Përafërsisht 100 të vrarë në përleshjet gjatë natës midis Armenisë dhe Azerbajxhanit

Luftimet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit të hënën mbrëma lanë të vrarë pothuajse 100 ushtarë.

Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan tha se 49 ushtarë të saj vdiqën në përleshjet gjatë natës, ndërsa ministria e mbrojtjes e Azerbajxhanit tha se 50 ushtarë të saj u vranë gjithashtu.

Armenia dhe Azerbejxhani i kanë dy luftëra mes vete dhe kanë parë përleshje të rregullta më të vogla që po zgjasin tri dekada.

Të martën, Rusia tha se ndërmjetësoi një armëpushim lidhur me përleshjet e fundit.

Armenia fillimisht tha se luftimet janë qetësuar, në vend që të përfundojnë plotësisht. Më vonë, Azerbajxhani tha se i ka përfunduar objektivat e tij pas “provokimeve” nga fqinji i tij.

Në thelb të mosmarrëveshjes është rajoni i Nagorno-Karabakut. Ky rajon është, sipas kufijve të njohur ndërkombëtarisht, pjesë e Azerbajxhanit – por është e populluar nga armenë etnikë.

Ndarja kulturore shtrihet përtej politikës në fe, gjithashtu: Armenia është një vend me shumicë të krishterë, ndërsa Azerbajxhani është kryesisht mysliman.

Të dy vendet ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik përpara shpërbërjes së tij në fund të vitit 1991.

Mosmarrëveshja ka çuar në luftë në shkallë të gjerë në vitet 1980 dhe 1990, një luftë gjashtë-javore në vitin 2020 dhe përplasje të vazhdueshme për dekada.

Të dyja vendet e fajësojnë njëra-tjetrën për shpërthimin e fundit të dhunës.

Dhuna vazhdoi të hënën në mbrëmje përpara se Moska të dilte me një deklaratë se e ka negociuar një armëpushim të shpejtë i cili do të hyjë në fuqi herët në mëngjesin e së martës.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka biseduar me presidentin e  Azerbajxhanit, Ilham Aliyev në të njëjtën ditë, duke i kërkuar atij që të “kthehet në respektimin e armëpushimit” me Armeninë.

Luftimet janë dënuar ndërkombëtarisht. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken bëri telefonata personale me liderët e të dy vendeve të martën, duke u kërkuar atyre që ta arrijnë në një zgjidhje paqësore dhe t’i parandalojnë luftimet e mëtejshme.

Rusia është afër Armenisë, por është fuqi e madhe në rajon dhe ruan marrëdhënie me të dyja palët.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se presidenti Vladimir Putin po e merr “personalisht” rolin në ndërmjetësimin e konfliktit.

Turqia, ndërkohë, ka lidhje me Azerbajxhanin dhe me sa duket e ka mbështetur versionin e saj të ngjarjeve. Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, ka deklaruar se Armenia duhet t’i ndalojë provokimet e saj dhe të përqëndrohet në negociatat e paqes”.

Luftimet e së hënës mbrëma besohet të jenë më të këqijat që nga konflikti i vitit 2020, në të cilin u vranë mijëra njerëz. Ajo luftë përfundoi me një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia, përmes së cilës Armenia u pajtua t’i tërhiqte trupat e saj nga zonat e pushtuara rreth Nagorno-Karabakut.

Një forcë paqeruajtëse ruse prej afro 2,000 ushtarësh u vendos në atë zonë si pjesë e negociatave, të cilët janë të stacionuar edhe sot./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala