Përpjekje për të Prerë Lidhjet e Politikës me Krimin

Pas nënshkrimit të një marrëveshjeje ndërpartiake me ndërmjetësimin e Parlamentit Evropian për dekriminalizimin e politikës në fund të vitit të shkuar, klasa politike shqiptare filloi vitin 2015 me një triller politik të vlefshëm për një film Hollivudi me gangsterë.

Në fillim të marsit, Tom Doshi një biznesmen i kthyer politikan, doli kundër kryetarit të parlamentit Ilir Meta, duke e akuzuar atë se fshihej pas një komploti për ta vrarë atë dhe një deputet të opozitës, Mhill Fufin, ndërsa akuzoi Kryeministrin Edi Rama se ka bërë një sy qorr ndaj atentatit të planifikuar kundër jetës së tyre.

“Edi Rama ka një tutor sot dhe ky është Ilir Meta që ka urdhëruar vrasjen time si dhe të Mhill Fufit,” tha Doshi më 3 mars.

Dy javë më pas deputeti i Partisë Socialiste publikoi një video ku i dyshuari si vrasës rrëfeu dhe dha detaje për atentatin duke thënë se ishte porositur nga Meta, duke e shtyrë Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të nisë një hetim mbi pretendimet.

Një muaj më vonë Doshi së bashku me Mark Frrokun – kreu i Partisë Kristian-Demokrate u arrestuan pasi u akuzuan për dhënie dëshmie të rreme mbi komplotin e pretenduar.

Pasi komploti u zbulua, u bë gjithashtu publike se Frroku,  partia e vogël e të cilit ishte pjesë e koalicionit të Kryeministrit Edi Rama, kërkohej në Belgjikë për akuza vrasjeje. Deputeti shqiptar është akuzuar dhe po gjykohet aktualisht nga Gjykata e Apelit në Bruksel për vrasjen e një emigranti shqiptar në 1999, pas mosmarrëveshjeve përmbi kontrollin e një rrjeti prostitucioni.

Akuzat për tentativë vrasjeje nga Doshi dhe arrestimi i tij së bashku me Frrokun, të cilat dominuan debatin politik në Shqipëri, erdhën në prag të fushatës elektorale të zgjedhjeve lokale të qershorit 2015.

Zgjedhjet ishin të rëndësishme sepse ishin të parat që mbaheshin nën reformën e re territoriale dhe administrative e cila pakësoi numrin e komunave nga 380 në 61. Reforma nënkuptonte se kryebashkiakët që do të zgjidheshin nga votimet do të kishin territore më të mëdha nën kontroll si dhe fuqi administrative më të mëdha.

Zgjedhjet ishin gjithashtu të parat që mbaheshin pas marrëveshjes ndërpartiake të ndërmjetësuar nga anëtarët e Parlamentit Evropian Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein në dhjetor 2014, që kërkoi ndalimin e individëve me të shkuar kriminale nga mbajtja e posteve zyrtare.

Koalicioni i krahut të majtë të kryeministrit Edi Rama dhe demokratët e drejtuar nga kryebashkiaku në largim i Tiranës Lulzim Basha, ranë nën presionin e ShBA-ve dhe BE-së për të mos nominuar kandidatë që kishin të shkuar kriminale në zgjedhje.

Drejtuesja e delegacionit të BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin dhe ambasadori amerikan Donald Lu, bënë vazhdimisht thirrje ndaj dy liderëve politikë që të tërhiqnin nga gara kandidatët me lidhje kriminale.

“Vënia e njerëzve në lista kur ka tregues se ata kanë qenë të përfshirë në aktivitet kriminal, veçanërisht në trafikim droge, trafikim qëniesh njerëzore dhe prostitucion, është mungesë respekti dhe ofenduese për shtetasit – votën e të cilëve kërkojnë partitë,” tha Vlahutin.

Megjithatë, përtej thirrjeve nga ShBA –të dhe BE-ja dhe mohimeve të vazhdueshme nga Rama dhe Basha, një investigim i BIRN-it një javë përpara se shqiptarët të drejtoheshin në kutitë e votimit zbuloi se të paktën tre kandidatë për kryebashkiakë, dy nga koalicioni qeverisës dhe një nga PD-ja në opozitë kishin të shkuar kriminale.

Provat e siguruara nga BIRN-i treguan se dy kandidatët socialistë, Artur Bushi dhe Elvis Rroshi në garë për bashkitë Krujë dhe Kavajë ishin arrestuar për trafikim droge.

Kandidati i PD-së në bashkinë e Këlcyrës, Gentian Muhameti, ndërkohë ishte dënuar për trafikim droge. Megjithatë, PD-ja e tërhoqi Muhametin nga lista e kandidatëve, mesa duket nën presion nga BE-ja dhe ShBA-të.

Ndryshe Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Kavajës Elvis Rroshi u përgjigjën duke kërcënuar të padisnin BIRN-in dhe të gjithë mediat që ripublikonin lajmin dhe kërkuan për kompensim 100,000 euro.

Kërcënimi nuk u materializua kurrë, megjithatë, si Rroshi ashtu dhe Bushi u zgjodhën kryebashkiakë në votime, ndërsa koalicioni i Ramës i udhëhequr nga socialistët siguroi një fitore të thellë kundër demokratëve në opozitë, duke marrë shumicën e bashkive të mëdha, përfshirë kryeqytetin.

Koalicioni i drejtuar prej socialistëve mori  45 nga 61 komuna, 15 shkuan për demokratët e Bashës dhe një për Partinë MEGA të minoritetit grek.

Pavarësisht rezultatit të suksesshëm në zgjedhje, presioni u rrit mbi kryeministrin shqiptar të votojë një ligj të ri që do të ndihmonte në ndërprerjen e lidhjeve mes politikës dhe krimit dhe do të ndalonte njerëzit si Rroshi dhe Bushi të mbanin poste publike.

Më 15 shtator, deputeti socialist Armando Prenga u arrestua pasi u përfshi në një konflikt me armë zjarri dhe u akuzua për armëmbajtje pa leje, plagosje të rëndë pas një grindjeje që la disa njerëz të plagosur.

Në fillim të tetorit deputeti socialist Arben Ndoka, dënimi i të cilit nga një gjykatë italiane për akuzat e trafikimit të qënieve njerëzore kishte dalë në dritë më parë dha dorëheqjen nga parlamenti.

Në nëntor, Frroku gjithashtu u dorëhoq nga parlamenti pasi u akuzua nga prokuria për vrasjen në Belgjikë, si dhe pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Pas grindjeve dhe akuzave mbi nevojën e një testi të drogës për zyrtarët dhe deputetët, në fund të nëntorit socialistët dhe demokratët dhanë konsensus për një ligj që do të ndalojë hyrjen në politikë dhe emërimin në poste publike të njerëzve që janë dënuar për krime serioze.

Përveç deputetëve dhe politikanëve, ligji i ri thotë se zyrtarët qeveritarë, punonjësit civilë dhe anëtarë të ushtrisë dhe policisë do të jenë subjekt i kontrolleve.

Edhe pse ligji u mirëprit nga ShBA-të dhe BE-ja, pak njerëz në Tiranë ranë dakord se masat e reja do të mjaftojnë për të prerë lidhjet mes klasës politike dhe individëve të inkriminuar dhe vetëm koha mund të tregojë nëse do të ketë sukses apo jo.

Marrë nga reporter.al