfshi në polemikë. “Nuk kam asnjë koment”, tha ai. “Nuk merrem me këto gjëra. Unë jam një njeri sportiv dhe kjo është ajo ku unë do të qëndroj. Unë nuk kam asnjë koment.”

Fitorja e vendos Zvicrën në vendin e dytë në Grupin E me katër pikë, njësoj si Brazili, i cili mundi Kosta Rikën me rezultat 2 me 0, më herët gjatë ditës. Zvicra do të vazhdojnë në raundin tjetër me kusht që të mos humbasin ndaj Kosta Rikës të mërkurën në Nizhny Novgorod. Serbia do të përballet me Brazilin në Moskë në të njëjtën kohë.