Deri më tani janë pranuar 14 mijë e 987 pako të votave nga diaspora

Kryeshefi i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Burim Ahmetaj, në mbledhjen e sotme ka bërë të ditur se deri tash janë pranuar 14 mijë e 987 pako të votave nga diaspora.

Sipas tij, Sekretariati është në procesin e përgatitjeve për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Sekretariati është në procesin e përgatitjeve për organizimin e zgjedhjeve më 14 shkurt. Po vazhdon pranimi i pakove, deri më tani janë pranuar 14 mijë e 987 pako me fletëvotime të supozuara. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me Postën e Kosovës”.

Gjithashtu, Ahmetaj ka bërë të ditur se Sekretariati është duke punuar për trajnimin e trupave zgjedhor dhe deri më tani janë trajnuar mbi 12 mijë anëtarë të këshillave të vendvotimeve.

Kurse anëtari në KQZ nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi ka kërkuar që të publikohet lista përfundimtare e personave të cilëve i është refuzuar aplikimi përmes postës. Ai ka thënë se pas ankesave në PZAP, të publikohet lista e atyre që iu lejohet për të votuar.

“E kam edhe një kërkesë për KQZ-në, që posta të pranohet deri më datën 13 shkurt. Kjo ditë të jetë data kur pranohen fletëvotimet nga jashtë”, ka thënë Kurteshi.