ARKIV - Ilustrim: Nga një protestë kundër dhunës ndaj grave FOTO ARKIV: KALLXO.com

Raportimet mbi dhunën në familje shënojnë rritje gjatë vitit 2020

Ndërkohë që zyrtarët e zbatimit të ligjit kanë thënë se dhuna në familje ka pësuar rritje gjatë masave të bllokadës, raportimi i këtyre rasteve në polici ka shënuar rritje po ashtu, me shoqërinë civile që e ka mirëpritur një reagim gjithnjë e më proaktiv.

 

Bazuar në statistikat e Policisë së Kosovës të ofruara për Prishtina Insight, gjatë vitit aktual 2020 janë raportuar, pothuajse, 650 raste të dhunës në familje në të gjithë vendin: 161 raste të raportuara në muajin janar, 151 në muajin shkurt, 169 në muajin mars dhe 167 në muajin prill.

Rashit Qalaj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, ka deklaruar se rastet e dhunës në familje kanë shënuar rritje këtë vit, pjesërisht për shkak të masave të miratuara nga qeveria për të parandaluar përhapjen e koronavirusit e cila ka ndikuar që familjet të qëndrojnë mbyllur nëpër shtëpitë e tyre.

Qalaj deklaroi për ‘Ekonomia Online’ javën e kaluar se policia është marrë vazhdimisht me raste të dhunës në familje, dhe jo vetëm me dhunën mes çifteve bashkëshortore. “Kur flasim për dhunën në familje, njerëzit mendojnë se këto janë raste të dhunës midis bashkëshortëve, pra midis burrit dhe gruas, mirëpo në shumë raste ne kemi parë dhunë në familje midis anëtarëve tjerë të familjes,” tha ai.

Erza Kurti nga Rrjeti i Grave të Kosovës, RrGGK, i tha ‘Prishtina Insight’ se shifrat e këtij viti përfaqësojnë një rritje prej 22 përqind të raporteve të dhunës në familje në krahasim me të njëjtat shifra në katër muajt e fundit të vitit të kaluar.

“Qyteti i Prishtinës prin me numrin më të madh të rasteve të raportuara, ndjekur nga qytetet e Gjakovës dhe Prizrenit,” tha Kurti. “Jemi në dijeni që izolimi po e e vështirëson jetën për shumë njerëz të cilët i kanë humbur vendet e tyre të punës por edhe për një numër arsyesh të ndryshme. Sidoqoftë, dhuna nuk arsyetohet, në asnjë rrethanë. ”

Sidoqoftë, rritja e rasteve të raportuara nuk është vetëm rezultat i rritjes së dhunës në familje. Rritja e shkallës së raportimit për rastet e dhunës në familje është një qëllim në vete e institucioneve të Kosovës, marrë parasysh faktin se shumica e rasteve të dhunës në familje vazhdojnë të mos raportohen.

Vitin e kaluar, Kosova shënoi rritjen më të madhe të raportimeve për dhunë në familje. Mesatarja vjetore e rasteve të raportuara ndërmjet viteve 2002 dhe 2017 ishte 1.152, në vitin 2018 janë 1,541 raste të raportuara, ndërsa në vitin 2019 ky numër ishte 1.915.

Në një përgjigje dhënë për ‘Prishtina Insight’, Policia e Kosovës i atribuoi kësaj rritjeje në raportim “qasjen e saj proaktive” si dhe politikat e suksesshme në parandalimin dhe ngritjen e vetëdijes në publik.

RrGGK, në ndërkohë, ka mirëpritur fushatat e nisura nga Qeveria e Kosovës në detyrë që kur kane filluar masat e bllokadës, të cilat tërheqin vëmendjen për nevojën e parandalimit dhe dënimit të dhunës në familje dhe, në mënyrë specifike, RrGGK inkurajon gratë ti raportojnë këto raste.

Në një video të publikuar në muajin prill në bashkëpunim me organizatën ‘UN Women’, Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u premtoi banorëve të Kosovës se qeveria do të ketë si prioritet të sajin frenimin e dhunës në familje ndërkohë që masat e bllokadës janë në zbatim e sipër.

“Dhuna në familje është vepër penale, është krim.” tha ajo. “Ju siguroj se edhe në këtë kohë pandemie, dhunuesit do të ndëshkohen. Prandaj, vajza e gra, raportoni dhunën kur ajo ndodh ndaj jush apo ndaj fëmijëve tuaj. Eshtë detyrë shtetërore ti mbrojmë fëmijët, gratë dhe çdo qytetar nga një dhunë e tillë. ”

Strehimoret e dhunës në familje në Kosovë gjithashtu janë përshtatur asisoj që t’i mbajnë gratë të sigurta. Javët e para të masave të bllokadës u shënuan me vetëm gjashtë gra të cilat u bënë pjesë e këtyre strehimoreve, por meqë masa të reja janë duke u implementuar, ky numër ka pësuar një rritje.

Në muajin mars, kishte shqetësime nga personeli i cili punonte në strehimore se ata nuk do të ndjeheshin të sigurt nga virusi, mirëpo një periudhë e detyrueshme e karantinës për këdo që kërkon strehim i ka dhënë fund këtyre shqetësimeve, deklaroi Kurti për Prishtina Insight, me dhjetëra prej tyre  që janë futur në strehimore që nga atëherë.

Që nga 27 prilli, një vendim i Agjencisë për Barazi Gjinore u bë fuqiplotë për gratë që kanë qenë subjekt të dhunës në familje, duke kërkuar nga ato që të futen në karantinë në Qendrën e Studenteve në Prishtinë për një periudhë dyjavëshe para se t’iu mundësohet qëndrimi i tyre në njërën prej strehimoreve të dhunës në familje.

Sipas Kurtit, kjo karantinë ka bërë të mundur që strehimoret të vazhdojnë së punuari normalisht. “Për momentin gjithçka po shkon mirë. Ka pasur donacione të shumta për t’i ndihmuar ata në tejkalimin e kësaj periudhe,” tha ajo.

Kurti theksoi se të gjitha shërbimet, të cilat zakonisht janë të disponueshme për ata që preken nga dhuna në familje, vazhdojnë së funksionuari. “Të gjitha institucionet e drejtësisë janë duke punuar në të njëjtën mënyrë sikurse në periudhën përpara izolimit, dhe se gjykatat dhe policia po trajtojnë çështjet e dhunës në familje me prioritet,” tha ajo. “Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave po punon 24 orë në ditë, po ashtu.”