Protestuesit Rrisin Kërkesat

(E plotësuar)

Grupi i Qytetarëve të Organizuar, i përforcuar me shumë nga figurat e jetës publike kosovare dhe protestues në numër më të madh se më parë, edhe në protestën e gjashtë radhazi, të mbajtur të mërkurën, ndaloi së pari para dyerve të ndërtesës ku punon menaxhmenti i KEK-ut.

Aty qytetarët e pakënaqur me fryrjen e faturave të korporatës për muajin janar u ndalën edhe gjatë pesë protestave të mëparshme, prej shkurtit e deri në mars.

Pas disa minutash që kaluan me fishkëllima dhe brohoritje kundër hajnisë, të tubuarit u nisën drejt ndërtesës së Qeverisë, në një marsh protestues që thanë se do të përsëritet çdo javë.

Duke mbajtur një pano të madhe, ku shkruante “Ndale hajninë-zhvilloje shtetin” dhe me parulla tjera më të vogla, të pakënaqurit lëvizën ngadalë nëpër qendër të Prishtinës, duke marrë përgjatë rrugës edhe njerëz tjerë që mendonin njësoj.

Aktorja kosovare me famë ndërkombëtare Arta Dobroshi qëndroi gjatë tërë ecjes në krye të protestës, duke e vlerësuar pjesëmarrjen e saj në marsh si një gjë krejt normale.

“Protesta të tilla organizohen kudo nëpër Europë. Ne jemi ata që duhet ta ndryshojmë gjendjen”, tha Arta Dobroshi.

“Me korrupsion nuk ka Europë. Duam ndalim të korrupsionit dhe zhvillim të shtetit në Kosovë”

Pakënaqësia qytetare me faturat e janarit të lëshuara nga KEK-u, nisi në fillim nëpër rrjetet sociale, për t’u shfaqur pastaj në rrugë, e organizuar me parulla kreative si “Merr kredi për ta paguar rrymën” ose “Kravatat kanë faj”.

Kur protestat kundër faturimit të padrejtë u bënë serike, më 6 mars, Ministria e Zhvillimit Ekonomik njoftoi për suspendimin e katër zyrtarëve të KEK-ut nga distrikti i Prishtinës.

Të njëjtën ditë, organizatorët e protestës së pestë kërkuan dorëheqjen e kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukajt. Gjukaj u përgjigj me fjalët se kush e do dorëheqjen e tij, dëshiron kthimin e gjeneratorëve në Kosovë.

Protestat nuk u ndalën me këto suspendime.

“Me korrupsion nuk ka Europë. Duam ndalim të korrupsionit dhe zhvillim të shtetit në Kosovë”, tha Ilir Deda të mërkurën gjatë marshit protestues.

Kur marshuesit ndaluan para ndërtesës së Qeverisë, protestuesit rritën kërkesat. Ato i artikuloi Ilir Deda.

“Ne sot i kemi këto kërkesa… Arben Gjuka jashtë, Bajram Rexhepi jashtë, Besim Beqaj jashtë… 1 javë ditë me i plotësu”, tha Deda, me arsyetimin se Kosova është më e varfër sot, se para dhjetë vjetësh, më 2003.

Gazeta Jeta në Kosovë kontaktoi KEK-un, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe atë të Punëve të Brendshme, por nuk mori përgjigje për pretendimet e protestuesve gjatë orarit zyrtar të punës në këto institucione.

GAP-i dhe FIQ nga shoqëria civile e Kosovës, në një analizë të tyre të titulluar “Çmimi i Energjisë Elektrike: trendet e ndryshimit dhe ndikimi ekonomik”, botuar të dielen, treguan se kosovarët në bazë të standardit që kanë, paguajnë shumë shtrenjtë energjinë elektrike. 

“Ne sot i kemi këto kërkesa… Arben Gjuka jashtë, Bajram Rexhepi jashtë, Besim Beqaj jashtë… 1 javë ditë me i plotësu”

Analiza zbuloi se ekzistojnë edhe trendet e shtrenjtimit të mëtejmë të rrymës, ndërsa u rekomandoi institucioneve që çmimin e energjisë ta mbajë sa më të ulët, pasi me rritjen e çmimit, rëndohet gjendja ekonomike e qytetarëve.

Pas faturave të fryra të janarit, punëtorët e KEK-ut në terren nuk janë pritur mirë nga qytetarët. Korporata ka njoftuar për 32 raste sulmesh ndaj punëtorëve të saj gjatë muajit shkurt.

Njëzet nga sulmet kanë ndodhur në distriktin e Prishtinës, aty ku faturat e janarit erdhën me çmime enorme.

Zëdhënësja e policisë Flora Ahmeti i ka thënë “Jetës në Kosovë” se në rajonin e Prishtinës është raportuar një sulm ndaj një zyrtari të KEK-ut, më 21 shkurt, ndërsa policia ka ofruar asistencë për punëtorët e korporatës në katër raste.

Në marshin e sotëm protestues, qytetarët kërkuan largimin e orëve digjitale të vendosura së fundi nga KEK-u. Thanë se këto orë nuk punojnë fare me tarifa të lira.

Në radhën e parë të marshuesve u panë edhe shumë opozitarë kosovarë.