Qendra e Deçanit | Foto: Atdhe Mulla

Deçani - Komuna ‘Western’ e Demokracisë Perëndimore

Mes Pejës e Gjakovës, të dy këto qytete me fetishe qytetarizmi, shtrihet komuna “zezake” e ushtrimit të fetishit të tyre gati racist. Është fjala për Deçanin, të cilin e përçmojnë edhe Peja edhe Gjakova.

Në Pejë, vjen si shembull, kur duan ta përshkruajnë dikë si shumë të pagdhendur, do me thënë “lumpen”, “katundar” (nën katundar) i thonë “i Strellcit”.

E Strellci është fshat i Deçanit në kufi me Pejën, i njohur për “mangupa” në zë, por dhe për njerëz intelektualë që kanë kontribuar në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Për Gjakovën në anën tjetër, tërë Kosova është “katunare”, por Deçani iu ka rënë hise si shpesh për shkak të afërsisë gjeografike e mbase për këtë arsye edhe e kanë sharë më shumë.

Deçani, në fakt, është një komunë e rëndësishme historikisht pasi aty gjendet manastiri më i bukur në Kosovë rreth 600 vjet i vjetër.

Po ashtu, Deçani është komuna e një populli fisnik. Vërtet qytetarët e Deçanit mund të duken të vrazhdë, dhe vërtetë në debat e sipër me ta, mund edhe të të bërtasin, por fisnikëria e tyre është diçka e pashoqe në tërë Kosovën.

Foto: Atdhe Mulla
Foto: Atdhe Mulla

Janë shumë të përkushtuar në pritjen e mysafirëve dhe në shtëpitë e tyre ndjen ngrohtësinë e “mikpritjes shqiptare”, diçka për të cilën kryesisht mund të lexoni në librat që të huajt i bëjnë për Kosovën.

Në anën tjetër rinia deçanase me të madhe ia ka mësyrë universiteteve brenda e jashtë vendit.

Deçani së bashku me Skenderajn paramendohen si komuna ku jeta bëhet si në filmat “Western”, dhe vërtet i duan armët popullsitë e këtyre dy komunave të njohura për heroizmat atëherë kur ishte e nevojshme.

Por, në fakt, të dy këto janë larg çfarëdo paramendimi e paragjykimi që mund të kemi ne duke u nisur nga tregimet e ndryshme urbane.

Deçani ka peizazhe shumë të bukura i rrethuar me bjeshkë të thepisura që në të shumtën e kohës janë të mbuluara me borë.

Lumbardhi i Deçanit freskon gjithë natyrën përreth dhe klima e përzier malore me ato rryma mesdhetare që arrijnë të depërtojnë në kohë të caktuara, e bëjnë një vend të mrekullueshëm për pemëtari.

Për sa i përket qytetit, më së miri do të shpjegohej mbase me një shaka jo të sajuar, që doli nga një debat mes dy vetash të cilët kishin ngritur diskutimin mbi atë se a është Deçani “qytet” apo “qytezë”.

Diskutimet sa vinin e zhvilloheshin përmes argumentesh deri sa një i tretë erdhi dhe me të marrë vesh mbi temën e cila iu shtrua përmes pyetjes “A është Deçani qytet apo qytezë?” – ky u përgjigj “Deçani është kthesë”.

Vërtet, qendra e Deçanit është në një rrugë e cila po të vish nga Peja të bie të kthehesh në të majtë për të shkuar në Gjakovë dhe ja, aty, te ajo kthesë është qyteti i Deçanit.

Qendra e Deçanit | Foto: Atdhe Mulla
Qendra e Deçanit | Foto: Atdhe Mulla

Deçani debaton

Deçani ka rreth 60 mijë banorë dhe përfaqësohet nga kryetari Rasim Selmanaj i AAK-së. Deçani në fakt konsiderohet i vetmi bastion i AAK-së në Dukagjin meqë Gjakova dhe Peja i dolën nga dora në zgjedhjet e fundit.

Debati ishte gati të fillonte ndërkohë që të gjithë asamblistët kishin ardhur në kohë. Sa zunë vendet e tyre, bashkë me ta edhe kryesuesja provizore Jeta Xharra, debati filloi.

Klipi dy minutësh tregonte premtimet e kryetarit. “Verat e Llukës” quhet vendi ku ishte bërë një falje masive e gjaqeve, si akt i një lëvizjeje për pajtimin e gjaqeve të udhëhequr nga Anton Çeta gjatë viteve 1990-ta.

Ky vend, siç tregohej nga regjia, kishte mbetur si një djerrinë dhe vend për hedhje mbeturinash ndërkohë që kishte qenë premtim i kryetarit për t’u rehabilituar. Kjo ka rëndësi të madhe për një vend me ngarkesa patriotike si puna e Deçanit.

Kryetari tha se e kishte pastruar vendin mirëpo aty prapë duhen intervenime dhe se në fakt është një projekt i cili nënkupton bërjen e infrastrukturë dhe rrethimin me mur me qëllim të ruajtjes së hapësirës si një memorial.

Asamblistë të Deçanit | Foto: Atdhe Mulla
Asamblistë të Deçanit | Foto: Atdhe Mulla

Por asamblistët nuk lanë pa përmendur ujin i cili thuhej se ishte i pakët në Deçan. Akuzë konkrete ishte ajo për hidrocentralet të cilat sipas asamblistëve po dëmtonin ekosistemin dhe me to edhe gypat që sjellin ujin te qytetarët.

Për këto çështje, kryetari tregoi se kompania punëkryese penalizohej dhe ai vetë u zotua se do ta padiste kompaninë po të qe e nevojshme në rast dëmtimesh a prishjesh të çfarëdo pasurie të Deçanit.

Madje kryetari nxori dhe një kartë tjetër nga mënga, e të cilën me t’ia shfaqur opozitës bëri që tema të ndërrohej.

Ishte fjala për licencën e dhënë nga Ministria e Mjedisit për këtë hidrocentral çka e shuan menjëherë çfarëdo pretendimi se komuna ka në dorë dëmtimin e ambientit, ose të paktën se komuna po shkel ndonjë ligj lidhur me këtë dëmtim të mundshëm të natyrës.

Por, Hyrije Binakaj nga LDK-ja, pati një akuzë edhe më konkrete: ajo akuzoi se ujin e gurrave të “10 Fshatrave” kryetari po e çonte në Gllogjan.

Sa për informatën e lexuesit të paditur në fushën e prejardhjes së politikanëve, Gllogjani është katundi i Ramush Haradinajt, kryetarit të AAK-së.

Kryetari Selmanaj e mohoi këtë akuzë, ndërkohë që u ngrit edhe çështja e bursave për studentët e Deçanit.

Poster i Ramush Haradinaj në Deçan | Foto: Atdhe Mulla
Poster i Ramush Haradinaj në Deçan | Foto: Atdhe Mulla

Pa kompromis

Në pyetjen që i shtroi kryesuesja provizore Xharra, kryetarit Selmanaj, lidhur me atë se a është dështim paaftësia e komunës për të siguruar mjete për bursa kryetari tha “është pak, por…”, vazhdonte arsyetimi i tij.

Kjo “pak” kur vjen fjala te dështimi mundohet ta luajë rolin e vet relativizues. Dështimi është i papranueshëm, aq më tepër kur është fjala te institucionet, se “pak” nuk dështohet.

Ose dështon, ose nuk dështon.

Kryetari i Deçanit Rasim Selmanaj | Foto: Atdhe Mulla
Kryetari i Deçanit Rasim Selmanaj | Foto: Atdhe Mulla

E Deçani te çështja e bursave kishte dështuar. Madje drejtori i financave tha se bursat ishin të fundit në prioritete.

Ka 3 vjet që është ndërtuar objekti i zjarrfikësve por ende nuk ka hyrë në funksion dhe kësisoj, zjarrfikësit rrinë në një oborr me ndërtesën e komunës në ndërtesën e shtëpisë së kulturës.

Vëllai i kryetarit është zjarrfikës dhe ai vetë pohoi se në atë objekt nuk hyhet.

Kryesuesja Xharra iu drejtua kryetarit: “A po don me u prishë me vëllaun, se me-njërin tashmë ishit prishë. Të kish paditë vllau kryetar!”

Po, kjo ka ndodhur në Deçan. Një nga shumë vëllezërit e kryetarit (çka ngre pikëpyetje shtesë për konflikt interesi) kishte marrë një tender dhe komuna ende nuk ia ka paguar gjithë punën.

Pas sa e sa lutjesh e kërkesash të tij qoftë me rrugë zyrtare, qoftë me rrugë familjare, kryetari nuk ishte përgjigjur pozitivisht. Dhe një ditë prej ditësh vëllai paskësh ngritur padi.

Demokracia 2.0 në Deçan. Aty ku nuk e prisnim aspak.

Peja e Gjakova mund ta përçmojnë e përbuzin sa të duan Deçanin, por një gjë është e sigurt: niveli i tyre i demokracisë, tash për tash, i afrohet Deçanit aq sa afrohen me njëri-tjetrin pinguini dhe ariu polar (që jetojnë në pole të kundërta).

Asambleja Komunale e Deçanit | Foto: Atdhe Mulla
Asambleja Komunale e Deçanit | Foto: Atdhe Mulla