Prokuroria Heton Mashtrimin me Derivate

Prokuroria e Qarkut në Prizren ka filluar hetimin ndaj 12 personave, përfshirë punonjës të kësaj prokurorie dhe të dy qendrave të paraburgimit në Prizren e Pejë, të dyshuar për mashtrim, shpërdorim të pozitës zyrtare, vjedhje të rëndë dhe keqpërdorim të besimit.

Hetimet kanë filluar pas dyshimeve të bazuar se kompania “Kastrati Petrol”, e cila sipas kontratës me Ministrinë e Drejtësisë, furnizonte me naftë Prokurorinë e Qarkut në Prizren dhe qendrat e paraburgimit në Prizren dhe në Pejë, ka mashtruar këto institucione në sasinë e furnizimit me derivate.

Gjatë hetimeve është kuptuar se sasia e derivateve të naftës së furnizuar, e cila gjendej në rezervuar nuk korrespondonte me sasinë e naftës së faturuar nga kompania furnizuese.

Nëpërmes një komunikate shtypi, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ka konfirmuar se janë hapur hetimet ndaj A. B. pronar i kompanisë “Kastrati Petrol”, cila ka kontratë me Ministrinë e Drejtësisë që t’i furnizojë me karburante prokuroritë dhe qendrat e paraburgimit. “Ndaj këtij të pandehuri ekziston dyshimi se ka kryer veprën vjedhje e rëndë, nga neni 253 paragrafi 2
lidhur me paragrafin 1 të KPK-së dhe veprën penale të Mashtrimit, nga neni 261 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPK-së”.

Po hetohen edhe Xh. Q. administrator në Prokurorinë e Qarkut në Prizren, M. Z. drejtor i Qendrës së Paraburgimit në Prizren dhe A. R. zëvendësdrejtor në Qendrën e Paraburgimit në Pejë, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare
 
Kurse H. M., S. S. dhe S. U. punëtorë të sigurimit në Prokurorinë e Qarkut në Prizren, E. B., A. K. dhe S. P. zyrtarë korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Prizren dhe A. A. e B. Gj. zyrtarë korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Pejë, dyshohen se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i besimit.

Prokuroria e Qarkut në Prizren, Gjykatës së Qarkut në Prizren, ia ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për të gjithë të dyshuarit.

Gjyqtari i procedurës paraprake, në këtë gjykatë, ia ka shqiptuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh të pandehurit A. B., pronar i kompanisë, ndërsa të gjithë të pandehurve të tjerë u është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

“Hetimi për këtë rast ka filluar pasi që në Prokurorinë e Qarkut në Prizren, më 1 nëntor 2011, është vërejtur mungesa e naftës në rezervarët e kësaj prokurorie. Kompania furnizuese e ka dërguar naftën në këto institucione rreth orës 22 në mbrëmjen e datës 31 tetor 2011”, ka njoftuar Liridonë Kozmaqi, zëdhënëse e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Prokuroria e Qarkut në Prizren menjëherë e ka ftuar Njësitin për krime ekonomike në Policinë e Prizrenit dhe  Inspektoratin në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, të cilët i ka autorizuar të merren me këtë rast.

Pas verifikimit dhe matjes së sasisë së derivateve në të gjithë rezervuarët është vërtetuar se mospërputhja e përgjithshme e shifrave të litrave për naftë në tri lokacione, (në Prokurorinë e Qarkut në Prizren, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren dhe në Qendrën e Paraburgimit në Pejë), është rreth 22 mijë e 700 litra.