Ish-kryetari i Partisë Demokratike (PD) duke protestuar para selisë së partisë/ Foto: BIRN

Opozita e përçarë shqiptare përballet me katastrofë në zgjedhjet e pjesshme

Ndërsa gjashtë bashki mbajnë zgjedhje të pjesshme këtë të diel, demokratët e opozitës tashmë të ndarë kanë pak shanse për të mposhtur socialistët e Edi Ramës – madje rrezikojnë të përfundojnë në humbëtirë politike.

Mund të ngjajnë si lokale, por rezultati i gjashtë zgjedhjeve vendore të Shqipërisë këtë të dielë do të ketë jehonë përtej kufijve bashkiakë.

Votuesit në bashki do të zgjedhin kryetarë të rinj, pasi zyrtarë të shumtë të zgjedhur në vitin 2019 u detyruan të japin dorëheqjen për akuzat për të kaluar kriminale dhe të tjerë për arsye të ndryshme.

Por zgjedhjet e thirrura nga presidenti Ilir Meta në janar vijnë shumë shpejt për demokratët kryesorë të opozitës së qendrës së djathtë.

Partia tani është e ndarë në dy blloqe, pas përplasjeve të janarit mes kreut aktual, Lulzim Basha, dhe ish-kreut të saj, Sali Berisha.

Ekspertët thonë se ndarja ka dëmtuar reputacionin e partisë dhe ka vënë në rrezik të ardhmen e saj.

Pasja e dy kandidatëve nga çdo fraksion që konkurrojnë për kryetar të secilës bashki do të ngatërrojë votuesit dhe do të ndikojë në besueshmërinë e partisë, thonë ata.

Kjo besueshmëri tashmë ishte dëmtuar pasi partia humbi në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar, për të tretën herë radhazi. Bojkotimi i parlamentit dhe jetës institucionale për dy vjet nuk ka ndihmuar.

Edlira Gjoni, një eksperte komunikimi në Tiranë, tha për BIRN se demokratët po përballen me një tjetër “katastrofë” pasi përçarjet e brendshme i kanë lënë votuesit konfuzë se kush është në të vërtetë në krye.

“Ka një mungesë absolute të qartësisë mes votuesve jo të rregullt të Partisë Demokratike, por që janë përpjekur të kërkojnë një alternativë dhe ndoshta mund ta votojnë atë”, tha Gjoni.

Fundi i luftës shkatërruese për pushtet nuk duket pranë

Lufta për pushtet që vuri përballë ish-kreun e demokratëve Berisha kundër liderit aktual Basha shpërtheu në shtator të vitit të kaluar, kur Berisha, me këshillën e SHBA-së, u pezullua nga grupi parlamentar i partisë.

Beteja u ndez në dhjetor, kur mbështetësit e Berishës brenda partisë fillimisht u përpoqën të shkarkonin Bashën në një kongres të improvizuar partie të mbajtur në një stadium dhe disa javë më pas, kur u përballën me rezistencën e rojeve të partisë dhe policisë, ndërsa përpiqeshin të merrnin selinë e partisë.

Berisha, tani 77 vjeç, ishte presidenti i parë i Shqipërisë i zgjedhur në mënyrë demokratike nga viti 1992 deri në 1997, por sundimi i tij u karakterizua nga shkelje të të drejtave të njeriut dhe manipulime zgjedhjesh.

Ai u rrëzua nga pushteti pasi skemat piramidale mashtruese përlanë qindra miliona euro nga një popullsi e varfër dhe aspak dyshuese – për të cilat qeveria nuk arriti t’i paralajmëronte njerëzit ose t’i mbikëqyrte. Qeverisja e tij përfundoi në protesta dhe trazira publike.

Por Berisha u kthye në pushtet si kryeministër pasi Partia Demokratike fitoi zgjedhjet e përgjithshme në 2005 në një platformë kundër korrupsionit, duke rifituar besimin e njerëzve të zhgënjyer nga vetë qeverisja e korruptuar e Partisë Socialiste.

Mandati i tij në detyrë u shënjua nga disa skandale me anëtarët e familjes së tij, por asnjë akuzë nuk u ngrit.

Berisha humbi zgjedhjet parlamentare të 2013 përballë kreut të Partisë Socialiste Edi Rama dhe dha dorëheqjen si kreu i Partisë Demokratike. Por ai ka mbetur një figurë e fuqishme në parti.

Basha mori masa kundër ish-mentorit të tij pasi Shtetet e Bashkuara e shpallën Berishën “persona non-grata” në maj 2021, duke përmendur përfshirjen e tij në “korrupsion madhor”, “Shpërdorim të fondeve publike” dhe ndërhyrje në “proceset publike”.

Pasi humbën shpresat për të rimarrë kryesinë e partisë, muajin e kaluar Berisha dhe grupi i tij krijuan një koalicion “Shtëpia e Lirisë” me Lëvizjen Socialiste për Integrim, LSI, të drejtuar nga Monika Kryemadhi, bashkëshortja e presidentit Meta.

Koalicioni do të marrë pjesë në garën zgjedhore në të gjashtë bashkitë: Durrës, Lushnje, Shkodër, Dibër, Vorë dhe Rrogozhinë.

Shkodra ka mbetur pa kryetar të ri që nga viti 2019, pasi kryebashkiaku Valdrin Pjetri, nga Partia Socialiste, humbi mandatin për shkak të ligjit që ndalon të ushtrojë detyrën e personave me precedentë penalë. Detyrat e tij janë ushtruar më pas nga kryetarja e mëparshme e bashkisë, Voltana Ademi.

Edhe Vora mbeti pa kryetar bashkie pasi Agim Kajmaku iu nënshtrua të njëjtit ligj “dekriminalizimi”. Në Rrogozhinë ka ndërruar jetë kryebashkiaku Haxhi Memolla. Në Dibër ka dhënë dorëheqjen kryetari i bashkisë, Dionis Imeraj. Edhe Durrësi mbeti pa kryetar bashkie pas dorëheqjes së Valbona Sakos në dhjetor 2019.

Bashkia e fundit e mbetur pa kryetar, Lushnja, humbi kryetarin e saj në korrik të 2021. Fatos Tushe u shkarkua nga kryeministri pas arrestimit për korrupsion nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK.

Meta e mbrojti vonesën e gjatë në shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme, duke thënë se është në pritje të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, të cilat opozita i bojkotoi dhe rezultatet e të cilave ai i kishte anuluar, duke përdorur një dekret të diskutueshëm.

“Demokratët do të dëmtohen nga këto zgjedhje sepse edhe kur ishte një parti, në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, ajo luftoi për të marrë një numër të madh votash… imagjinoni tani që PD-ja është ndarë në dy, tre, sepse ka nga ata të cilët mbështesin Berishën, por nuk mbështesin LSI-në, prandaj edhe janë të përçarë”, tha Gjoni.

Neritan Sejamini, një prezantues televiziv që mbulon çështjet aktuale, tha se “zgjedhjet e pjesshme do të zyrtarizojnë ndarjen e partisë në dy fraksione”.

“Përplasja e brendshme për lidership nuk u zgjidh brenda partisë me votë apo me kompromis politik, ndaj PD-ja mbetet e ndarë dhe në luftë civile”, tha ai.

“Zgjedhjet e 6 marsit po e çojnë konfliktin në krye të PD-së në nivel vendor dhe në anëtarësi. Pas këtyre zgjedhjeve, cilido qoftë rezultati, nuk mendoj se do të ketë vullnet apo mundësi për të synuar bashkimin apo kompromisin”, tha ai për BIRN.

Burimet shtetërore përdoren në veprimtaritë partiake

Gjashtë organizata të shoqërisë civile kanë publikuar ndërkohë një deklaratë të përbashkët për përdorimin e supozuar të paligjshëm të burimeve shtetërore gjatë zgjedhjeve.

Kodi zgjedhor ndalon përdorimin e burimeve shtetërore nga partitë politike gjatë këtyre fushatave. Megjithatë, përdorimi i tyre është përmendur në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e përgjithshme të prillit të vitit të kaluar.

“Me nisjen e fushatës zgjedhore në bashkitë Shkodër, Vorë, Durrës, Dibër, Rrogozhinë dhe Lushnjë, janë zhvilluar një sërë aktivitetesh promovuese të punëve publike dhe investimeve të ndryshme me pjesëmarrjen e anëtarëve të kabinetit të Këshillit të Ministrave dhe liderëve të lartë politikë dhe kandidatëve për kryetar bashkie”, thuhet në deklaratën e përbashkët të gjashtë grupeve.

“I kujtojmë të gjithë zyrtarëve qendrorë dhe lokalë për obligimin e tyre që paraprakisht të raportojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për aktivitetet promovuese në bashkitë e përfshira në zgjedhje. Ky kufizim është një kusht i domosdoshëm për krijimin e kushteve të drejta dhe të barabarta për të gjithë kandidatët dhe subjektet politike pjesëmarrëse në procesin zgjedhor”, thuhet në njoftim.

Instituti për Studime Politike, ISP, një institut kërkimor, tha se po monitoronte përfshirjen e zyrtarëve të deklaruar më parë “persona non-grata” nga SHBA-ja në fushatën zgjedhore.

Një video në mediat lokale tregon se ish-deputeti socialist Tom Doshi është përfshirë aktivisht, duke zhvilluar takime elektorale, për shembull, në Shkodër.

Zëdhënësja e Partisë Demokratike Ina Zhupa deklaroi: “Edi Rama vazhdon të përdorë Tom Doshin për të manipuluar, shantazhuar dhe blerë vota, duke e emëruar de facto shef politik dhe drejtues të fushatës socialiste në Shkodër”.

Fotot e Vangjush Dakos, ish-kryebashkiak socialist i Durrësit për tre mandate, i cilësuar edhe “persona non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, e tregojnë atë teksa mban takime të Partisë Socialiste në Durrës dhe mbështet kandidaten e partisë.

Berisha ndërkohë është përfshirë aktivisht dhe hapur në fushatën për të mbështetur kandidatët e tij të koalicionit “Shtëpia e lirisë”.

ISP-ja e quajti këtë përfshirje një “shenjë negative”.

“Rasti i Berishës lidhet me rolin e tij drejtues në fraksionin e ri që ai drejton, ndërsa Dako nuk ka post zyrtar në PS dhe Doshi nuk është zyrtarisht subjekt elektoral”, theksoi ISP.

“Përfshirja e individëve në listën e zezë të SHBA-së në fushatat zgjedhore është një shenjë negative dhe tregon dështimin e partive politike për të zbatuar standardet etike dhe për të mbajtur premtimet e bëra sipas ligjit 138/2015 (i ashtuquajturi “ligji i dekriminalizimit”) .

“ISP-ja po monitoron fushatën dhe angazhimin e politikanëve në listën e zezë të SHBA-së, duke përgatitur një raport monitorimi pas fushatës zgjedhore,” shtoi ai.

Afrim Krasniqi, një shkencëtar politik që drejton Institutin për Studime Politike, tha për BIRN se nevojiten ligje më të ashpra për financimin e partive politike.

“Si është e mundur që një parti në mandatin e saj të tretë dhe pa një rival të vërtetë opozitar, në pritje të hapjes së negociatave të anëtarësimit me BE-në, duhet të përqafojë logjikën e ‘të fortëve’ dhe grupeve të tyre joformale pas tyre?” tha ai për BIRN.

“Ky është një tregues i thellësisë së korrupsionit politik në partitë tona dhe tregon se konceptet e integritetit dhe dekriminalizimit janë ende të brishta, për sa kohë partitë vazhdojnë të jenë streha kryesore, sponsorizuesi dhe klientët kryesorë të këtyre kategorive njerëzish.

E gjithë kjo nxjerr në pah nevojën e madhe që dekriminalizimi të shoqërohet me një reformë të plotë të ligjit për partitë politike dhe financimin e fushatave elektorale”, përfundoi ai./ Reporteri.al