Lumir Abdixhiku i kishte anuluar ndërtimin në afërsi të Badovcit Përparim Ramës, tash kandidat zyrtar i LDK-së për Prishtinën

Lumir Abdixhiku, në kohën kur ishte ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit në Qeverinë Kurti 1, i kishte anuluar një nga projektet më të përfolura ndërtimore viteve të fundit, Përparim Ramës, të cilin sot e prezantoi si kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të parin e kryeqytetit.

Rama u prezantua sot nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili përmes një postimi në facebook e quajti aset nacional arkitektin Rama.

Abdixhiku sa ishte ministër e kishte kthyer prapa projektin e kompanisë së Përparim Ramës për ndërtimin e 17 vilave afër Liqenit të Badovcit.

Abdixhiku në shkurt të vitit të kaluar përmes një vendimi obligoi komunën e Prishtinës që të anuloj vendimin për dhënien e kushteve ndërtimore për ndërtimin e lagjes në afërsi të liqenit të Badvocit.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka obliguar Komunën e Prishtinës që të bëjë anulimin e vendimit për kushtet ndërtimore për rastin e lagjes në afërsi të Badovcit”, kishte shkruar Abdixhiku në Facebook.

“Qeveria e Kosovës është e përkushtuar t’i mbrojë resurset natyrore të vendit. Mbi të gjitha, është e interesuar të dëgjojë zërin e padëgjuar të aktivizimit qytetar, që këtë herë ishte përcaktues në ngritjen e alarmit me kohë”, ka shtuar në atë kohë ish ministri Abdixhiku në Facebook.

Dy kompanitë ‘4M Group’ dhe ‘KAWA Group’ dhe pronari i tokës Rrahman Haradini, kishin nënshkruar me 8 janar 2020 një marrëveshje tri-palëshe që të realizonin projektin ndërtimor të lagjes pranë Liqenit të Badovcit, “Lakeside Gardens”.

Gjithashtu, për KALLXO.com, përfaqësues të kompanisë kishin treguar se nga komuna e Prishtinës posedojnë kushtet ndërtimore, dokument ky, i cili është lëshuar pas një vendimi të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Kompania në fjalë nuk ka leje ndërtimi dhe ende nuk ka aplikuar për leje ndërtimi. Kompania në fjalë ka aplikuar për kushte ndërtimore të cilat i paraprijnë aplikimit për leje”, pati thënë Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës.

Ish ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, përmes një publikimi në facebook pati mohuar se kompanitë dhe pronari i pronës të kishin aplikuar në MMPH për leje.

Përparim Rama, drejtor ekzekutiv i kompanisë, “4M” në një intervistë për ‘Prishtina Insight’ në atë kohë, kishte akuzuar institucionet publike për nxitje të protestave kundër projektit të tij.

Rama gjatë intervistës kishte thënë se “vetë Liqeni aktualisht nuk po mirëmbahet nga Komuna e Prishtinës. Pavarësisht nëse dikush dëshiron ta mbrojë apo jo, ai vend po abuzohet dhe po përkeqësohet. Shkoni atje dhe mund të shihni në çfarë mase njerëzit kujdesen për të – kjo duhet të ndryshojë. Si parazgjedhje, të kesh banorë brenda zonës do të duhej që zona të jetë e pastër dhe ata ta mbrojnë atë”.

Ai kishte theksuar se populli i Kosovës është traumatizuar nga ndërtimet e parregullta ndër vite e që e kanë shkatërruar infrastrukturën urbane dhe rurale të vendit, tek ka shtuar gjithashtu se nuk është për t’u habitur që ekziston një mosbesim i qenësishëm ndaj zhvilluesve të huaj urban.

“E tëra çfarë mund të bëjmë është të sjellim përvojën tonë profesionale dhe dizejimet më të mira që teknologjia dhe ligji do të lejojnë. Unë gjithmonë kam qenë kundër ndërtimeve të paligjshme”, kishte thënë ai.

Tani, arkitekti me famë botërore Përparim Rama, zyrtarisht do jetë kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për të qenë në krye të Prishtinës.

 

Abdixhiku: Ju njoftoj me kandidatin e LDK-së për Prishtinën