Njohësit e sigurisë e shohin problematike konvertimin e targave ilegale në RKS

Policia e Kosovës nga sot kanë filluar që të shqiptojnë fletë-qortime për qytetarët në veri të Kosovës të cilët posedojnë vetura të regjistruara me targa ilegale.

Sic mëson KALLXO.com, tashmë janë shqiptuar disa flet-qortime në pika kufitare për veturat me targa ilegale në bazë të vendimit të fundit të qeverisë.

Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës mori një vendim me të cilin përfshiu një periudhë prej 5 muajsh deri në kohën kur vendosja e tabelave me RSK për veturat që qarkullojnë me targa ilegale do të bëhet e obligueshme.

Fillimisht qeveria vendosi që për 21 ditë të bëhej qortimi i qytetarëve të cilët posedonin vetura me targa ilegale, pas kësaj mase për dy muaj të tjerë do të ketë gjobitje, e më pas targa provuese.

Në fletë-qortimet që do tu shqiptohen qytetarëve me tabela ilegale përmendet edhe fakti se të njëjtit udhëzohen që t’i regjistrojnë veturat e tyre në qendrat e regjistrimit të automjeteve.

Problemi i konvertimit të targave nga ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’, në RKS ende nuk ka kaluar pasi që njohësit e sigurisë vazhdojnë të mendojnë se do të paraqitet prapë.

Kjo pasi që Qeveria e Kosovës më 28 tetor vendosi disa afate që parashohin fillimisht qortimin, gjobitjen, targat provuese e në fund konvertimin e targave në ato RKS për qytetarët të cilët jetojnë në veri të Kosovës.

Masat e fundit të marra në mbledhjen e qeverisë javën e kaluar Kryeministri Albin Kurti i quajti “seriozitet të qeverisë për të zbatuar vendimin”, por edhe pas “ndjeshmërisë së shtuar ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë”.

Që nga dita e sotme deri më 21 nëntor zyrtarët policor do të qortojnë pronarët e automjeteve me targa ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’ që të regjistrojnë veturat e tyre me RKS.

Qortimi parashihet në Ligjin për Kundërvajtje më saktësisht në kapitullin e tretë Neni 27 i cili thotë se qortimi parashihet si mënyrë e përcaktimit dhe shqiptimit të sanksioneve kundërvajtëse.

Sipas ish-drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, tani deputet i PDK-së, zyrtarët policorë që qortojnë apo japin vërejtje për çështje të caktuara, të njëjtat i mbajnë si procesverbal në bllokat e tyre të shënimeve.

Menjëherë pas qortimit, sanksion tjetër është ai i gjobës.

Gjobitja sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës parasheh periudhën 21 nëntor 21 janar konkretisht dy muaj.

Zyrtarët policorë të cilët hasin në veturat me targa ilegale, do t’i gjobisin. Ligji për Rregullat e Trafikut Rrugor, më saktësisht neni 253 parasheh që nëse zyrtari policor has në një veturë të paregjistruar apo nuk ka targa të caktuara të regjistrimit duhet të dënoj vozitësin me gjobë prej 150 eurove.

Pas kalimit të kësaj periudhë, 21 janari deri në 21 mars 2023, sipas vendimit të qeverisë parashihet që të hynë në funksion targat provuese.

Kjo sipas njohësve të fushës mund të prodhoj edhe probleme e tensione.

“Unë e shoh gjithë këtë jo ligjore nuk ka bazë, sepse tabelat ilegale nuk janë të paraparë në Ligjin për rregullimin e Komunikacionit rrugor, ato duhet me u konsulu sipas ligjit, veturat pa regjistrim”- thotë Qalaj.

Qalaj thotë se mund të kenë raste kur veturat janë regjistruar me targa ilegale gjatë muajve prej kur ka nisur fushata vetëdijësuese për regjistrim të veturave me RKS.

“Qeveria u ka dhënë afatin që disa muaj që me i konvertu targat dhe ata nuk e kanë respektu, pra janë pa regjistrim, e ndal një qytetar për shembull me 22 nëntor dhe i shkruan gjobë ai duhet me ia konfisku targat dhe kur të konfiskohen targat, vetura duhet me u largu nga qarkullimi, se është pa tabela, e që unë mendoj që do të shkaktoj telashe pastaj” – shton Qalaj tutje për KALLXO.com.

“Unë mendoj që do të ketë probleme me këto afate, kam ndërmend të kërkoj në pyetje parlamentare ministrit të brendshëm se qysh mendon me implementu këtë çështje duke u bazuar në Ligj”- thotë ai.

Në bazë të Ligjit, Qalaj thotë se e sheh problem “nëse nuk rregullojnë ndonjë akt nënligjor”.

“Për mua është problematike, po flas si njohës i policisë po e shoh të komplikuar këtë çështje”- vazhdoi Qalaj.

Hulumtuesi dhe njohësi i çështjeve që lidhen me sigurinë, Plator Avdiu në një bisedë me KALLXO.com thotë se vendimi i fundit i qeverisë është i ligjshëm.

“Mendoj se qeveria ka marrë vendim në funksion të shmangies së tensioneve dhe duke marrë parasysh tentativën dhe përpjekjen që deshi ta bëj Vuçiq dhe Lista Serbe në takimin e javës së kaluar ku paralajmëruan vendosjen e barrikadave dhe sfidimin e autoriteteve të sigurisë apo vendimin e qeverisë për heqjen e targave ilegale dhe vendosjen e targave të ligjshme të Kosovës. Vendimi si i tillë duhet të shihet në këtë kontekst, në funksion të qetësimit të situatës” – thotë tutje Avdiu.

Ai shton se sa do të jetë i pranueshëm vendimi i qeverisë nga qytetarët serb në veri, mbetet të shihet derisa sheh probleme në zëvendësim të targave, afati i të cilës fillon më 21 janar.

“Problematika kryesore është te zëvendësimi i targave, heqjeve të targave ilegale që qarkullojnë në veri të Kosovës. Kemi parë që numri që i kanë ndërruar është shumë i vogël edhe ata që i kanë ndërruar janë përballë me probleme dhe shantazhe” – thotë në mes tjerash Avdiu.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Policisë së Kosovës në lidhje me vërejtjet dhe qortimet ndaj qytetarëve për regjistrimin e targave dhe nëse në këtë drejtim do të ketë databaze të veçantë, por deri në publikim të këtij shkrimi nuk kemi pranuar përgjigje.

Në një njoftim të dërguar te mediat ata kanë treguar se si do të duket një fletë-qortim i cili do tu shqiptohet qytetarëve të cilët vozisin vetura me targa ilegale.

“Sipas vendimit zyrtar nga data një (1) nëntor 2022, të gjithë pronarëve të mjeteve që qarkullojnë me targa të tilla ilegale në Kosovë, nga Policia e Kosovës do t’iu shqiptohet masa e qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Që nga mesnata sot, ka filluar periudha e qortimit të qytetarëve në veri të Kosovës, në lidhje me regjistrimin e targave nga ato ilegale në ato RKS.

Që nga fundi i shtatorit të vitit të kaluar deri më sot, janë disa raste ku për shkak të targave pati edhe tensione dhe bllokada në veri të Kosovës.

Në shtator të vitit të kaluar për 2 javë lokacione të ndryshme në veri të Kosovës ishin bllokuar nga makineri të shumta e të rënda.

Rrugët kryesore të cilat të dërgojnë në dy pikat kryesore kufitare në atë pjesë Jarinje e Bërnjak ishin bllokuar nga makineritë të cilat u vendosën nga qytetarët serbë lokal në shenjë pakënaqësie për vendimin për reciprocitetini me targa.

Pas këtyre bllokadave erdhi një vendim i cili hyri në fuqi e që veturat e dy shteteve pra Kosovës dhe Serbisë që hyjnë brenda territorit të njëra tjetrës të mbulonin simbolet shtetërore me stikersa.

Në mbledhjen e 29 qershorit të 2022-ës të Qeverisë së vendit, këta të fundit morën vendim që të aplikojnë reciprocitet ndaj qytetarëve të Serbisë, të cilët kur do të hynin në Kosovë do të pajiseshin me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumenteve zyrtare të identifikimit.

Vendimi do të hynte në fuqi më 1 gusht 2022, mirëpo ende pa ardhur mesnata, pra më 31 korrik 2022, mobilizimi i serbëve lokal të veriut të Kosovës veç se kishte filluar.

Alarmi që u lëshua tri herë brenda ditës, 9 barrikadat që u vendosën nga persona të maskuar e vështirë të verifikueshëm, sulmet ndaj qytetarëve që më pas u konfirmuan edhe nga Policia e Kosovës bën që në kryeqytet Qeveria të takohej me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier.

Pas takimit, kryeministri i vendit, Albin Kurti kishte kishte deklaruar se jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit deri më datën 1 shtator 2022.

Ky nuk ishte vendimi i vetëm i Qeverisë së Kurtit që u morr më 29 qershor, e që hyri në fuqi më 1 gusht për tu shtyrë më pas deri më 1 shtator.

Qeveria kishte vendosur po ashtu që pronarët e automjeteve me targat ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’, që janë pajisur nga 10 qershori 1999 e deri më 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i automjeteve me targat RKS.

Zbatimi i këtij vendimi hyri në fuqi më 1 shtator 2022, dhe pritej që të mbaronte më 31 tetor 2022.

Pas kësaj date, pati vazhdimisht video mesazhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurtit dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në të cilat i bëhej thirrje qytetarëve serb të Kosovës që t’i regjistronin veturat e tyre me tabela të Republikës së Kosovës (RKS) nga ato ilegale.

Por, siç duket video mesazhet nuk kanë pasur ndikim, pasi që deri më datën 20 tetor 2022, vetëm 13 vetura janë regjistruar me RKS nga qytetarët serbë.

Javën e kaluar Qeveria e Kosovës mori hapa të tjerë që Kurti i ka quajtur vendim që bënë “sekuencimin dhe shkallëzimin e sanksioneve për targat ilegale”.

Sipas Kurtit, këto masa tregojnë “seriozitetin e qeverisë për ta zbatuar vendimi”, por edhe për, siç e quajti ai, “ndjeshmërinë e shtuar ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë”.

“Ne tregojmë seriozitetin tonë që padyshim ta zbatojmë vendimin tonë, por poashtu t’u japim shanse të gjithë atyre që të integrohen. Kjo është një mënyrë edhe për ta zbatuar ligjin por edhe ta kemi përgjigjen tonë për ndjeshmërinë e shtuar ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë” – tha tutje kryeministri Kurti.