Ministria e Ambientit: Ne nuk kemi lëshuar asnjë leje për ndërtimet në Badovc

Ka mjaftuar një publikim në Facebook nga kompanitë ‘4M Group’ dhe ‘KAWA Group’ që të aktivizojë mijëra qytetarë për mbrojtjen e liqenit të Badovcit.

Dy kompanitë ‘4M Group’ dhe ‘KAWA Group’ dhe pronari i tokës Rrahman Haradini kishin nënshkruar me 8 janar një marrëveshje tri-palëshe që të realizonin projektin ndërtimor të lagjes pranë Liqenit të Badovcit, “Lakeside Gardens”.

Kishte mjaftuar ky publikim në Facebook dhe mijëra qytetarë janë aktivizuar për të mbrojtur liqenin e Badovcit.

Ndonëse është diskutuar shumë që kompanitë në fjalë ishin pajisur me leje nga organet kompetente, nga kompanitë thuhet ndryshe.

Në një deklaratë të dhënë për KALLXO.com, kompania ‘KAWA group’ thonë se nuk kanë leje të ndërtimit dhe se nuk do të fillonin punën pa e poseduar atë.

Sipas kompanisë KAWA, projekti në fjalë është vetëm projekt ideor dhe se në të janë paraparë të gjitha rreziqet e mundshme duke mos e dëmtuar liqenin.

“Ne nuk kemi lejen e ndërtimit dhe nuk kemi pasur të fillojmë punën atje, pa lejen e komunës. Postimi prej të cilit është përhapur panik ka qenë i marrëveshjes së brendshme për ndërtimin e kësaj lagje. Asnjëherë s’kemi thënë që kemi Lejen e Ndërtimit. Kjo punë është punë parimesh. Ne asnjëherë nuk kemi punuar pa leje, në asnjë vend dhe në asnjë moment. Projekti përveç që ka projektin ideor, ai është punuar edhe në projektin detaj. Gjithçka është e paraparë, gjithçka. Në asnjë formë dhe në asnjë moment nuk përkrahim ndotjen e liqenit e as ndotjen e mjedisit kudo qoftë”, thuhet në përgjigjen e kompanisë.

Gjithashtu, për KALLXO.com, përfaqësues të kompanisë kanë treguar se nga komuna e Prishtinës posedojnë kushtet ndërtimore, dokument ky, i cili është lëshuar pas një vendimi të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë.

Sipas investitorëve, ky projekt në asnjë moment nuk planifikon të helmojë ujin e pijshëm për banorët e Prishtinës.

“Projekti ynë nuk planifikon ta helmojë ujin! Projekti ynë planifikon mbjelljen e më shumë se 1000 drunjëve të ndryshëm të cilët do të ndihmojnë që të mos vazhdojë erozioni i dheut nga shirat, siç po ndodh tani. Projekti jo që vetëm i përmbush të gjitha kërkesat e organeve kompetente në Komunën e Prishtinës dhe të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor, synon që t’i tejkalon ato duke krijuar projektin e parë që do të jetë BREEAM 4 Star, i certifikuar”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre.

Për lejet e njëjta është deklaruar edhe Komuna e Prishtinës.

Ata në një përgjigje për KALLXO.com kanë deklaruar se investitorëve në fjalë u janë lëshuar vetëm kushtet ndërtimore dhe jo ndonjë leje tjetër. Po ashtu, në përgjigjen e komunës thuhet që investitori nuk ka aplikuar ende për asnjë leje tjetër.

Poashtu edhe kryetari i Prishtinës, përmes një publikimi në Facebook ka shkruar se investitorëve u përcaktohet qartë në kushtet ndërtimore se duhet së pari të kenë Pëlqimin dhe Vlerësimin Mjedisor e më pas t’i drejtohen komunës.

Ahmeti në ‘Facebook’ ka shkruar se kompania nuk ka leje ndërtimi dhe ende nuk ka aplikuar për leje ndërtimi, ndërsa ka aplikuar për kushte ndërtimore.

“Kompania në fjalë nuk ka leje ndërtimi dhe ende nuk ka aplikuar për leje ndërtimi. Kompania në fjalë ka aplikuar për kushte ndërtimore të cilat i paraprijnë aplikimit për leje. Në këtë procedurë është qe disa vite. Në Kushtet Ndërtimore i thuhet se para se të aplikojë për leje në Komunën e Prishtinës, duhet të aplikojë për pëlqimin për vlerësimin mjedisor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilën ende nuk e ka bërë”, ka shkruar Ahmeti.

Sipas tij, në vitin 2015 Komuna e Prishtinës ka propozuar rritjen e territorit të Gërmisë nga 900 hektarë në 2 mijë hektarë dhe ka marrë statusin e peisazhit të mbrojtur sipas Ligjeve në fuqi. “Një pjesë e peisazhit është rreth Badovcit. Në vitin 2016 në bashkëpunim me Qeverinë e Çekisë kemi arritur që të fillojmë trajtimin e ujërave të zeza përreth liqenit. Ujëra të tilla nuk derdhen më në liqenin e Badovcit”, ka shkruar Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se Prishtina ka ujë të pijshëm 24 orë në ditë që nga viti 2017 dhe kjo nuk bën të rrezikohet.

Sipas tij, Liqeni i Badovci është pasuri shtetërore në pronësi të Shtetit të Republikës së Kosovës dhe se vendimet për mbrojtjen e Liqenit dhe masat tjera mbrojtëse i merr niveli qendror.

“Komuna e Prishtinës është përgjegjëse për leje ndërtimore sipas dokumenteve planifikuese që i ka në fuqi, dokumentet kryesore të të cilave janë aprovuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës në vitin 2013”, ka shkruar Ahmeti.

Një grup qytetarësh kanë krijuar një peticion online në lidhje me këtë çështje dhe letra drejtuar kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi.

Në letër ata kanë kërkuar që të ndërpritet çdo procedurë për dhënien e pëlqimeve e lejeve për ndërtim në brigjet e liqenit të Badovcit, jo vetëm aplikuesve eventual nga Kawa Group por edhe për të gjitha ndërtimet në zona të gjelbërta.

“Kërkojmë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të sqarojë nëse ka dhënë leje mjedisore dhe leje ujore e ndërtimi për KAWA Group ose kompani tjera për ndërtim ne brigjet e liqenit të Badovcit. Nga Komuna e Prishtinës kërkojmë që mos të miratojë kushte ndërtimore as leje ndërtimore për asnjë kompani për ndërtim në brigjet e liqenit të Badovcit, ku sipas planit zhvillimor të Prishtinës nuk lejohen ndërtime”, thuhet në letrën e tyre.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, përmes një publikimi në facebook ka thënë se as komopanitë dhe as pronari i pronës nuk kanë aplikuar në MMPH për asnjë leje.

“Bazuar në njoftimet e bëra nga ana e një grupi të qytetarëve si dhe ngritja e shqetësimit te mediave lidhur me iniciativen rreth një projekti i cili synon te ndërtohet afër Liqenit të Badovcit nga Investitori KAWA Group, 4M Group si dhe një pronari privat të tokës (Rrahman Hajredini), dhe që në vazhdimësi është duke u potencuar se MMPH ka dhënë leje për një projekt të tillë, ju informoj se MMPH nuk ka kompetenca që në këtë rast të lëshoj leje ndërtimore. Gjithashtu në bazë të gjitha të dhënave që kemi në MMPH, ju sigurojmë se as kompanitë në fjalë dhe as pronari i tokës, Nuk ka aplikuar dhe Nuk është pajisur me Pëlqim Mjedisor nga MMPH-ja”, thuhet në publikimin e ministrit.

Poashtu, matoshi ka shkruar se sot ministria ka dërguar shkresë te Komuna e prishtinës që të kërkojë më shumë informacione në lidhje me këtë projekt dhe rrjedhimisht nëse kanë lëshuar leje ose jo.

“Lidhur me këto shqetësime, sot i kemi dërguar një shkresë për të kërkuar informata nga Komuna së Prishtinës.
Deshiroj të ju siguroj juve dhe të gjithë qyetarët e vendit se inspektoriati i MMPH-së dhe Departamentet tjera përgjegjëse brenda MMPH-së do të jetë aktive në këtë qështje dhe do të kujdesen që të mos ndodhë asnjë veprim i cili mund ta cenoj zonen e mbrojtur të Liqenit te Badovcit dhe kualitetin e ujit nga kushdoqoftë”, ka përfunduar publikimi i tij.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.