Millan Radoiçiq

Rënia e një miti - Radoiçiq dhe viti i tij i mbrapshtë

Dhjetëra kureshtarë anash rrugës shikonin me vëmendje e habi më 29 shtator përderisa policia po i defilonte rrugëve të Mitrovicës së Veriut dy veturat luksoze të konfiskuara, që pretendohej se i takonin Millan Radoiçiqit.

Përveç që kishin pamjen e veturave luksoze, qytetarët patën mundësi që nga afër të shohin edhe bastisjen e njërit prej lokaleve më të frekuentuara në Mitrovicën Veriore, atë të “Hotel Grey” për të cilin thuhet se është në pronësi të Radoiçiqit.

Vetura e konfiskuar më 29 shtator 2023, Foto: Kossev

Data 29 shtator i dha vulën humbjes së “fuqisë” për “të paprekshmin” nga organet e rendit në Kosovë, pasi që shumë prona të tij u bastisën, e u sekuestruan. E kjo situatë nuk ishte parë viteve të kaluara.

Foto: KALLXO.com

Ishte një rast tjetër, kur Policia kishte shkuar në njërën nga pronat e Millan Radoiçiqit për ta kërkuar në lidhje me dyshimet për përfshirjen e të njëjtit në vrasjen e politikanit serb Oliver Ianoviq, por që nuk e gjeti aty.

Radoiçiq pretendohet se është në Serbi, kështu të paktën u tha në një vendim të Gjykatës serbe, të njëjtit kishin lajmëruar edhe se i kishin konfiskuar pasaportën dhe që ia kishin ndaluar ardhjen në Kosovë.

Këtyre ndodhive ndaj Radoiçiqit i parapriu sulmi terrorist që u regjistrua më 24 shtator të këtij viti në Banjskë të Zveçanit.

Rreshteri Afrim Bunjaku vdiq si pasojë e plagëve që kishte marrë nga një shpërthim i një granate kundër këmbësorisë në një barrikadë që ishte vendosur në urën e cila të çon drejtë brendësisë së fshatit Banjskë.

Banjskë, vendi ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, Foto: Adelina Ahmeti, KALLXO.com

Aty një grup prej më shumë se 100 personash në orët e para të 24 shtatorit kishin hyrë brenda Banjskës për të zënë vend në manastirin e këtij fshati e më pas të nisnin një sulm ndaj Policisë së Kosovës.

Fillimisht ata shpërthyen një granatë kundër këmbësorisë ku vdiq rreshteri Bunjaku e tutje sulmuan zyrtarë të tjerë policorë, një u plagos e një tjetër u lëndua.

Tre nga grupi terrorist u vranë, e të tjerë që mbetën të plagosur arritën që të arratiseshin maleve të Banjskës për në pikën kufitare Izvor – e më pas në Serbi.

Radoiçiq u identifikua se ishte pjesë e grupit terrorist pasi zyrtarë policor nisën të gjurmonin pamjet e marra nga droni të cilin e kishin vënë në funksion në ditën e 24 shtatorit.

Aty u panë te njëra nga ndërtesat që ishte pjesë e manastirit të Banjskës, një grup i personave të veshur me uniforma ushtarake, të maskuar e të armatosur rëndë.

Radoiçiq është i kërkuar nga organet e rendit dhe drejtësisë në Kosovë ndërsa për rastin e fundit atë të sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, institucionet kosovare kanë kërkuar nga Beogradi edhe dorëzimin e tij dhe personave të tjerë që morën pjesë në grupin terrorist.

Kjo pasi që Radoiçiq në orët e pasdites së 24 shtatorit 2023 u arratis nga Banjska për në Serbi gjatë kundërsulmit që grupi terrorist pati nga Policia e Kosovës.

Millan Radoiçiq ka pranuar zyrtarisht me anë të një letre se ka qenë mbrapa sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Basnjkë të Komunës së Zveçanit, ku u vra një rreshter i policisë e u plagos një tjetër.

Deklarata e Radoiçiqit u lexua në ditën kur policia kishte nisur bastisjet, sekuestrimet e konfiskimet në pronat të cilat dyshohej se i përkisnin Radoiçiqit.

Në Banjskë u identifikua dhe u sekuestrua edhe një veturë tjetër luksoze. E njëjta dyshohet se ishte kamufluar me ngjyrë tjetër ndërsa brenda saj u gjetën dokumente të cilat i përkisnin vetë Radoiçiqit.

Ditët në vijim pas 24 shtatorit, jepnin dëshmi të vazhdueshme për rënien e mitit të Radoiçiqit dhe humbjen e forcës së tij në pjesën e veriut të vendit.

Më 3 tetor, nëntë ditë pas ngjarjes në Banjskë, Ministria e Brendshme në Beograd konfirmoi se kishte arrestuar Millan Radoiçiqin dhe të njëjtin e kishin dërguar në mbajtje për 48 orë.

Gjykata në Beograd e kishte liruar Millan Radoiçiqin nga mbajtja, një ditë pasi u ndalua nga autoritetet serbe.

Sipas vendimit të Gjykatës, në të njëjtën kohë, i është caktuar masa e ndalimit të largimit nga vendbanimi dhe i është ndaluar largimi nga territori i Serbisë pa aprovim nga Gjykata, madje u tha se i ishte konfiskuar edhe pasaporta.

Gjithashtu, Radoiçiqit i është ndaluar edhe ardhja në Kosovë. Sipas të njëjtit vendim të gjykatës, ai do të duhet të paraqitet në stacionin policor kompetent në datat 1 dhe 15 të çdo muaji.

Një hulumtim i Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese – BIRN, ka vënë në pah se pas ngjarjes në Banjskë dhe arratisjes së Radoiçiqit për në Serbi, rezistencën për ta dorëzuar te autoritetet në Kosovë nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i pari që i priu grupit në sulmin e Banjskës, tani ka gjetur vendbanim në “Dedinje” të Beogradit, e që komshinjtë e parë të tij janë Zvonko Veselinoviq dhe Nikolla Petroviq.

Millan Radoiçiq gjen vendbanim në “Dedinje” të Beogradit, komshinjtë e parë të tij janë Zvonko Veselinoviq dhe Nikolla Petroviq

Radoiçiq vazhdon kohë pas kohe të përmendet, por sërish jo për të mirë.

Millan Radoiçiq mes ushtarëve e artilerisë ushtarake serbe

Gati dy muaj pas ngjarjes në Banjskë, një sulmi terrorist i cili sipas informacioneve që u dhanë, synonte aneksimin e katër komunave në veri të vendit fillimisht, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me anë të një deklarate në rrjetin e tij zyrtar në Facebook shkroi se në Rashkë të Serbisë, po ngjan riorganizimi i një grupi paramilitar e terrorist nga Millan Radoiçiq dhe grupi i tij.

“Të premten e 10 nëntorit (2023), ai ka udhëhequr një takim me rreth 40 politikanë serbë e zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova. Në mbledhjen e mbajtur në shtëpinë e kulturës në Rashkë, ai kishte pranë Svetllana Milladinov, zëvendësen e Petar Petkoviqit, koordinatorit të të ashtuquajturës zyrë të Serbisë për Kosovë”- shkroi Kurti, duke përmendur se në takim përveç deputetëve të Listës Serbe, kanë marrë pjesë edhe kryetari i ri i saj Zlatan Elek dhe nënkryetarët, Dragisha Milloviq dhe Dalibor Jevtiq.

“Edhe pas presionit ndërkombëtar, Serbia ende nuk ka tërhequr të gjitha trupat dhe artilerinë nga afërsia e territorit të Kosovës. Ajo vazhdon të kërcënojë sigurinë e Republikës së Kosovës me bazat e përparme operuese të Forcave të Armatosura të Serbisë përgjatë kufirit me vendin tonë. Për më tepër, Serbia ka dislokuar sistemet kundër-ajrore në afërsi të kufirit me Kosovën”- vazhdon postimi i Kurtit për këtë takim.

KALLXO.com përmes burimeve brenda Policisë së Kosovës ka marrë vesh se gjatë muajit nëntor ka pasur hyrje dalje të disa prej zyrtarëve të Listës Serbe për në Beograd përmes pikës kufitare Jarinje.

Fuqia e Radoiçiqit përmes Listës Serbe dhe mbështetjes nga Beogradi

Nuk shfaqet shpesh në publik e në media, por ndikimi i tij te serbët lokalë në Kosovë është i madh. U “shpëtoi” disa herë organeve të ndjekjes ndërsa së fundmi po dyshohet se u përfshi në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit ndaj Policisë së Kosovës.

“I forti” i veriut, njihej nga serbët e veriut por ai fuqizoi pozicion kur mori postin e nënkryetarit të Listës Serbe në qershor të vitit 2018.

Prej vitesh, Radoiçiq është përshkruar si “bossi i veriut”, duke u bërë njeriu më me ndikim te serbët lokalë në katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

Për disa vite, ai ishte në kërkim nga organet e drejtësisë së Kosovës, por arriti t’u shmangej disa herë.

Millan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, së fundmi është arratisur për të disatën herë, nga Basnjska, aty ku ndodhi sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës. Hera e parafundit që ishte arratisur është regjistruar, në shkurtin e vitit 2022, në pikën kufitare të Bërnjakut, në veri të vendit.

Pamje nga kamerat e sigurisë nga arratisja e Millan Radoiçiqit

Arratisja e tij kishte ndodhur gjatë mandatit të Qeverisë Kurti dhe për këtë rast ishin suspenduar disa policë që ishin në pikën kufitare, të cilët më pas ishin kthyer në punë.

Pamjet ekskluzive, të filmuara nga kamerat e EULEX-it, u transmetuan në emisionin #KallxoPërnime të shtunën e 23 shtatorit, vetëm disa orë para se ai të hynte sërish në territorin e Kosovës por kësaj radhe me mijëra armë ushtarake të rënda, municione, uniforma e gjësende të tjera.

Radoiçiq ishte edhe pjesë e hetimeve për rastin “Brezovica” për shkak të dyshimeve për ndikim në dëshmitarë.

Në vitin 2018, politikani serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq u vra në Mitrovicën e Veriut. Hetimet e organeve të drejtësisë zbuluan pistat që përfshinin Millan Radoiçiqin në vrasjen e tij. Për këtë Prokuroria Speciale kishte lëshuar edhe një urdhërarrest. Por, në fillim të vitit 2021, ky urdhërarrest ishte tërhequr nga organet e ndjekjes.

Vetëm pak ditë pasi Prokuroria Speciale e Kosovës kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë heqjen e fletarrestimit ndaj Millan Radoiçiqit, ai ishte parë duke hyrë në territorin e Kosovës.

KALLXO.com kishte mësuar se më 09.03.2021, rreth orës 12:00, Millan Radoiçiq, kishte hyrë në pikëkalimin kufitar në Bërnjak.

Millan Radoiçiq shihet si njeri i afërt me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, derisa shpesh u prit edhe në takime zyrtare në Beograd.

Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Veselinoviq, Sërgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq, të gjithë serbë nga Kosova, janë të vendosur në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së.

Milan Radoiçiq (djathtas) dhe Zvonko Veselinoviq (në mes) me shokun e ngushtë të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Nikola Petroviq (i pari nga e majta). Foto: BIRN.

Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja, në kuadër të këtij Departamenti, publikoi një listë të personave dhe kompanive të tyre në vende të caktuara, që me një emër quhen “Shtetas të etiketuar në mënyrë të posaçme”. Me futjen e tyre në listë të sanksioneve, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.

Pas SHBA-së, edhe Britania e Madhe në dhjetor të vitit 2022 ka sanksionuar tashmë ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Në raport thuhet se Millan Radoiçiq, biznesmen i industrisë së ndërtimit dhe nënkryetar i Listës Serbe, “ka përfituar nga shpërdorimi i kontratave shtetërore dhe ka përdorur ndikimin e tij për t’i dhënë kompanive të tij të ndërtimit kontrata fitimprurëse”.

“I forti” i veriut, i cili e ka marrë postin e nënkryetarit të Listës Serbe në qershor të vitit 2018, është takuar me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, në zyrën e këtij të fundit në ndërtesën e Qeverisë dhe është takuar në një jaht në Budvë me kryetarin e AKR-së dhe ish-presidentin e Kosovës, Behgjet Pacolli.

Millan Radoiçiq tashmë nuk është vetëm në listën e personave që kërkohet nga organet e rendit e të drejtësisë në Kosovë.

Organizata ndërkombëtare më e madhja e policisë INTERPOL, tashmë ka shpallur në kërkim Radoiçiqin dhe 19 persona të tjerë përfshirë këtu edhe ish shefin e njësive speciale të policisë në veri Uglesha Jarediq. Ata janë vënë në këtë listë për sulmin terrorist në Banjskë.

Grupi dyshohet se kreu veprat penale të terrorizmit dhe pastrimit të parave.

Përtej politikanit me ndikim në veri deri te një biznismen

Vetëm në Kosovë, Millan Radoiçiq pretendohet se pati në pronësi vetura, shtëpi, biznese nga të cilat fitonte shumë.

Policia e Kosovës tashmë ka sekuestruar një mori provash në lidhje me pronat që pretendohet se ishin të Radoiçiqit në Kosovë.

Villa e Radoiçiqit e cila është ndërtuar viteve të fundit buzë liqenit të Ujmanit tashmë sipas informacioneve zyrtare do t’i kalojë në pronësi shtetit të Kosovës, e njëjta mund edhe të shfrytëzohet si bazë e policisë.

Radoiçiq është krahu i djathtë i Zvonko Veselinoviqit, një biznesmen serb nga veriu i Kosovës, i cili përshkruhej në raportet e policisë serbe dhe të inteligjencës të marra nga “KRIK” si një figurë kryesore e krimit të organizuar.

Sipas këtyre raportimeve, grupi i tij ishte i përfshirë në krime të ndryshme, përfshirë trafikimin e drogës, armëve dhe naftës në veri të Kosovës. Radoiçiq punonte si korrier, duke transportuar pako me drogë nga bosët shqiptarë të drogës në Serbi.

Hulumtimet gazetareske zbuluan se Millan Radoiçiq në vitet e fundit kishte zgjeruar aksionet në kompani të mëdha, njëra prej tyre ishte ajo në fushën e ndërtimit të rrugëve.

Hulumtimet e tjera e lidhnin Radoiçiqin me njerëz nga Kosova. Kompania “RAD”, pronar i së cilës është Radulle Steviq, që është futur së fundmi në “listën e zezë” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si pjesë e grupit të Millan Radoiçiqit, kishte kontraktuar kompaninë në pronësi të qytetarit të komunitetit shqiptar (“N.N.T A.B.C” me pronar Arben Jetullahun) për të realizuar një numër të madh të projekteve kapitale në katër komunat me shumicë serbe.

Në tetor të vitit 2019, “KRIK” kishte publikuar një fotografi, në të cilën shihej kryetari i AKR-së dhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, në takim me Millan Radoiçiqin, Goran Rakiqin dhe të tjerë. Sipas “KRIK”, takimi i Pacollit me Millan Radoiçiqin ka ndodhur në verën e vitit 2017, në kohën kur AKR braktisi LDK-në për të qeverisur në koalicion me PDK-në, AAK-në dhe Nismën, me kryeministër Ramush Haradinajn.

Në janar të vitit 2021, Pacolli në #KallxoPërnime e kishte komentuar fotografinë me Millan Radoiçiqin në jaht.

“Unë kurrë s’e kam njohur kush është Millan Radoiçiqi. As emrin nuk ia kam dëgju. Unë kam shkuar në Budva dhe është parkuar jahti im në një vend afër, sepse ka qenë më i madhi prej tyre. Derisa është lidhë jahti im aty është parkuar një jaht tjetër”- kishte deklaruar Pacolli.

Sipas tij, takimi ka zgjatur vetëm 10 minuta dhe nuk e ka pasur ndonjë kërkesë ndaj tij. Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, më 12 korrik 2018, kur ishte kryeministër, e kishte pritur në zyrën e tij kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Goran Rakiq, dhe nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Në një deklaratë u zbuluan vetëm disa detaje, duke përmendur vetëm se “ata diskutuan gjendjen e përgjithshme në Kosovë me një theks të veçantë në aspektet e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe social”.

Haradinaj është kritikuar për takimin me një figurë të diskutueshme si Millan Radoiçiq.

Radoiçiq si nënkryetar i Listës Serbe mori fokusin kryesor të takimit.

Tashmë së fundmi në media është publikuar edhe një bisedë që pretendohet se është zhvilluar nga kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila dhe ish- nënkryetarit të Lsitës Serbe Igor Simiq.

Në këto incizime dëgjohej edhe kur Simiq i thotë Kusari- Lilës se ajo kishte biseduar përmes telefonit me Millan Radoiçiqin.

Kusari-Lila asnjëherë nuk mohoi këto incizime përveç se shtoi se do të ndjekë hapa ligjorë për shkak se biseda u inciziua pa lajmëruar.

Tërheqja misterioze e urdhërarrestit ndaj Millan Radoiçiqit

Në korrik të vitit 2019, më shumë se një vit nga vrasja e Oliver Ivanoviqit, ishte lëshuar urdhërarrest ndaj Millan Radoiçiqit.

Ish-prokurori special, Sylë Hoxha kishte deklaruar për KALLXO.com se me kërkesën e Prokurorisë, Gjykata e Prishtinës kishte lëshuar urdhërarrest për arrestimin e Millan Radoiçiqit, të dyshuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Në fillim të vitit 2021 (në kohën kur Qeveria drejtohej nga Avdullah Hoti), Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë kërkesë për tërheqjen e urdhërarrestit ndaj njërit nga të kërkuarit për vrasjen e ish-politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviqit.

Atëherë, lajmin për KALLXO.com e kishte konfirmuar gjykatësi Valon Kurtaj.

“PRSK (Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës) ka bërë kërkesë për tërheqjen e letër-rreshtimit dhe gjykata duke vepruar sipas kërkesës së saj e ka tërhequr letër-rreshtimin”- kishte deklaruar Kurtaj për KALLXO.com.

Prokurori, të cilit i ishte transferuar lënda pasi ish-prokurori Sylë Hoxha kishte dalë në pension, është Burim Çerkini. Çerkini kur ishte pyetur nga KALLXO.com se pse është tërhequr urdhërarresti ndaj Milan Radoiçiqit, ai kishte deklaruar se kjo është konfidenciale dhe se nuk mund të deklarohet në lidhje me këtë rast.

Vetëm pak ditë pasi Prokuroria Speciale e Kosovës kërkoi nga Gjykata Themelore në Prishtinë heqjen e fletarrestimit ndaj Milan Radoiçiqit, ai është parë duke hyrë në territorin e Kosovës.

Siç kishte mësuar KALLXO.com, më 9 mars 2021, rreth orës 12:00, Millan Radoiçiq ishte parë duke hyrë në pikëkalimin kufitar në Bërnjak.

Aktakuza e ngritur në fillim të vitit 2019 është ndryshuar disa herë deri më tani, por ende nuk ka aktgjykim. Fillimisht ajo është ndryshuar më 30 dhjetor 2019 e më pas në fillim të nëntorit të vitit 2020.

Në nëntor të vitit 2018, Policia e Kosovës në një operacion në veri të Mitrovicës ka arrestuar disa persona. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe një epror i policisë, një pjesëtar i zyrës së Oliver Ivanoviqit dhe dy persona të tjerë. Po ashtu ishte bastisur edhe shtëpia e Milan Radoiçiqit, por ai nuk është gjetur në shtëpi. Siç kishte mësuar KALLXO.com, Policia e Kosovës kishte bastitur disa lokacione në veri të Mitrovicës dhe ka arretuar katër persona të dyshuar lidhur me vrasjen e ish-politikanit serb, Oliver Ivaninoviq.

A mund të ndikojë Radoiçiq përmes kryesisë së re të Listës Serbe në Kosovë?

Pas ngjarjeve të Banjskës, tërheqjes së Millan Radoiçiqit nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe, në ditën kur u bën një muaj nga ngjarja në Zveçan, zhvillime pati edhe në parti.

Lista Serbe më 24 tetor zgjodhi kryesinë e re të partisë me në krye Zllatan Elek.

Kryetari i ri i Listës Serbe, Zllatan Elek, gjatë pranimit të pozitës së re nuk doli jashtë binarëve të paraardhësve të tij. Përkundrazi, Elek shprehu mirënjohjen për kryesinë e mëparshme të Listës Serbe, që sipas tij kanë treguar “luftën e tyre për interesat e popullit serb në rrethana jashtëzakonisht të vështira”.

Pasuesi i Goran Rakiqit, Elek tha që nën mandatin e tij Lista Serbe do të jetë selia rreth së cilës do të mblidhet populli serb në Kosovë dhe ashtu siç e quan ai ‘Metohi’, dhe se të gjitha vendimet e rëndësishme politike do të merren gjithmonë në koordinim me Beogradin zyrtar, ashtu siç kishin thënë edhe parardhësit e tij.

Elek që nga viti 2020 ka qenë drejtor i Spitalit në Mitrovicë të Veriut – institucion që funksionon me sistemin serb. Bazuar në njoftimin e Listës Serbe, kryetari paraprak, Rakiq, i cili mbajti katër vite mandat, nuk ka ndonjë pozitë më në kryesinë e partisë serbe në Kosovë.

Nënkryetarë të Listës Serbe janë zgjedhur: Dragisha Miloviq, Ivan Zaporozhyats, Tanja Vujoviq, Dragana Antonijeviq, Dalibor Jevtiq. Ndërsa anëtarët e kryesisë së Listës Serbe janë zgjedhur: Gordana Saviq, Srdjan Popoviq, Srdjan Vuloviq, Nemanja Bisevaq, Slavko Simiq, Ivan Todosijeviq, Verica Ceraniq, Sinisha Laziq, Sasha Millosheviq. Kuvendi zgjedhor në këtë parti erdhi pas vendimit për të marrë pjesë në zgjedhjet e reja në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.