Mjedisi nuk është peisazh

Ajrin që e kemi frymë, ujin që e kemi jetë, biodiversitetin që e kemi burim, qetësinë që e kemi shëndet, pemët që i kemi fllad, netët që i kemi melatonin, dheun që e kemi ushqim, gjelbërimin që e kemi shërim, të gjitha këto nuk janë estetikë, pamje, bukuri. Të gjitha këto janë rritje, mirëqenie dhe identitet. Janë ne, sikurse që ne jemi ato.

Pse qeveritarëve dhe politikanëve tanë nuk u bëhet vonë numri i të vdekurve, është mister. Pse në analizën e përfitimit të kostos ata nuk e llogarisin vlerën e jetës, është pakujdesi. Politikat e tyre të energjisë janë primitive dhe kundërproduktive. Na humbin shumë kohë dhe para.

Kuvendi i Kosovës nuk i respekton as rezolutat e veta.

Shembull, Neni 3 i rezolutës së shkurtit 2018 me Nr. 06-R-002, detyron me ligj vendosjen e elektro-filtrave cilësorë në termocentralet e KEK-ut, jo më vonë se fundi i vitit kalendarik 2018. Tash jemi në fund të vitit kalendarik 2019.

Pse qeveritarët dhe politikanët tanë kanë dështuar në ngritjen e mirëqenies, mbrojtjen e shëndetit njerëzor dhe ruajtjen e mjedisit, është mister. Pse paqja dhe stabiliteti nuk përputhen me numrat, është fakt. Nga helmueshmëria e ajrit janë vrarë më shumë njerëz në paqe, sesa nga Serbia në luftë. Në një vend të vogël me vetëm 1.8 milion banorë, ajri helmues vazhdon t’i vrasë nga 2 qytetarë në ditë. Ngadalë a shpejtë, me zhvillim ekonomik a urrejtje etnike, heshtje a zhurmë, paqe a luftë, jeta është jetë.

Pse krimi ndaj njeriut mund të ketë hierarki, është mister. Problemi mjedisor nuk është problem natyror ose ekonomik, është problem qeverisje! Për t’i bërë bisht llogaridhënies dhe për t’i dhënë mbështetje identitetit shtetëror në kurriz të qytetarëve, qeveritë e Kosovës vazhdojnë të rrinë të fshehura nën fustanin e Serbisë. Viktimat e luftës dhe heronj të vdekur vazhdojnë të përdoren për ta shpërlarë korrupsionin dhe krimin.

Pse askush nga klasa politike ende nuk ka dhënë llogari para ligjit, nuk është mister. Ky shtet nuk është shtet, por reket. Ekzekutivi ynë ka qenë njëkohësisht edhe makinacion i korrupsionit të ligjshëm edhe pengesë e sundit të ligjit. Nga ministritë fantazma, deri te policia e zbatimit selektiv, këta sharlatanë dhe këto qeveri të degjeneruara kanë qenë shpenzim i kotë i parasë publike.

Kosova është vendi më i helmuar në Evropë me grimcat mikroskopike të madhësisë 2.5 mikrona të njohura si “PM2.5”. Dmth, me tymin e djegies së qymyrit dhe naftës. Këto grimca janë shkaku numër një i sulmeve në zemër në Kosovë. Janë biznes i mirë vetëm për industrinë e stentave, barnatoreve, klinikave private dhe shërbimeve funerale. Por ekonomia e vendit nuk mund të mbështetet në një industri të vogël dhe oportuniste të vdekjes. Një  termocentral i ri nuk u përkrah nga kreditorët e Bankës Botërore pikërisht sepse do ta varfëronte Kosovën edhe më shumë. Sepse varfërimi edhe më i madh i 600,000 mijë banorëve që zyrtarisht jetojnë në varfëri do ta rrëzonte qëllimin e tij. Sepse ndotja e ajrit i kushton Kosovës rreth 200 milionë euro në vit, ose 20 spitale me kapacitete moderne në vit.

Kur kallim qymyr – ai liron zhivë dhe helme tjera – arsenik, plumb, nikel, krom dhe gazëra acidike. Zhiva i degjeneron nervat dhe i kufizon aftësitë për të gjykuar drejt. Dhuna dhe ndotja e ajrit janë të ndërvarura. Kur rritet ndotja, rritet krimi. Jeta në ajër të ndotur deri në moshën 12 vjeçare i katërfishon shancat për t’u sëmurë me depresion në moshën 18 vjeçare.  90% e sëmundjeve dhe vdekjeve nga ndotja e ajrit ndodhin nëpër vendet e varfëra si Kosova.

Tymi i dizelit/naftës, ose C10H20-28, njëfarë parafini i atomeve të karbonit, të qullosura me hidrogjen, liron oksid të nitrogjenit (NOx). Sjell astmën te femijët, bronkitin dhe inflamacionin sistemik te të rriturit. Krijon kancer në mushkëri dhe në fshikëz. I shumëfishon shancat në shtatëzani të hershme për defekte serioze te beba. Për abort spontan dhe fibroide në mitër.

Derisa MSh (Ministria e Shëndetësisë), MZhE (Ministria e Zhvillimit Ekonomik), MMPH (Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor) MIT (Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës), MIE (Ministria e Integrimit Evropian) dhe MPB (Ministria e Punëve të Brendshme) dhe MBPZhR (Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural) nuk janë të gjitha së bashku llogaridhënëse për shkatërrimin e mjedisit dhe ndotjes së tij, ne nuk mund të presim zgjidhje dhe ndryshim. Gjithashtu, kjo nuk nënkupton që autoritetet lokale, komunat, si dhe gjyqësori me prokuroritë mund të lirohen dhe amnistohen nga përgjegjësia karshi ligjit.

E vetmja përgjigje me përgjegjësi demokratike mund të jetë shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme këtë dimër nga Kryeministria e ardhshme. Politikat e ajrit duhet t’i tejkalojnë manifestat politike. Veprimet ndërpartiake dhe bindja duhet të bëhen të ndëshkueshme me ligj.

Zbatimi i rreptë i ligjit në fuqi i cili e ndalon djegien e qymyrit në kryeqytet dhe thirrja në llogaridhënie e agjencive dhe personave prapa këtyre agjencive që nuk e kanë bërë deri më tash. Ndalimi i menjëhershëm i automjeteve brenda perimetrit qendror 4 kilometërsh në qendër të Prishtinës. Fillimi i menjëhershëm i përpilimit të planit për instalimin e transportit publik me zero ndotje brenda perimetrit qendror. Fillimi i planit për ndërtime të parkingjeve për automjete të banorëve të perimetrit qendror. Ndërprerja e regjistrimit të makinave që nuk i përmbushin standardet evropiane te nxjerrjes së gazërave të makinave. Ngritja e taksës mjedisore per automjetet dizel. Ndalimi me ligj i mbajtjes së makinës së ndezur kur ajo nuk është në lëvizje.

Të bëhet ligji që e ndalon ndërtimin e termocentralit me qymyr, publik apo privat. Të bëhet mbyllja e Kosovës A dhe ripajisja provizionale e Kosovës B, jo më vonë se 2020. Të niset plani për investime kapitale dhe lëshim të licencave të teknologjisë së gjelbër për energji të pastër, sipas fizibilitetit mjedisor rajonal për energji të ripërtrishme. Të mbyllet Kosova B jo më vonë se 2025. Të themelohet agjencia për decentralizim të energjisë. Të nisen bisedimet për tub eventual të furnizimit me gaz natyral nga Shqipëria. Të bëhet prokurimi i energjisë shtesë nga vendet e rajonit dhe subvencionimi i ekonomive që tranzicionojnë në teknologji të gjelbër. Të ndalohet me ligj menjëherë përdorimi i energjisë jo të pastër për shenjat e marketingut, bilbordeve dhe reklamave.

Të themelohet ministria e menaxhimit të mbeturinave shtëpiake dhe industriale. Të zbatohet ligji në fuqi që ndalon asgjësimi e bërllokut me anë të djegies nëpër fshatrat e Kosovës. Të mbahen përgjegjëse para ligjit autoritetet përkatëse të largimit të borllogut, në mënyrë që të legjitimohet zbatimi i këtij ligji.

Të fillojë menjëherë hartimi i planit për pastrimin gjeneral të mbeturinave nga fabrikat, minierat dhe shkritoret ekzistuese në Kosovë në bashkëpunim me ekipet nga BE. Të angazhohen ekipet specialiste nga BE për heqjen dhe asgjësimin e çative të asbestit. Të mbyllet gropa e mbeturinave të asbestit në Han të Elezit. Të groposet pluhuri i hekurit në pronën industriale të Ferronikelit në Drenas, minimum dhjetë centimetra nën tokë sipas standardeve ndërkombëtare.

Të ndjeken penalisht të gjitha industritë që me apo pa qëllim, direkt ose indirekt, në parim dhe në substancë, i hedhin mbetjet industriale nëpër ujërat e Kosovës dhe mjediset nga ku mund të ndoten ujërat e Kosovës. Të fillojë pastrimi i lumenjëve dhe të angazhohen rojtarët e lumenjve. Të bëhet monitorimi rutinorë i cilësisë së ujërave.

Gjysma e territorit të Kosovës është hapësirë pyjore. Të krijohet policia e pyjeve me kompetenca për ta zbatuar ligjin dhe për t’i ndjekur ata që i prejnë ato. Të ndalet menjëherë privatizimi i pyjeve dhe të regullohet me ligj sasia e prerjes karshi pronarëve të pyjeve. Të pyllëzohen të gjitha hapësirat në pronë publike që janë të pashfrytëzuara për bujqësi dhe blegtori.

Të ndalohet dhe të ndërpritet djegja e qymyrit linjit në mënyrë formale dhe joformale në të gjitha lagjet, fshatrat dhe qytetet e Kosovës. Të krijohet Ministria e Energjisë së Pastër.

T’i merren AKP-së të gjitha kompetencat mbi menaxhimin dhe likuidimin e pronës së (ashtuquajtur) shoqërore që është tokë fushore, pyjore dhe urbane e pandërtuar. Të hetohet Agjencia e Pyjeve dhe të ndjeken penalisht zyrtarët e saj që me paramendim dhe neglizhencë kanë nxitur dhe lejuar shpyllëzimin ilegal në Kosovë.

Sipas OBSH-së, zhurma është një kërcënim i nënvlerësuar që shkakton çrregullim të gjumit, probleme kardiovaskulare dhe rezultate të dobëta shkollore. Të monitorohet dhe rregullohet me ligj zhurma në qytetet e Kosovës. Të ndalohet rreptësisht përdorimi i sirenave në komunikacion përveç në raste kur mund të rrezikohet jeta e qytetarit. Të ndalohet rreptësisht me ligj ndërtimi dhe mjeshtrimi në vendbanime të përbashkëta përgjatë javës nga ora 18:00 deri 10:00, ndërsa nga e premtja deri të hënën, tërësisht.

Të rritet policia dhe të trajnohen njësitet e specializuara që do të merren me mbrojtjen e mjedisit dhe zbatimin e ligjeve përkatëse.

Pse Kosova është bërë bashqe e Presidencës, Presidenca bashqe e presidentit dhe Legjislativi teatër i hijeve, është mister. Në një vend të fiseve dhe klaneve, vendi ynë vazhdon të jetë plaçkë lufte. Njëherë u vodhën votat për t’u vjedhë paratë nga thesari. Pastaj u ble heshtja dhe u përdhos mjedisi. Kuvendi e ka humbur respektin e popullit. Legjitimiteti i ekzistencës së shtetit mbështetet mbi ata që ky shtet i sundon me rrogë: 50%-shi i të punësuarve në Kosovë. Fuqia punëtore e një ekonomie kanibale.

Se shteti ynë është “tregim suksesi” askush s’e beson këtë pallavër. Populli ynë u bë peng i mbështetjes së elitave kriminele të pasluftës nga shtetet e Kuintit – për hir të stabilitetit rajonal. Janë të njëjtat shtete që sot thërrasin për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë. Por, tash është vonë.