Pritjet për vaksinim - Tollovia para sallës '1 Tetori' në Prishtinë - 14.05.2021

Qytetari e krahason pritjen për vaksinë me ato për të marrë bukë më 1999 në Bllacë- VIDEO

Me qindra të moshuar janë duke pritur në radhë para sallës “1 tetori” për të marrë vaksinën kundër COVID-19.

Të moshuarit nga komuna e Prishtinës edhe pse kanë bërë termin online janë të detyruar të presin me orë të tëra jashtë sallës së vaksinimit dhe brenda saj.

71 vjeçari Hasan Shala, ka gati tri orë që priste në turmë të madhe njerëzish që të vaksionohej.

“Terminin e kam bërë online e duhet me pritë verifikim e të dhënave njëherë e pastaj kur të lajmërojnë këta. Në ora 07:15 jam këtu me marrë numrin e tash në 09:30 e mora numrin, numri 660. Maltretim me pritë për numër e tash maltretim me pritë për rend me hi me marrë vaksinën… është maltretim i dyfishtë për në të moshuarit se organizmi është amatoresk e i dështuar”, tha 71 vjeçari, i cili priste në rend për vaksinim.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ndërsa Bekim Rexhepi nga Prishtina me orë të tëra priste që të siguonte një numër për nënën e tij 81 vjeçare.

“Kemi ardhë prej orës 8 dhe jemi në pritje dhe po na e kujton si në Ballcë që kemi prit për bukë, por atëherë jemi kanë më të rinj e i kemi përballu senet. E tash pleqtë me pritë me orë të tëra kështu e i kanë dhënë deri në 1000 numra a ma shumë se 400 vaksina nuk po mundem më i dhënë në ditë. Nuk i tregojnë me shku në shtëpi po i lajnë me pritë 12 orë”, tha Bekim Rexhepi i cili priste në radhë nga ora 7 për nënën e tij.

Ndërkaq, për 74 vjeçaren Hidajete Xhemajlin kjo nuk ishte hera e parë që priste në radhë për të siguruar një vaksinë.

 “Po, po mundem me prit. Ka asi që nuk munden se aty edhe disa u rrëzuan. Është problemi se kanë filluar prej 70 vjet e përpjetë. Është bërë tollovi e madhe edhe i prunë krejt komunave. Sot njoftoj që të gjitha komunat janë t’u i marrë vaksinat e tash veç Prishtina i merr e sigurisht që ka me kanë ma mirë”, tha 74 vjeçarja e cila priste që nga ora 8 e mëngjesit.

Njësoj priste edhe 70 vjeçarja Drita Ademi, e cila tha se e ka kryer COVID-19, por për siguri shpreh dëshirën të vaksinohet së bashku me bashkëshortin e saj.

“Prej orës 7 jam t’u prit. Kam vendos me marrë vaksinën e tash duhet me prit. Jo nuk po tutem me pritë në grumbull duhet e pas njëri karakter të fortë”, tha Ademi.

Me 12 maj ka filluar vaksinimi anti-COVID-19 për personat mbi 65 vjeç, me prioritet personat e regjistruar në platformën e- Kosova.

 

Ministria e Shëndetësisë arsyetohet për grumbullimin e qytetarëve te salla “1 Tetori”