Azerbejxhan: Pothuajse të gjithë armenët etnikë janë larguar nga rajoni i Nagorno-Karabakh
Qeveria armene thotë se rreth 100,000 armenë etnikë janë larguar që kur Azerbajxhani mori kontrollin e rajonit të Nagorno-Karabakh.
Pothuajse të gjithë armenët etnikë janë larguar nga Nagorno-Karabakh që kur Azerbajxhani sulmoi dhe urdhëroi militantët e rajonit separatist të çarmatoseshin, tha qeveria armene javën e kaluar.
Nazeli Baghdasaryan, sekretarja e shtypit e kryeministrit të Armenisë, Nikol Pashinyan, tha se 100,417 njerëz kanë mbërritur në Armeni nga Nagorno-Karabakh, i cili kishte një popullsi prej rreth 120,000 para se Azerbajxhani ta rimerrte rajonin në një ofensivë javën e kaluar.
Gjithsej, 21,043 automjete kanë kaluar urën Hakari, e cila lidh Armeninë me Nagorno-Karabakun, që nga java e kaluar, deklroi Baghdasaryan. Disa u rreshtuan për ditë të tëra sepse rruga malore në formë gjarpëruese që është rruga e vetme për në Armeni u bllokua.
Largimi i më shumë se 80% të popullsisë së Nagorno-Karabakut ngre pyetje në lidhje me planet e Azerbajxhanit për enklavën që u njoh ndërkombëtarisht si pjesë e territorit të tij. Qeveria separatiste armene etnike e rajonit tha të enjten se do të shpërbëhej deri në fund të vitit pas një përpjekjeje prej tre dekadash për pavarësi.
Pashinyan pretendon se eksodi etnik armen ishte “një akt i drejtpërdrejtë i një spastrimi etnik dhe privimi i njerëzve nga atdheu i tyre”. Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit e kundërshtoi me forcë karakterizimin, duke thënë se migrimi masiv nga banorët e rajonit ishte “vendimi i tyre personal dhe individual dhe nuk ka të bëjë me zhvendosjen e detyruar”.
Gjatë tre dekadave të konfliktit në rajon, Azerbajxhani dhe separatistët e mbështetur nga Armenia e kanë akuzuar njëri-tjetrin për sulme të shënjestëruara, masakra dhe mizori të tjera, duke i lënë njerëzit në të dyja anët thellësisht me plot dyshime dhe të frikësuar.
Ndërkohë që Azerbajxhani është zotuar t’i respektojë të drejtat e armenëve etnikë në Nagorno-Karabakh, shumica po ikin sepse nuk u besojnë autoriteteve të Azerbajxhanit se do t’i trajtojnë ata në mënyrë njerëzore ose t’u garantojnë gjuhën, fenë dhe kulturën e tyre.
Pas gjashtë vitesh luftimesh të cilat përfunduan në vitin 1994 pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Nagorno-Karabaku ra nën kontrollin e forcave etnike armene, të mbështetura nga Armenia. Më pas, gjatë një lufte gjashtë-javore në vitin 2020, Azerbajxhani mori pjesë të rajonit në malet e Kaukazit jugor së bashku me territorin përreth që forcat armene kishin pretenduar më parë.
Në dhjetor, Azerbajxhani e bllokoi korridorin Lachin, e vetmja rrugë që lidh Nagorno-Karabakun me Armeninë, duke e akuzuar qeverinë armene se e përdor atë për dërgesat e paligjshme të armëve për forcat separatiste të rajonit.
Të dobësuar nga bllokada dhe me udhëheqjen e Armenisë që distancohet nga konflikti, forcat etnike armene në rajon ranë dakord t’i dorëzonin armët më pak se 24 orë pasi Azerbajxhani e filloi ofensivën e tij. Bisedimet kanë filluar midis zyrtarëve në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, dhe autoriteteve separatiste të Nagorno-Karabakut për “riintegrimin” e rajonit në Azerbajxhan./The Guardian
Përgatiti: Nui Shala