Më shumë se një në katër persona në Gjermani kanë prejardhje migrante

Numri i njerëzve me “prejardhje migrante” – të huaj dhe njerëz me rrënjë të huaja – vazhdon të rritet në Gjermani, me Turqinë, Poloninë dhe Rusinë si tri vendet kryesore me origjinë familjare.

Një sondazh i ri ka zbuluar se më shumë se një e katërta e njerëzve që aktualisht jetojnë në Gjermani janë ose të lindur jashtë vendit ose kanë të paktën një prind emigrant.

Shifrat e fundit, të publikuara nga agjencia gjermane e statistikave Destatis të martën, tregojnë se “njerëzit me prejardhje migrante” përbëjnë 27.2% të popullsisë së Gjermanisë.

Me rreth 82 milionë njerëz që jetojnë në vendin e BE-së, zyrtarët vlerësojnë se rreth 22.3 milionë janë të lindur jashtë ose njerëz me rrënjë të huaja – numri më i lartë që qysh nga sondazhi ui kryer për herë të parë në vitin 2005.

Shtetasit e huaj përbëjnë pak më pak se gjysmën e grupit.

Nga vijnë emigrantët?

Shumica e njerëzve me prejardhje migrante e kanë origjinën në Evropë dhe Azi. Rreth 7.5 milionë kanë lidhje me vendet e tjera të BE-së, 3.5 milionë me Lindjen e Mesme dhe 1.1 milionë me Afrikën.

Kur shikojmë vendet individuale, Turqia mbetet pika më e madhe e origjinës me 12% të grupit të emigrantëve, e ndjekur nga Polonia me 10% dhe Rusia me 6%.

Cilat gjuhë i flasin?

Anketuesit zbuluan gjithashtu se në 46% të rasteve, njerëzit me prejardhje migrante flisnin ekskluzivisht ose kryesisht gjermanisht në shtëpitë e tyre. Turqishtja është gjuha e dytë më popullore, me 8% të njerëzve me prejardhje migrante që e flasin atë në shtëpi, e ndjekur nga rusishtja me 7% dhe arabishtja me 5%.

Po refugjatët ukrainas?

Raporti nuk përfshin ndryshimet e shkaktuara nga pushtimi rus i Ukrainës në muajin shkurt, i cili zhvendosi miliona njerëz. Shifrat e vitit 2021 zbuluan se rreth 308,000 ukrainas jetojnë në Gjermani, shumica prej tyre për shumë vite. Megjithatë, në një njoftim të veçantë të martën, policia gjermane tha se 335,000 refugjatë ukrainas kanë mbërritur në Gjermani që nga fillimi i pushtimit, më shumë se dyfishi i numrit të shtetasve ukrainas në Gjermani. Numri real ka të ngjarë të jetë më i madh pasi ukrainasit mund të udhëtojnë në Gjermani pa viza.

Vlerësohet se rreth gjysma e refugjatëve ukrainas në Gjermani janë fëmijë dhe të rinj.

Ekonomia masive e Gjermanisë ka qenë e varur shumë nga punëtorët migrantë për dekada, me politikanët që vitet e fundit kanë punuar për të joshur edhe më shumë migrim në vend.

Megjithatë, në të njëjtën kohë, politikanët gjermanë dhe të BE-së janë përpjekur ta frenojnë imigracionin e paligjshëm nga Afrika dhe Lindja e Mesme, duke nxitur akuza për racizëm në dritën e solidaritetit të ofruar për refugjatët që vijnë tani nga Ukraina./DW

Përgatiti: Nuhi Shala