Dhjetëra të vrarë përgjatë kufirit pranë Nagorno-Karabakut

Ushtarët armenë dhe azerbajxhanas kanë shkëmbyër zjarr artilerie pranë Nagorno-Karabakut, duke shkaktuar frikën e përshkallëzimit të ngjashëm me luftën e vitit 2020. Të dyja palët fajësuan njëra-tjetrën për provokimet fillestare.

Luftimet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit janë ndezur sërish të hënën mbrëma, me të dyja palët që raportuan granatime intensive artilerie.

Rreth mesnatës, forcat e Azerbajxhanit bombarduan trupat armene në tri lokacione përgjatë kufirit. Azerbajxhani tha se po reagonte ndaj një grumbullimi të minave tokësore dhe armëve armene pranë kufirit.

Luftimet u zhvilluan pranë rajonit të Nagorno-Karabakut, një zonë brenda Azerbajxhanit ku separatistët etnikë armenë shpallën një republikë separatiste – e njohur më vonë si Artsakh – në vitin 1991.

Në një konferencë shtypi herët të martën, zëdhënësi armen i mbrojtjes Aram Torosyan ka deklaruar se situata mbetet “jashtëzakonisht e tensionuar” ndërkohë që luftimet vazhdojnë.

Kryeministri armen Nikol Pashinyan deklaroi më vonë në parlament se “Për momentin, ne kemi 49 [trupa] të vrarë dhe për fat të keq kjo nuk është shifra përfundimtare.”

Armenia ka thënë se do t’i apelojë Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) të udhëhequr nga Rusia – një bllok sigurie i ish-shteteve sovjetike – si dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Kryeministri armen Pashinyan ka telefonuar Presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar mbi shpërthimin e dhunës. Ai gjithashtu telefonoi presidentin francez Emmanuel Macron dhe sekretarin amerikan të shtetit Antony Blinken.

SHBA ka bërë thirrje për t’i dhënë fund përleshjeve të armatosura

Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell ka deklaruar se është e domosdoshme që armiqësitë të ndalen dhe të ketë një kthim në tryezën e negociatave”, duke shtuar se një i dërguar i posaçëm i BE-së po ëshë nizur me nxitim në rajonin konfliktuoz.

Turqia, një aleat i ngushtë i Azerbajxhanit, e ka fajësuar Armeninë për shpërthimin e dhunës dhe bëri thirrje për negociata paqeje.

“Armenia duhet t’i ndalojë provokimet e saj dhe të përqëndrohet në negociatat e paqes dhe bashkëpunimin [me] Azerbajxhanin,” shkroi Ministri i Jashtëm Mevlut Cavusoglu në Tëitter.

Enklava etnike armene e Nagorno-Karabakut është vendi i dy luftërave midis Azerbajxhanit dhe Armenisë në dekadat e fundit.

Territori u kontrollua nga separatistët armenë për gati 30 vjet derisa Azerbajxhani rifitoi kontrollin e pjesës më të madhe të territorit pas një lufte gjashtë-javore në vitin 2020 dhe një marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia.

Javën e kaluar, Armenia e akuzoi Azerbajxhanin për vrasjen e një prej ushtarëve të saj në një shkëmbim zjarri në kufi, ndërsa Azerbajxhani gjithashtu e ka akuzuar Armeninë se ka qëlluar ndaj trupave të saj në muajt e fundit.

/Deutsche Welle

Përgatiti: Nuhi Shala