Mosnjohja Politike e Diplomave

Mumin Bislimi, profesor në Universitetin e Kumanovës, ka mbaruar studimet dhe magjistraturën në Universitetin e Prishtinës, por nuk ka mundësi që të vazhdojnë studimet e doktoratës në Maqedoni. Diploma e tij e magjistraturës nuk posedon vulën apostile, gjë të cilën e kërkon Ministria e Arsimit e Maqedonisë.

Një problem të tillë e kanë edhe rreth 120 persona të tjetër që kanë diplomuar, por diplomat e tyre ende nuk janë nostrifikuar nga Komisioni për nostrifikim dhe ekuivalentim të diplomave nga shtete e huaja.

“Unë dua të regjistroj studimet e doktoratës, ndërsa afati i fundit për regjistrim është deri më 31 dhjetor 2011”, tregon Bislimi. Nëse nuk regjistrohet, kjo e dëmton shumë në karrierën dhe punën e tij si profesor universiteti.
 
Që nga 1 marsi 2011, Republika e Maqedonisë ka filluar ta zbatojë rregulloren, sipas së cilës, diploma mund të nostrifikohet vetëm me vulë apostile nga shteti që e lëshon diplomën.

Para kësaj date, diplomat janë nostrifikuar vetëm me një vulë dhe nënshkrim të vendosur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës. Ragip Gjoshi, këshilltar politik i ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, thotë se ky është vetëm një veprim me motive politike nga ana e Maqedonisë.

“Ministria e Arsimit e Maqedonisë po merr veprime të motivuara politikisht, që kanë synim vënien e barrierave në sistemin e Bolonjës”, shprehet Gjoshi, për Gazetën JnK.

Ministria e Arsimit dhe e Shkencës e Maqedonisë ka kërkuar një varg dokumentesh për ata që duan të bëjnë nostrifikimin e diplomave, shumica prej të cilave konsiderohen të panevojshme nga këshilltari në Ministrinë kosovare.

Dokumentet e kërkuara:
Diploma origjinale e ciklit të parë të studimeve (me vulë apostile);
Fotokopja e diplomës së ciklit të parë (një kopje të noterizuar);
Përkthimi i diplomës së ciklit të parë në gjuhën maqedonase (një kopje e noterizuar);
Transkripti origjinal (vërtetim i notave) ose shtesë e diplomës (një kopje e noterizuar);
Fotokopje e transkriptës ose shtesës së diplomës (një kopje e noterizuar);
Përkthimi i transkriptës ose shtesës së diplomës në gjuhën maqedonase (një kopje e noterizuar);
Indeksi origjinal;
Fotokopje e diplomës së shkollimit paraprak (shkollës së mesme);
Një kopje e noterizuar, nëse shkollimi i mesëm është kryer jashtë vendit (kandidati duhet të dorëzojë dëshmi për nostrifikim nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës);
Vërtetim lëshuar nga institucionet që e kanë dhënë diplomën për validitetin e të njëjtës;
Vërtetim për akreditim të institucioneve që e kanë dhënë diplomën, lëshuar nga organet kompetente për akreditim në shtetin amë;
Planprogrami studimor për kohën e studimeve;
Fotokopja e letërnjoftimit ose pasaportës;
Kërkesë për nostrifikim (plotësimi në gjuhën maqedone);
Fletëpagesë në vlerë 250 denarë;
Fletëpagesë në vlerë 4500 denarë dhe
Dokumente të tjera, të cilat komisioni do t’i vlerësojë se janë “të nevojshme”, të cilat janë të ndërlidhura me nostrifikim.
 
Ministri kosovar i Arsimit, Ramë Buja, ka zhvilluar ditë më parë, një takim, me zëvendësministrin e Arsimit të Maqedonisë, Safet Neziri, nga i cili ka marrë premtime se së shpejti pritet zgjedhja e problemit për nostrifikimin e diplomave të studentëve që përfundojnë studimet në Universitetin e Prishtinë dhe që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në Maqedoni.