Pas marrëveshjes së Trump për Kosovën dhe Serbinë, tash radhën e ka Brukseli

Përmes rolit amerikan për t’i bashkuar të dy palët, për momentin, topi tani i lihet Brukselit që t’i japë epilog këtij procesi. Pyetja që pret të marrë një përgjigjie është, a do të jetë në gjendje për një gjë të tillë.

 

Një marrëveshje e paqes ndërmjet Serbisë dhe Brukselit e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara ishte “çështje debati” për, pothuajse, dy vjet.

Përshtypja e krijuar ofronte ndjesinë që palët mund të shënon progres thelbësor, që do t’i jepte fund dekadave të marrëdhënieve të tensionuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që nga lufta e vitit 1999.

Kjo marrëveshje madje u duk edhe më afërt kur Shtëpia e Bardhë emëroi Ambasadorin e SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell, si të dërguarin e saj të posaçëm për bisedimet e paqes.

Përball procesit të lehtësuar nga BE që ka si synim normalizimin e marrëdhënieve, i cili  ende mbetet i paqartë, pozicioni i SHBA ishte i qartë dhe i guximshëm; objektivi ishte njohja reciproke midis palëve.

Por me kalimin e kohës, retorika rreth procesit filloi të pësonte ndryshime. Përmbyllja e procesit me njohje reciproke u shndërrua në një qëllim më të vogël – atë të  arritjes së normalizimit ekonomik si një hap i ndërmjetëm drejt një marrëveshje përfundimtare ligjërisht të detyrueshme në të cilën do të angazhohej edhe BE.

Sidoqoftë, vendosmëria e SHBA për të arritur një marrëveshje midis palëve mbeti e palëkundur. Ajo ndikoi në jetën e dy qeverive të njëpasnjëshme në Kosovë.

Serbia refuzonte të ulej në të njëjtën tavolinë me Kosovën para se kjo e fundit t’i hiqte masat e saj, që nënkupton tarifën 100 për qind të importeve nga Serbia dhe, më vonë, masat e reciprocitetit. Andaj, me formimin e qeverisë së re e cila e zëvendësoi qeverinë 52-ditore të udhëhequr nga Albin Kurti, i cili kishte refuzuar t’i largonte masat e reciprocitetit, u konsiderua se tashmë kishte ardhur momenti i shumëpritur për të realizuar udhëtimin e përbashkët në Shtëpinë e Bardhë.  Njoftimi nga Dhomat e Specializuara në Hagë se një padi për krime lufte do të ngrihej kundër Presidentit, Hashim Thaçi, dhe udhëheqësit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, e ndaloi takimin e qershorit, duke e shtyrë për në fillim të shtatorit.

Më në fund, Kosova dhe Serbia u bënë palë nënshkruese në marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë. E gjitha kjo ndodhi në prani të Presidentit Donald Trump, i cili ishte dëshmitar sesi secila palë nënshkroi dokumente individuale mbi normalizimin ekonomik ndërkohë që ai vet po nënshkruante për ta letra të urimit.

Marrëveshja u përshëndet si “historike” nga SH.B.A. Presidenti Trump deklaroi se i të dy vendet lëvizen nga një situatë me “shumë konflikte” në një me “shumë dashuri”.

Edhe pse “lënia anash e politikës dhe fokusimi në ekonomi” u bë motoja e këtij  procesi të udhëhequr nga SHBA-të, marrëveshja, në fakt, reflekton një dokument hibrid. Në përbërje të saj reflektohet çështje të interesit lokal të të dyja palët por edhe çështje të interesit global të konsideruara si të rëndësishme për SH.B.A-të.

Ashtu siç pritej, dispozitat që kishin të bënin me çështjet ekonomike përfshinin angazhimet e arritura tashmë në të kaluarën, përmes Letrave të Zotimeve të ndërmjetësuara nga Grenell. Efektet e të cilave do të shihen nëse dhe kur ato të implementohen, duke u paraqitur edhe si mundësi për bashkëpunim e zhvillim rajonal.

Ndërsa zotimet e tjera në këtë fushë, si “diversifikimin e energjisë” dhe “projektet shtesë dypalëshe”, janë të papërcaktuara – se çfarë nënkuptojnë ato në të vërtetë dhe se si do të operacionalizohen.

Marrëveshjet e nënshkruara më parë nën procesin teknik të udhëhequr nga BE, megjithëse ende të pazbatueshme, të tilla si njohja reciproke e diplomave të arsimit të lartë dhe çertifikatave profesionale dhe menaxhimi i integruar i kufijve, gjithashtu u bënë pjesë e marrëveshjes.

Njëjtë sikurse edhe me një Studim të Fizibilitetit për përdorimin e përbashkët të Liqenit të Ujmanit, zotimi për të rritur bashkëpunimin për personat e zhdukur, refugjatët dhe personat e zhvendosur, si dhe një dispozitë për mbrojtjen e lirive fetare, e lidhur me një çështje të veçantë që ka të bëj me kishën ortodokse serbe në Kosovë.

Këto çështje sigurisht që do të vazhdojnë të jenë pjesë e diskutimeve edhe nën procesin e lehtësuar nga BE, dhe mbi të cilin palët nuk ka të ngjarë të jenë aq konstruktive dhe të hapura. Patjetër që mund të pritet që ato të vazhdojnë të mbajnë pikëpamje të kundërta, pavarësisht nga zotimi i tyre i shprehur me këtë marrëveshje.

Por elementi që shkaktoi befasi të kjo marrëveshje ishte mënyra si ajo u projektua brenda një fushe më të gjerë të agjendës së politikës së jashtme të Amerikës.

Njohja e Kosovës nga Izraeli e përfshirë në dokumentin e nënshkruar nga Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përben një hap me rëndësi për Kosovën. Ndërkohë, në dokumentin e nënshkruar nga Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, Serbia u zotua për ta zhvendosur ambasadën e saj në Jeruzalem deri më 1 korrik 2021.

Bashkarisht, të dyja palët u zotuan ta klasifikojnë Hezbollahun si një organizatë terroriste.

Këto dispozita, ndërlidhen me procesin e normalizimit midis dy vendeve evropiane me atë të Lindjes së Mesme – veçanërisht kur Kosova u etiketua si një “vend me shumicë myslimane” pavarësisht se Kosova është shtet sekular, e poashtu edhe me Jeruzalemin, duke e bërë pjesë të bisedës.

Çështje të tjera të politikës së jashtme të SHBA, si përdorimi i pajisjeve 5G, u përfshinë gjithashtu; targetimi i “operatorëve të dyshimtë” – një referencë e qartë për kompanitë kineze si Huaëei – u bënë pjesë e kësaj marrëveshjeje. E tillë u bë edhe çështja e dekriminalizimit të homoseksualitetit.

Ndërkohë që publiku është i ndarë midis atyre që e shohin marrëveshjen si një hap të madh drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe të tjerëve, pritjet e të cilëve ishin shumë më të mëdha, fakt mbetet se palët janë zotuar të bashkëpunojnë për çështje ekonomike përmes të cilit do të mund të përfitojë edhe rajoni i gjërë.

Mirëpo, krahas shprehjes së një sërë zotimesh, të cilat nuk u dakorduan t’i nënshkruajnë në një dokument të vetëm, diskutimi rreth vet karakterit ligjor të këtyre dokumenteve mbetet i hapur.

Marrëveshja ka krijuar implikime përtej marrëdhënieve të ngushta të synuara midis Kosovës dhe Serbisë. Në të vërtetë, ka goditur nga pak në të gjitha marrëdhëniet e Serbisë – e cila prej sa kohësh tashmë qëndron me një këmbë në Lindje dhe një tjetër në Perëndim, duke ndikuar në marrëdhëniet e saj me Rusinë, Kinën, vendet arabe dhe BE-në.

Në anën tjetër, kjo marrëveshje e ka lënë Kosovën përsëri në pozicionin e që duhet të zgjedh se ku do të rreshtohet, në anën e politikës së jashtme të SHBA-ve apo atë BE-së. Kjo pavarësisht faktit që vet BE nuk mund të bie dakord për një politikë të përbashkët të jashtme ndaj Kosovës, pasi që pesë nga shtetet anëtare të BE-së nuk e njohin Kosovën si shtet.

Por përveç të gjitha këtyre elementeve, çështja thelbësore midis palëve – njohja e ndërsjellë – mbeti çështje pazgjidhur, e cila u shty për diskutim në të ardhmen.

Kjo e fundit u shënua dhe me faktin që Kosova ka rënë dakord të mos aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare për një vit, ndërkohë që Serbia ka rënë dakord ta ndalojë fushatën e saj ndërkombëtare për çnjohjen e Kosovës dhe anëtarësime.

Ndaj gjithë kësaj situate, BE u duk sikur u lehtësua, pavarësisht kritikave mbi vendimin për hapjen e ambasadave në Jeruzalem, duke ndjerë se tani mund t’u kthehet mënyrave të veta për të adresuar këtë çështje. Ndjeu se mund të ketë sërish rolin kryesor në ndërmjetësimin e marrëveshjes përfundimtare ligjërisht të detyrueshme dhe udhëheqjen e palëve drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Megjithatë, ndërsa shënojmë përvjetorin e dhjetë të Rezolutës së KB që i dha BE-së rolin për të ndërmjetësuar përafrimit e këtyre dy vendeve me njëri-tjetrin, rruga e së cilës deri me tani shënon arritjen e një mori marrëveshjesh të cilat janë ende të paimplementuara, dëshmon se nuk duhet ta bëjë atë të ndihet aq pozitë aq shume të rahatshme.

Procesi i udhëhequr nga SH.B.A., megjithëse u zhvillua nën hijen e zgjedhjeve presidenciale të SH.B.A.-ve, shpërfaqi përsëri kompleksitetin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Ajo rikonfirmoi se nuk ka rrugë të shkurtër drejtë zgjidhjes finale dhe se zgjidhjet e ‘ambiguitetit konstruktiv’ nuk mund të vlejnë më.

Çështja është e qartë; palët duhet të gjejnë një rrugë drejt njohjes së ndërsjellë duke siguruar që  edhe pas arritjes së marrëveshjes, do të mbesin plotësisht shtete funksionale demokratike dhe shtete multietnike.

Eshtë po ashtu e qartë se dinamikat politike midis Kosovës dhe Serbisë, dhe brenda secilit prej këtyre vendeve, do të vazhdojnë ta minojnë procesin edhe më tutje. Siç është më se e qartë se çarja transatlantike, e cila filloi gjatë iniciativës për “korrigjime kufijsh” midis Serbisë dhe Kosovës duhet të ngushtohet. Rruga drejt marrëveshjes duhet të jetë një rrugë e guximshme, e qartë dhe e qëndrueshme. Tani, stafeta ka kaluar te Brukseli. Bruksel, a jeni gati për këtë?

Jeta Krasniqi është menaxhere e projektit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), duke udhëhequr projektin e Perspektiva Evropiane në ndërtimin e një konsensusi kombëtar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Shkrimi është shkruar në Anglisht.

Mendimet e shprehura janë të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të BIRN.