Një test i thjeshtë i syve me Inteligjencë Artificiale mund ta parashikojë me saktësi një sulm fatal në zemër

Sëmundjet e zemrës janë shkaku kryesor i vdekjeve globalisht me rreth 17.9 milionë njerëz që vdesin prej saj çdo vit, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

OBSH thotë se zbulimi i hershëm i sëmundjeve të zemrës – të cilat shpesh çojnë në sulme në zemër – mund t’u japë pacientëve kohë të çmuar për trajtim, gjë që mund të shpëtojë shumë jetë.

Tani studiuesit kanë gjetur se një test i thjeshtë i syve mund të përdoret për t’i diagnostikuar sëmundjet e zemrës me ndihmën e inteligjencës artificiale (AI) dhe mësimit të makinerive.

Hulumtimet e mëparshme kishin hetuar sesi rrjeti i venave dhe arterieve të retinës mund të ofrojë indikacione të hershme të sëmundjeve të zemrës.

Ky hulumtim shqyrtoi se si gjerësia e këtyre enëve të gjakut mund të përdoret për t’i parashikuar sëmundjet e zemrës, por nuk ishte e qartë nëse gjetjet zbatoheshin në mënyrë të barabartë për burrat dhe gratë.

Studiuesit në St George’s, Universiteti i Londrës, përdorën një model të AI për të studiuar një bazë të dhënash të përbërë nga pacientë nga dy studime në Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë, për ta parashikuar rrezikun e ardhshëm të sëmundjeve kardiovaskulare.

Parashikimi i rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare

Studieusit britanikë zhvilluan një algoritëm plotësisht të automatizuar të aktivizuar me AI të quajtur QUARTZ (ose Analizë sasiore e topologjisë dhe madhësisë së enëve të retinës) për ta parashikuar shëndetin kardiovaskular dhe vdekjen nga pamjet e retinës.

Duke përdorur pamje të retinës nga 88,052 pjesëmarrës të Biobank në Mbretërinë e Bashkuar të moshës 40-69 vjeç, QUARTZ fillimisht shikoi në mënyrë specifike gjerësinë, zonën e enëve dhe shkallën e rrotullimit (ose lakimit) të arteriolave dhe venulave në retinë për të zhvilluar modele parashikimi për sulme në tru, sulm në zemër dhe vdekje nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut.

Ata më pas e aplikuan këtë model në pamjet e retinës së 7,411 pjesëmarrësve të moshës 48-92 vjeç nga një studim i dytë nga European Prospective Investigation to Cancer (EPIC)-Norfolk.

Shëndeti i të gjithë pjesëmarrësve u gjurmua për një mesatare prej 7 deri në 9 vjet, gjatë së cilës kohë pati 327 vdekje nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut në mesin e 64,144 pjesëmarrësve të Biobank në Mbretërinë e Bashkuar dhe 201 vdekje nga qarkullimi midis 5,862 pjesëmarrësve EPIC-Norfolk.

Në përgjithësi, këto modele parashikuese – të bazuara në moshë, duhanpirje, historinë mjekësore dhe vaskulaturën e retinës – kapën midis gjysmës dhe dy të tretave të vdekjeve nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut tek ata më të rrezikuar.

Rezultatet e QUARTZ u krahasuan me kornizën Framingham Risk Scores, një mjet që aktualisht përdoret gjerësisht për ta parashikuar rrezikun e sëmundjeve të zemrës, bazuar në të dhënat shëndetësore.

QUARTZ parashikoi rreth 5 për qind më shumë raste të sulmit në tru tek burrat e Biobank në Mbretërinë e Bashkuar dhe 8 për qind më shumë raste te gratë e Biobank në MB sesa korniza e Framingham.

Krahasuar me Framingham, ai parashikoi gjithashtu rreth 3 për qind më shumë raste midis burrave EPIC-Norfolk që ishin më të rrezikuar, por gati 2 për qind më pak raste midis grave EPIC-Norfolk.

Framingham, megjithatë, kapi më shumë raste të sulmeve në zemër në mesin e atyre që janë më të rrezikuar.

Tek meshkujt, gjerësia arteriolare dhe venulare, tortuoziteti dhe variacioni i gjerësisë dolën si parashikues të rëndësishëm të vdekjes nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut.

Tek gratë, zona dhe gjerësia arteriolare dhe venulare dhe tortuoziteti venular dhe variacioni i gjerësisë kontribuan në parashikimin e rrezikut.

Jo invazive dhe plotësisht e automatizuar

Studiuesit thanë se ndërkohë që shtimi i modelimit të skanimit të syve në rezultatet e rrezikut të Framingham kishte vetëm një efekt margjinal në parashikimin e sulmit në tru ose sulmit në zemër, është një procedurë më e thjeshtë, jo invazive pa nevojën për teste gjaku ose matje të presionit të gjakut.

Autorët e studimit shkruajnë se, meqenëse pamjet e retinës janë tashmë praktikë e zakonshme në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA, “parashikimi i rrezikut të vaskulometrisë së aktivizuar me IA është plotësisht i automatizuar, me kosto të ulët, jo invaziv dhe ka potencial për të arritur një përqindje më të lartë të popullata në komunitet për shkak të disponueshmërisë së ‘rrugës së lartë’ dhe për shkak se marrja e mostrave të gjakut ose [matja e presionit të gjakut] nuk janë të nevojshme”.

“Në popullatën e përgjithshme mund të përdoret si një formë pa kontakt të kontrollit sistemik të shëndetit vaskular, për t’i përzgjedhur ata me rrezik mesatar-të lartë të vdekshmërisë qarkulluese për vlerësimin e mëtejshëm të rrezikut klinik dhe ndërhyrjen e duhur”.

Në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, mund të përfshihet në kontrollin shëndetësor të kujdesit parësor Institutit Kombëtar Shëndetësor (NHS) për ata të moshës 41-74 vjeç, sugjeruan studiuesit e lartcekur.

Rezultatet janë publikuar në British Journal of Ophthalmology.

Në një editorial shoqërues, Dr. Ify Mordi dhe Emanuele Trucco nga Universiteti i Dundee, Skoci, shpjeguan se përdorimi i ndryshimeve të enëve të gjakut të retinës për ta informuar rrezikun e përgjithshëm kardiovaskular është “sigurisht tërheqës dhe intuitiv”, por ende nuk është bërë pjesë e rutinës  së praktikës klinike.

“Përdorimi i ekzaminimit të retinës në këtë mënyrë me sa duket do të kërkonte një rritje të konsiderueshme të numrit të okulistëve ose vlerësuesve të trajnuar ndryshe”- shkruan ata.

“Ajo që tani nevojitet është që okulistët, kardiologët, mjekët e kujdesit parësor dhe shkencëtarët kompjuterikë të punojnë së bashku për të hartuar studime për të përcaktuar nëse përdorimi i këtij informacioni e përmirëson rezultatin klinik dhe, nëse po, të punojnë me organet rregullatore, shoqëritë shkencore dhe sistemet e kujdesit shëndetësor për optimizimin e rrjedhave klinike të punës dhe të mundësohet zbatimi praktik në praktikën rutinë”- përfunduan studiuesit studiuesit nga Universiteti i Dundee në Skoci./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala