Olimpiada si Ëndërr për Klubin që Dikur Rriti Kampionë

Boksierët e “Prishtinës” kur garonin me klubin e tyre në ligën e parë të ish-Jugosllavisë gjatë viteve ’70 dhe ’80 të shekullit XX, në ring përveç kundërshtarëve përballeshin edhe me padrejtësitë e referëve.

Kjo kishte shtyrë boksierin Xhevdet Peci që atëherë të deklarojë se prishtinasit mund ta fitojnë “betejën” me ndarësit e drejtësisë në meçe, vetëm nëse përveç shpërndarjes së grushteve në duele, marrin me vete edhe një sëpatë mes katër litarëve.

Megjithatë “Prishtinës” së asaj kohe nuk i munguan sukseset. Ajo në garën elite të ish-shtetit pesë herë doli kampione, gjashtë herë zuri vendin e dytë dhe tri herë të tretin.
Edhe medaljet e boksierëve të këtij klubi në garat mesdhetare, evropiane, botërore dhe olimpiada ishin të shumta.

Por vendi ku u përgatit gjithë ky sukses-objekti ku mblidheshin kryesia dhe boksierët për të ushtruar dhe për t’u marrë vesh rreth dueleve që i prisnin, ndodhet në gjendje të mjerueshme.
Me dyer të mbyllura për shkaqe sigurie, ngase mund të rrëzohet në çdo kohë dhe me mure të çara, ai i ngjan më së paku vendit ku u shkrua me djersë krenaria sportive kosovare.

Objekti duket sikur rastësisht gjatë ushtrimeve është qëlluar nga duart e çelikta të ish-boksierëve dhe ka marrë “tronditje” si ish-kundërshtarët e tyre.

Gjendja e tashme e shtëpisë së tyre sportive nuk i pëlqen boksierit të asaj kohe Aziz Salihu.

“Këtu nuk kemi ushtruar që 10 vjet, hapësira është e rrënuar dhe nuk ka kushte për të ushtruar. Taniedhe është mbyllur, pasi që është objekt i rrezikshëm”, rrëfen Salihu.
Zyrtarë të Komunës së Prishtinës nuk e dinë se çfarë të bëjnë me këtë objekt, pasi thonë se pronësia e tij është e paqartë, ngase klubi nuk ka dokument posedues.

“Objekti i Klubit të Boksit është i paqartë, sepse për t’u shfrytëzuar një objekt duhet të shkojë përmes Kuvendit Komunal dhe një dokument i tillë nuk ekziston. Në anën tjetër gjendja e objektit është shumë e rëndë dhe duhet të bëhet evidentimi i tij dhe të vendoset se a duihet të rrënohet objekti si ka qenë edhe plan me herët, ose çka të bëhet”, shpjegon Saranda Bogujevci, drejtoreshë për Kulturë, Rini e Sport  në pushtetin lokal të kryeqytetit.

Aziz Salihu tregon se si shfrytëzohej ky objekt në të shkuarën.

“Kemi ushtruar në atë kohë, kemi punuar dhe kemi ushtruar. E kemi pasë zyrën aty ku jemi pa të gjithë, e gjithë kryesia, ditë e natë ka qenë dikush aty dhe e kemi pritur të gjithë Evropën aty . E sot nuk muj me e pi një kafe askund, nuk e kam një zyrë me i pritë mysafirët ndërkombëtarë,” shpjegon ndryshimin e kohërave Salihu.

Klubi pa kushte synon namin e dikurshëm

Klubi i Boksit “Prishtina” sot ka njëzet boksierë që në mungesë të objektit të tyre ushtrojnë në sallën e Pallatit të Rinisë vetëm dy orë në ditë, ngase në periudha tjera kohore salla është e zënë nga sportistë dhe aktivitete tjera.

Këta boksierë përveç dy orëve në sallë, ushtrojnë edhe dy orë të tjera në natyrë, ndërsa nuk paguhen për aktivitetet e tyre sportive.

Gjendjen e “Prishtinës” Aziz Salihu e konsideron një turp për institucionet e vendit.

“Klubi i Boksit ‘Prishtina’, është në gjendje aq të tmerrshme sa është marre për qytetin e Prishtinës, si dhe shtetin që e kanë lënë në këtë gjendje, ku ka pasur boksierë të kategorive të ndryshme që kanë sjellë medalje të ndryshme dhe ka qenë një ndër klubet më të mëdha dhe tash me ardhë në këtë gjendje është gjynah”, thotë Salihu.

Kushtet e rënda të ekzistimit i përmend edhe trajneri i “Prishtinës” Agim Tahiraj.

“Në kushtet në të cilat jemi ne sot është e vështirë që të kërkohen rezultate tash, sepse nuk ka kushte, nuk ka sponzorime. Ne që dy vjet të plotë punojmë në mënyrë vullnetare, vetëm për dëshirën e sportit dhe asgjë tjetër, andaj për të pasur suksese dhe të arritura duhet që të krijojmë kushte edhe për sportistë, e edhe për trajnerë që të jenë edhe palestrat më të mira dhe të ketë përkrahje financiare”, shpjegon Tahiraj.

Ai vetë nuk  ka marrë pagë që prej fillimit të viteve 2000, qëkur drejton këtë klub boksi.
Megjithatë, klubi i boksit “Prishtina” edhe tash dhe në këto rrethana i ka sukseset e tij, gjithsesi shumë më modeste se të gjeneratës së dikurshme që konsiderohet e artë.

Malvin Gashi është kampion në nivel vendi në kategorinë e kadetëve prej 69 kilogramësh, në atë të juniorëve me të njëjtën peshë, i pari në Kosovë është Samir Salihoviq, ndërsa në kategorinë e juniorëve deri në 75 kilogramë kampion Kosove është Egzon Shajkovci.

Ushtrojnë me mjetet e ish-kampionëve

Këta të tre dhe të tjerët që ushtrojnë në klub duan edhe vetë t’i arrijnë rezultatet e paraardhësve, por kushtet ua pengojnë ëndrrat.

“Vështirësitë janë shumë të mëdha, nuk kemi kushte për të punuar në sallë as ne, e as trajnerët. Nuk kemi as pajisje dhe as sallë për të ushtruar, na mban gjallë vetëm vullneti dhe besojmë që ka me u bo mirë”, thotë boksieri i “Prishtinës” Malvin Gashi.

Trajneri i tij Tahiraj për ta treguar gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet klubi, njofton se boksierët stërviten me pajisjet që dikur shfrytëzoheshin nga boksierët që lanë gjurmë në arenën ndërkombëtare.

“Këto pajisje janë më të vjetra se 30 vjet,  kanë qenë të ish-klubit. Kur ka qenë Prishtina si klub janë blerë dhe përdoren edhe tani”, tregon Tahiraj.

Edhe pse e kaluara e “Prishtinës” dhe ushtrimi me veglat e ish-kampionëve i frymëzon boksierët e tashëm, Egzon Shajkovci, kampioni i juniorëve kosovarë për peshën deri 75 kilogramë shkuarjen në olimpiadë e sheh të vështirë, gati të pamundshme.

“Me këto kushte në Kosovë, varet edhe prej vullnetit, vetëm se nuk besoj që mund të mbërrij shumë. Për shembull të marrim ndonjë medalje në olimpiadë ose në botëror, me këto kushte jo, vetëm vullneti na mban”, thotë Shajkovci.

Ai tregon se boksit i ka hyrë, ngase ai e bën të ndihet më burrëror, ndërsa për karrierën e derikëtushme është përkrahur financiarisht nga familja.

Edhe trajneri i Shajkovcit dhe të tjerëve, Agim Tahiraj nuk e ka luksin të mendojë për olimpiadën e vitit të ardhshëm që pritet të zhvillohet në Rio de Janeiro.

“Unë kur flas për olimpiadë, flas për vitin 2020 dhe jo në vitin e ardhshëm”, thotë Tahiri.
Ai tregon se përpara për t’u përgatitur për gara të tilla të mëdha, boksierët kosovarë shkonin edhe në Shkup, ose qytete tjera të ish-Jugosllavisë.

Të njëjtën e thotë edhe Aziz Salihu, pjesëmarrës në tri olimpiada dhe fitues i medaljes së bonztë në Lojërat Olimpike “Los Angeles 1984”.

“Në olimpiadë pa kushte nuk mund të shkosh, unë kam qenë tri herë në olimpiadë dhe nga gjashtë muaj e më shumë isha në përgatitje. Olimpiada nuk arrihet lehtë”, shpjegon Salihu.

Ai suksesin e lidh me kushtet që kishin.

“Ka pasur kushte aq të mira dhe për atë ne atëherë kemi pasur suksese”, tregon Salihu.
Trajneri Tahiraj është i bindur se sikur të përkraheshin si dikur, edhe boksierët e tij do të arrinin rezultatet e së kaluarës, ose edhe do t’i tejkalonin ato.

Komuna e Prishtinës në 2014-ën i jep klubit vetëm 1 mijë e 300 euro
Malvin Gashi thotë se përveç sallës, për rezultate më të mira, Komuna e Prishtinës duhet t’ua sigurojë boksierëve të klubit nga kryeqyteti edhe një pagë, ose ndihmë mujore.

Drejtoresha për Kulturë, Rini e Sport në Komunën e Prishtinës Saranda Bogujevci thotë se komuna do të mundohet që sa më shumë t’i përkrahë si sportistët ashtu edhe klubin e boksit, por edhe klubet tjera të cilat kanë sportistë që mund të arrijnë medalje botërore.

“Drejtoria është e interesuar që të kontribuojë dhe të financojë që secili sportist të arrijë deri në olimpiadë dhe t’u ndihmojë sportistëve të kryeqytetit që të arrijnë sa më shumë suksese” zotohet Bogujevci.

Por kjo komunë gjatë 2014-ës e ka ndihmuar klubin e boksit “Prishtina” me një ndihmë prej vetëm 1 mijë e 300 eurosh. Ndihma të ngjashme ky klub ka marrë edhe gjatë viteve të kaluara.

Zyrtarë komunalë të kësaj drejtorie asnjëherë nuk kanë vizituar vndin ku ushtrojnë boksierët e “Prishtinës”, por takimin me përfaqësues të klubit e kanë mbajtur në zyrat e komunës.