Foto: Ilustrim

Qytetarët flasin për pritjet që kanë nga zgjedhjet e 14 shkurtit - VIDEO

Qytetarët e Kosovës të dielën e 14 shkurtit do t’u drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Disa qytetarë në Prishtinë, kanë treguar nëse do të dalin për të votuar, si dhe kanë folur për pritjet e tyre nga këto zgjedhje.

Qytetari Reshat Bruti thotë se beson që do të dalë për të votuar të dielën.

“Po, mendojmë që po, të shohim kësmet”, shprehet ai, duke shtuar se ka pritje të pakta pas këtij procesi.

“S’di çka të themi. Pak, shumë pak”.

Skepticizëm ka shfaqur edhe qytetari Nevzat Fushtica, ndonëse thotë se do të dalë në zgjedhje.

“Po, patjetër [do të dal në zgjedhje]”.

“Kurrgjë hiç, si gjithmonë e njëjta gjë”, tha ai para kamerës së KALLXO.com.

Në anën tjetër, të rinjtë presin punësim e kushte më të mira, mes tjerash duke shpresuar që të ndërrohen tërësisht qeveritarët.

 

 

“Veç me u hapë vende të punës më shumë, për mos me ikë rinia”, thotë njëri prej tyre, duke mos dashur që të tregojë emrin.

Për ndryshime shpreson edhe Diellza Rrahmani.

“Po shpresoj të bëhet një ndryshim, atë po e presim të gjithë po besoj. Me u ndërru komplet njerëzit që janë duke na qeverisë tash”, tha ajo për KALLXO.com.

Ndërkaq, Edonë Cakaj nuk është shumë optimiste për zgjedhjet e reja.

“Po [do të dal në zgjedhje]. Ishalla me ndryshime, por qysh po shihet s’do të ketë ndonjë ndryshim”, theksoi ajo.

Për vende pune e kushte më të mira për studentët kosovar, ka pritje një tjetër qytetare, e cila nuk ka treguar emrin.

“Normal vende të punës edhe për studentë diçka më mirë, kushte më të mira”, u shpreh ajo.

 

 

Kurse, një tjetër të ri e preokupon mes tjerash dialogu Kosovë-Serbi.

“Pres me u bë më mirë, normal kuptohet. Për shembull raportet me Serbinë me u rregullu më shumë, me pas punësimet për të rinjtë”, tha Lirim Ibrahimi.

Për të marr pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit, interesim të madh kanë treguar edhe mërgimtarët.

Bashkatdhetari, Rexhep Rafuna thotë se pikërisht për këtë arsye ka ardhur nga Zvicra në Kosovë, pasi sipas tij i është mohuar e drejta të votojë përmes postës.

“Po, për atë kemi ardhur prej Zvicrës”. “Një kohë të gjatë jetoj në Zvicër. Aplikuam, na e mohuan, nuk na thirrën as asgjë, u deshtë të vijmë këtu. Presim ndryshim total, sepse qe 21 vjet s’ka kurrfarë perspektive”, tha ai.

Deri të enjten më 11 shkurt, ne Kosovë janë pranuar 14 mijë e 987 pako të votave nga diaspora. Ndërkaq, nga Gjermania në Kosovë të enjten në mbrëmje kanë ardhur gjatë autobusë me mërgimtarë.

Edhe Xhevat Qerimi është mërgimtar nga Gjermania, i cili ka ardhur në vendlindje për të votuar të dielën.

“Patjetër që do të dalim në zgjedhje, po”, tha ai për KALLXO.com.

Ai ka një mesazh për qytetarët e Kosovës.

“Pritjet janë shumë të mëdha këtu në Kosovë, por mendoj që është më mirë që njerëzit të fokusohen në vetveten, të fillojnë vetë të punojnë më shumë e të mos presin edhe aq shumë prej politikanëve, se ata e kryejnë punën e vet, e ne duhet të kryejmë punën tonë”, u shpreh ai.

Zgjedhjet e fundit nacionale në Kosovë, janë mbajtur më 6 tetor të vitit 2019.