Foto: KALLXO.com

Qeveria e obligon Shpend Ahmetin ta anuloj vendimin për ndërtimet në Badovc

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se ka obliguar Komunën e Prishintës që të bëjë anulimin e vendimet për dhënien e kushteve ndërtimore për ndërtimin e lagjes në afërsi të liqenit të Badovcit.

Këtë vendim, Abdixhiku thotë se e ka marrë duke u thirrur në Ligjin për Ujërat e Kosovës dhe duke u mbështetur në vendimin e Qeverisë për zonat e mbrojtura në Liqenin e Badovcit.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka obliguar Komunën e Prishtinës që të bëjë anulimin e vendimit për kushtet ndërtimore për rastin e lagjes në afërsi të Badovcit”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Shumë qytetarë e aktivistë u bënë bashkë në kundërshtim të këtij projekti që sipas tyre prek Badovcin.

Abdixhiku thotë se Qeveria e re është e përkushtuar t’i dëgjojë qytetarët e t’i mbrojë resurset natyrore.

“Qeveria e Kosovës është e përkushtuar t’i mbrojë resurset natyrore të vendit. Mbi të gjitha, është e interesuar të dëgjojë zërin e padëgjuar të aktivizmit qytetar, që këtë herë ishte përcaktues në ngritjen e alarmit me kohë”, ka shkruar ministri Abdixhiku në Facebook.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.