Marrëveshja Serbi-Kosovë është rezultat i një diplomacie ndryshe të Trump  

Mëngjesin e së premtes, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ndërmorën një hap të jashtëzakonshëm drejt një zgjidhjeje afatgjate të konfliktit të tyre historik. Brenda Shtëpisë së Bardhë, nën kujdesin e Presidentit Trump, Presidenti Vuçiq dhe Kryeministri Hoti nënshkruan një zotim të ndërmjetësuar për të arritur normalizimin ekonomik midis popujve dhe qeverive të Serbisë dhe Kosovës.

Që nga viti 2017, pozicioni i SHBA mbi konfliktin Serbi-Kosovë ka qenë i atillë që hapat drejt normalizimit ekonomik do ta zbehnin fuqinë dhe rëndësinë e pakontestueshme mbi çështjet e nxehta të mosmarrëveshjes mes tyre. Palët kanë rënë dakord ta ndërtojnë një autoudhë dhe një lidhje hekurudhore midis kryeqyteteve të tyre përkatëse, Beogradit dhe Prishtinës. Ata janë zotuar për një studim të përbashkët fizibiliteti mbi opsionet për lidhjen e infrastrukturës hekurudhore me një port në detin Adriatik. Të dyja palët do të punojnë me Korporatën Financiare të Zhvillimit Ndërkombëtar të SHBA dhe me Eksport-Import Bank për ti dhënë mbështetje këtyre projekteve si dhe për të siguruar financime për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Të gjitha këto marrëveshje do të mundësojnë një qarkullim më të lirë dhe më efikas të njerëzve dhe mallrave përtej kufirit midis Serbisë dhe Kosovës.

Sa për vetë kufirin, Serbia dhe Kosova kanë rënë dakord të hapin dhe funksionalizojnë strukturën e Pikës së Përbashkët në Merdare, për ti pranuar diplomat dhe certifikatat profesionale të njëri-tjetrit dhe për t’u bashkuar me “zonën mini-Shengen” të bërë publike nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetorin e vitit 2019. Shumë shpejt, do të bëhet më e lehtë se kurrë më parë për serbët dhe kosovarët të jetojnë, punojnë, tregtojnë dhe studiojnë në lagjet, kompanitë dhe universitetet e njëri-tjetrit.

Ndoshta, ajo që ka më shumë rëndësi – për njerëzit në terren, palët e përfshira në negociata dhe për historinë dhe të ardhmen e rajonit – është marrëveshja e re për të përshpejtuar përpjekjet në gjetjen dhe identifikimin e mbetjeve të personave të zhdukur nga lufta e cila ka përfunduar vetëm dy dekada më parë. Të dyja palët janë zotuar të identifikojnë dhe implementojnë zgjidhje afatgjata, të qëndrueshme për refugjatët dhe personat e dislokuar brenda vendit, dhe secila prej tyre është zotuar ta identifikojë një pikë kontakti për ti udhëhequr këto përpjekje brenda ministrive të tyre përkatëse qeveritare, për koordinim në mes të dy kryeqyteteve dhe për të siguruar një azhurnim vjetor mbi numrin e çështjeve të zgjidhura dhe ato që janë të pezulluara. Marrëveshja gjithashtu përfshin një moratorium një vjeça në përpjekjet e Kosovës për anëtarësim të ri në organizatat ndërkombëtare dhe një moratorium një vjeçar për fushatën e çnjohëse të Serbisë ndaj Kosovës – dy prej plagëve më të mëdha të hapura nga konflikti i tyre e që tani janë në rrugën e duhur të gjetjes së një zgjidhjeje.

Marrëveshja e së premtes pasqyron vizionin e mbajtur prej kohësh të Presidentit Trump për Kosovën dhe Serbinë për t’u përqendruar në zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin industrial si parakushte të zgjidhjes së përhershme të mosmarrëveshjeve politike. Besimi i tij që nga fillimi ka qenë që mirëbesimi ndërtohet së pari në procesin e krijimit të mundësive dhe të ardhmes për të rinjtë, sesa në zgjidhjen e poenave, simbolikës ose korrigjimin e gabimeve historike. Shtetet e Bashkuara do ta shpenzojnë vitin e ardhshëm në implementimin e këtyre marrëveshjeve të reja dhe, qytetarët dhe qeveritë e Kosovës dhe Serbisë kanë besimin e plotë të qeverisë së SHBA për t’i shtyrë këto marrëveshje përpara.

Si demonstrim të një mirëbesimi nga të dyja palët ndaj SH.B.A.-së, mëngjesin e së premtes Serbia dhe Kosova gjithashtu u zotuan për të bashkëpunuar duke i dhënë prioritet disa prej të politikave kryesore të SH.B.A.-së në rajon. Të dy palët u zotuan të mbrojnë dhe promovojnë lirinë fetare, duke përfshirë komunikimin e ripërtrirë ndërfetar, mbrojtjen e vendndodhjeve fetare dhe restaurimin e vazhdueshëm të pasurisë së patrashëguar dhe të pakërkuar hebreje të epokës së Holokaustit.

Të dy palët janë dakorduar ta klasifikojnë Hezbollahun në tërësinë e saj si një organizatë terroriste dhe ti imlementojnë në plotësi masat që kanë të bëjnë me kufizimin e operacioneve dhe aktiviteteve financiare të Hezbollahut në juridiksionet e tyre. Të dyja palët ranë dakord të punojnë me qeverinë e SHBA për të dekriminalizuar homoseksualitetin në 69 vendet ku aktualisht është i paligjshëm. Dhe, ndoshta më e rëndësishmja nga të gjitha, Serbia është zotuar ta zhvendosë ambasadën e saj në Izrael nga Tel Aviv në Jeruzalem, ndërsa Kosova ështëe pajtuar  për njohje reciproke me Izraelin.

Në vazhdën e marrëveshjes së paqes së 13 gushtit midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, marrëveshja e së Premtes midis Kosovës dhe Serbisë për të ndërmarrë hapa drejt normalizimit ekonomik dhe një bashkëjetesë eventuale paqësore demonstron të arriturat e Presidentit Trump dhe angazhimin e fuqishëm të administratës së tij në të gjithë botën. Kur qeveria amerikane i jep prioritet diplomacisë në raport me forcën dhe mirëkuptimit në raport me kërcënimet, bota duhet të përfitojë.

 

Richard Grenell është anëtar i lartë i Institutit për Politikë dhe Strategji të Universitetit Carnegie Mellon dhe i dërguari special i administratës Trump për Serbinë dhe Kosovën. Ai ka shërbyer për më shumë se 10 vjet në Departamentin e Shtetit të SHBA, përfshirë postin e  ambasadorit të SHBA në Gjermani, 2018-2020 dhe si zëdhënës në Kombet e Bashkuara dhe për pak kohë ka shërbyer si drejtor i përkohshëm i inteligjencës kombëtare (DNI). Ai është këshilltar i lartë në agjencinë për komunikim me LGBT me Komitetin Kombëtar Republikan.

Artikulli është marrë nga The Hill