Takimi i kryeministrit Kurti me kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan, Foto: ZKM

Takimi i parë bilateral mes Kurtit dhe kryeministrit të Armenisë, vend që nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takimin e parë bilateral me kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan, në kuadër të Konferencës së Sigurisë që po mbahet në Mynih të Gjermanisë. Armenia është një nga shtetet që nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti i ka shprehur mirënjohjen kryeministrit Pashinyan në lidhje me qëndrimin e shtetit të tij në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin Europian.

“Në fillim të bisedës, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen ndaj qëndrimit të Armenisë në procesin e anëtarësimit të vendit tonë në Këshillin e Evropës. Ai tha se Republika e Kosovës i ka të përbrendësuara vlerat e Këshillit të Europës dhe se krahas kësaj organizate, synon anëtarësimin edhe në NATO” – thuhet në njoftimin ZKM-së të datës 16.02.2024.

Ndërsa, sipas njoftimit të ZKM-së, kryeministri armen ia ka theksuar Kurtit rëndësinë dhe simbolikën e këtij takimi të parë mes tyre.

“Kryeministri armen theksoi rëndësinë dhe simbolikën e këtij takimi të parë mes dy kryeministrave, shprehu interesim për bashkëpunim ekonomik dhe për mundësitë që ofron Kosova në investime. Në këtë drejtim, mes tjerash, Kryeministri Kurti veçoi sektorin e energjisë” – ka njoftuar ZKM.

Nga ZKM kanë bërë të ditur se kishte interesim dhe gatishmëri reciproke për bashkëpunim në fushën e kulturës, filmit, turizmit dhe edukimit.

Kurti po qëndron në Mynih të Gjermanisë në kuadër të Konferencës së Sigurisë.

Gjatë qëndrimit të tij në Mynih të Gjermanisë, ka zhvilluar një takim bilateral me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis. Ai po ashtu është takuar me kryetarin e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Zhelko Komsh, disa senatorë amerikanë, kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan, Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Europian, Josep Borrell dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe të tjerë.