Ministria Parasheh Djegien e Thëngjillit Nën Tokë

Draft-strategjia minerare e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, MZHE, është në shqyrtim e sipër në Kuvendin e Kosovës dhe ajo llogaritet bazë për hartimin e Planit të Menaxhimit të Resurseve Minerale në Kosovë.

Sipas draft-strategjisë, resurset e vlerësuara të thëngjillit në gjithë Kosovën janë 12.5 miliardë tonë, prej të cilave 8.6 miliardë tonë janë rezerva të shfrytëzueshme – që nga aspekti ekonomik konsiderohen me leverdi për tu shfrytëzuar. Të dhënat janë nga hulumtimi i Institutit Inkos të vitit 2007.

Rreth 97 për qind e prodhimit total të energjisë elektrike në Kosovë vjen nga djegia e qymyri (linjitit).

Mirëpo, kohë më parë kompania Envidity, me udhëheqës Wesley Clark, gjeneralin amerikan që udhëhoqi fushatën e NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999, ka kërkuar nga MZHE licencë hulumtimi.

Me këtë licencë, Envidity planifikon të kryejë hulumtime në basenin e Dukagjinit, për të parë se sa resurse të reja të thëngjillit ekzistojnë thellë në tokë.

Duke përdorur teknika pak të njohura – proceset e Gazifikimit Nëntokësor të Thëngjillit dhe Gazit të Kthyer në Lëng – firma shpreson se do të prodhojë deri në 100,000 barelë të naftës në ditë, ose 15 milionë litra.

Ky operacion në Kosovë do të ishte më i madhi i këtij lloji në botë, dhe sipas Envidity, do të investohen 8 miliardë dollarë amerikanë në Kosovë.

Firma po ashtu thotë se do ta bëjë Kosovën të pavarur në naftë dhe lëndë djegëse për aviacion përbrenda 6 e deri në 7 vitesh.

Lënda djegëse sintetike – nafta dhe vajguri – mund të përdoren për të krijuar rrymë, plehra dhe në prodhim të plastikës. Lënda djegëse po ashtu është testuar me sukses nga Forcat Ajrore të SHBA-së për të ndezur aeroplanët luftarakë.

Kompania ende nuk është pajisur me këtë licencë pasi që sipas ligjit kosovar për miniera dhe minerale, licencat që kanë të bëjnë me mineralet energjetike do të jepen vetëm pas ushtrimit të një procesi të hapur, transparent dhe konkurrues të tenderimit.

“Në draft-strategjinë tonë është paraparë edhe kimizimi i thëngjillit”. Luan Morina

Luan Morina, udhëheqës i departamentit për energji dhe miniera, pohon se ka dëgjuar për këtë projekt dhe thekson se edhe draft strategjia minerare e MZHE-së parasheh një gjë të tillë.

“Në draft-strategjinë tonë është paraparë edhe kimizimi i thëngjillit. Mirëpo, këto janë çështje të komisionit për miniera dhe minerale”, tha Morina.

Për këtë proces, ish-anëtari i bordit në KPMM, Zenun Elezaj, tani profesor në Fakultetin e Metalurgjisë në Prishtinë, thekson se qeveria e Kosovës duhet të hulumtojë edhe disa zona tjera për të ditur saktësisht se sa thëngjill ekziston.

“Ajo që është e nevojshme është që Qeveria e Kosovës duhet të identifikojë sektorët e vendburimit të linjitit të cilat i plotësojnë kushtet për përdorimin e kësaj metode”, tha Elezaj.

Hulumtimet nga ana e MZHE-së

Gjatë javës së parë të korrikut, MZHE do të fillojë të bëjë hulumtimin e thëngjillit në pellgun qymyrmbajtës në basenin e Dukagjinit.

Kompania fituese e tenderit, Consulting MM do të kryejë hulumtimin në basenin e Dukagjinit, me çmim prej 82.500 euro. Ndërsa, në pellgun qymyrmbajtës të Drenicës, hulumtimet do t’i kryejë Dataconsulting dhe Intershped, me çmim prej 49.150 euro.

MZHE thekson se ekzistojnë të dhëna preliminare për këto basene por që hulumtimet gjeologjike shtesë në këto basene, janë të nevojshme.

Rezervat e vlerësuara të thëngjillit në basenin e Dukagjinit janë afër 3 miliard tonë ndërsa në basenin e Drenicës, vlerësohet se janë rreth 90 milionë tonë.

Për basenin e Dukagjinit theksohet se mungojnë aktivitetet minerare dhe do të duhej një analizë më e thelluar për zhvillimin e këtyre aktiviteteve.

“Ajo që është e nevojshme është që Qeveria e Kosovës duhet të identifikojë sektorët e vendburimit të linjitit”. Zenun Elezaj

“Realizimi i këtij studimi është për një vit ndërsa në dhjetor të këtij viti presim inputet e para nga kompania”, Luan Morina, udhëheqës i departamentit për energji dhe miniera, i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Studimet e fizibilitetit për këto pellgje mëtojnë të nxjerrin shifra sa më të sakta për rezervarët e thëngjillit në këto zona.

Këto të dhëna, po ashtu do të shërbejnë për t’iu paraqitur investitorëve të huaj në tetor kur ministria planifikon të organizojë konferencën për energji, në sektorin minerar.

Morina thekson se për basenin e Drenicës janë kryer disa studime më herët dhe diku rreth 100 milionë tonë thëngjill gjenden në këtë zonë.

“Këtu janë dy fusha, ajo e Skenderajt dhe e Drenasit, ku te kjo e fundit thëngjilli shfrytëzohet për qëllime komerciale”, tha Morina.