Dimal Basha duke mbajtur fjalimin e parë si kryetar i Kuvendit të Kosovës | Foto: Kuvendi i Kosovës, 26.08.2025

'Lluga e re': Ngecje pas ngecjes

Kur u zgjodh më në fund Kryetari i Kuvendit, pas më shumë se gjashtë muajsh bllokadë, u krijua pritja që brenda ditës të zgjidheshin edhe nënkryetarët, dhe kështu të përfundonte procesi njëherë e mirë. Katër prej tyre u zgjodhën, por te i pesti – ai që i takon partisë me shumicë serbe – procesi ngeci sërish, duke e futur vendin në një mjegull të re institucionale. Tash, Kosova ka një Kryetar Kuvendi, por një Kuvend që ende nuk po arrin të konstituohet.

Ndërsa nga njëra anë vlerësohet se Kosova është ngërthyer në çështje kushtetuese e ligjore, nga ana tjetër kjo situatë shihet thjesht si vazhdimësi e lojës së partive për ta zgjatur bllokadën politike.

Lista Serbe po këmbëngul duke e propozuar për nënkryetar vetëm Slavko Simiqin. Tri herë u votua në seancën e 26 gushtit, por nuk i mori votat e mjaftueshme. E, kjo parti kërkoi që të vazhdonte ta propozonte të njëjtin, mirëpo një gjë e tillë nuk iu lejua nga Kryetari i sapo-zgjedhur i Kuvendit, Dimal Basha duke deklaruar se bazuar në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese nuk lejohet që i njëjti emër të propozohet më shumë se tre herë – gjë me të cilën Lista Serbe nuk pajtohej duke thënë se “tre herëshi” vlen vetëm për Kryetarin e Kuvendit.

Aktgjykimi i 18 gushtit, urdhëron shprehimisht “që në pajtim me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votim i cili mund të realizohet vetëm deri në tre herë për kandidatin/en e njëjtë.

Kushtetuesja në aktgjykim nuk ka sqaruar nëse e njëjta gjë vlen edhe për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.

Meqë Lista Serbe insistoi në Simiqin, Basha, si i pari i Kuvendit konsideroi që mundësia e propozimit është ezauruar, duke vendosur kështu që të propozohet me short. Propozimin me short e refuzuan deputetët e Listës Serbe, ndërkaq dy prej tyre as nuk i morën votat kur u hudhën në votim. Votat me short nuk i mori as kur ra emri i Nenad Rashiqit, ministër në detyrë për Komunitete dhe Kthim, nga “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”.

Nënkryetarët u votuan ndarasi nën arsyetimin se nuk ka konsensus që të votohen të gjithë në një pako.

Kjo ngecje ka shtyrë konsistuimin e Kuvendit dhe pamundëson rrjedhjen e afateve për formimin e Qeverisë.

Përhumbje në çështje ligjore apo vazhdim i lojës politike?

Se a ka pasur të drejtë kryetari të ndalojë propozimin mbi tre herë, votimin ndarasi të nënkryetarëve dhe të vendoset në short Nenad Rashi që nuk është parti shumicë në Kuvend, janë shpërfaqur interpretime të ndryshme.

Ish-gjyqtari i Kushtetueses, Kadri Kryeziu ka bindjen që Kushtetuta nuk merret fare me pjesën procedurale se si duhet të nominohen dhe të zgjidhen nënkryetarët e Kuvendit, kjo çështje është rregulluar me Rregullore të Kuvendit.

Sipas Kryeziut, nuk ka pasur asnjë shkelje gjatë seancës së 26 gushtit, pasi që hartuesit e Rregullores së punës duke respektuar logjikën bazë të demokracisë, e kanë njohur të drejtën e grupit më të madh të deputetëve serbë që ta propozojnë kandidatin për nënkryetar.

Por, sipas tij, të vetëdijshëm që, për arsye nga më të ndryshmet, ndër të tjera edhe për qëllim të bllokimit të procesit të konstituimit të Kuvendit, kjo e drejtë mund të keqpërdorej, hartuesit e kanë shtuar pikën ku Kryetari i Kuvendit e merr situatën nën kontroll dhe në bazë të shortit, hedh emra kandidatësh në votim, pra e zhbllokon konstituimin e Kuvendit.

“Por, me rastin e votimit për kandidatin Nenad Rashiq, i zgjedhur me short sipas procedurës së paraparë në pikën 7 të nenit 12 të rregullores, ky qëllim patriotik i hartuesve të rregullores u injorua nga PDK dhe LDK. Dhe kjo për mua është tërësisht misterioze dhe e pakuptimtë”- ka analizuar Kryeziu.

Partia Demokratike e Kosovës ka abstenuar në votimin për Rashiqin, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës nuk votoi fare.

Kurse, sa i përket pohimit që është bërë shkelje procedurale, sepse kandidati serb dhe kandidati nga komunitetet tjera jo shumicë nuk janë hedhur në votim së bashku, kjo nuk ka bazë në Rregullore, thotë Kryeziu.

“Kushti i vetëm kushtetues është që kandidati të jetë deputet i zgjedhur”- shkruan ai, duke shtuar se çfarëdo pakënaqësie me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar duhet të drejtohet te Gjykata Kushtetuese.

Ndryshe prej Kryeziut, avokati Ardian Bajraktari, thotë që veprimet e Kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha për të zgjedhur nënkryetarët janë në shpërputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, bazuar në faktin që Kushtetuesja e ka normuar zgjidhjen për konstituimin e Kuvendit dhe bazuar në faktin që procesi i zgjedhjes së anëtarëve të Kryesisë në të gjitha legjislaturat është zhvilluar në dy pako, fillimisht është votuar për nënkryetarët e partive shumicë e pastaj të komunitetit joshumicë, devijimi nga kjo është në shpërputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

“E shpërputhja nga aktgjykimi është veprim në shpërputhje me vetë Kushtetutën. Po ashtu vlen të theksohet që parimet mbi të cilat funksionin shteti ynë, është respektimi dhe garantimi i të drejtave të komuniteteve joshumicë, në këtë rast të komunitetit serb”- tha Bajraktari.

Ai thotë se edhe sipas dispozitës së Rregullores të Kuvendit, neni 12, paragrafi 5, ku përcaktohet qartë që nënkryetari nga radhët e komunitetit serb propozohet prej subjektit më të madh politik.

“Prandaj, devijimi nga këto rregulla është në shpërputhje me bazën mbi të cilat funksionon shteti”- thotë ai, duke shtuar se lehtësisht kjo çështje mund të përfundojë në Gjykatë Kushtetuese.

Nëse vazhdon ngecja, Bajraktari thotë se subjekti politik Lista Serbe mund të adresohet në Gjykatë Kushtetuese, nën supozimin që së paku edhe një deputet mund ta sigurojë për shkak se ata janë nëntë dhe për ta adresuar në Kushtetuese duhet të jenë së paku 10 deputetë.

Pro Slavko Simiqit në seancë pos kolegëve nga Lista Serbe, votoi edhe Adem Hoxha nga Partia e Bashkuar Gorane.

Ku çon kjo ngecje?

Edhe pse kryetari dhe katër nënkryetarë u zgjodhën, ngecja e re për konstituimin e Kuvendit të Kosovës e pamundëson lëvizjen drejt rrjedhjes së afateve për formimin e Qeverisë. Përtej asaj që duket përhumbje në procedura e çështje ligjore, nga analistët politikë vlerësohet vetëm si një lojë e ardhshme për të zvarritur më tej formimin e institucioneve.

Analistja e politikës, Donika Emini vlerëson se me bllokimin në zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, procesi sërish mundet të ngec jo për shkak se Kosova ka probleme me çështje ligjore apo me procedura, por pengesat politike.

Sipas saj, fakti që nënkryetari vjen nga radhët e komunitetit serb, kjo jo vetëm që do të bëhet çështje që shkakton bllokim, por edhe do të hap edhe një kapitull të ri diskutimi rreth legjitimimit të Listës Serbe dhe alternativave të tjera politike të përfaqësimit serb në Kosovë.

“Kjo mandej mundet me hap një diskutim tjetër që është diskutim krejtësisht në frymë nacionaliste që i shërben sidomos Vetëvendosjes, pasi që tashmë debati është certifikimi i Listës Serbe dhe zgjedhjet lokale po afrohen dhe në zgjedhjet lokale do të garohet për komunat në veri”- thotë Emini.

“Kjo është një lojë politike e cila po merr një përshkallëzim qesharak dhe tregon qartë mënyrën se si partitë politike në Kosovë i qasen institucioneve dhe sa seriozisht janë këto parti në shtet-formim”- shtoi ajo.

Mbi të gjitha, Emini thotë se krejt qëllimi është që bllokada të zgjasë deri në zgjedhjen e Presidentit.

“Ky është elefanti në dhomë. E gjitha loja politike është shuke u shkaktuar duke shikuar marsin e 2026, e jo në pjesën e mbetur të vitit 2025” – përfundoi ajo.

Nëse kalon kjo bllokadë, Emini thotë se skenari më i mundshëm është ose një qeveri pakicë shumë e dobët, e cila do të ketë vështirësi për të pasur shumicën, ose procesi i ri zgjedhor, që duket si skenari më i mundshëm duke marrë parasysh rrethanat politike në Kosovë, sidomos për faktin që partitë politike janë në limbo para zgjedhjeve lokale.

Lufta u ndal te kryetari e vazhdoi tek nënkryetari

U deshën më shumë se gjashtë muaj që më në fund të zgjidhet Kryetari i Kuvendit të Kosovës, ani pse në mesin e shumë kundërshtive politike. Në fund, PDK votoi Bashën e Vetëvendosjes, pavarësisht se e quajnë të padenjë për këtë post të lartë shtetëror.

Analisti politik, Agon Maliqi, beson që VV-ja mund ta ketë pasur të qartë se Basha edhe mund t’i marrë votat, duke qenë se nga PDK erdhën sinjale të tilla.

Sipas tij, emërimi i Bashës në njërën prej pozitave kyçe është treguesi më i fortë se VV-ja nuk është e interesuar të krijojë qeveri në këtë përbërje të Kuvendit.

“Nëse VV do të ishte e interesuar për qeveri, do të negocionte shumë më herët me partitë e tjera dhe posti i kryetarit të kuvendit do të ishte një prej pozitave të negociuara” – thotë ai.

Maliqi thotë se Basha nuk përfaqëson figurë politike me peshë as brenda VV-së e lëre më në spektrin e përgjithshëm politik për ta marrë një prej tre posteve kryesore shtetërore.

“Ta kemi të qartë se në mungesë të presidentit, kryetari i Kuvendit bëhet ushtrues detyre i Presidentit. Basha gjithashtu ka qenë figurë me retorikë të ashpër ndaj kundërshtarëve të Kurtit, veçanërisht mediave dhe shoqërisë civile – e në këtë drejtim ai është përfaqësues i denjë i mendësisë së shumicës së anëtarëve të VV dhe mbështetësve të saj. Por nuk e ka aurën e njeriut që ndërton konsensus e që nevojitet për postin”- thotë Maliqi.

Kurse, analistja Emini pa komentuar, sigurisht, mbi profilin e Dimal Bashës, sepse ai është një deputet i zgjedhur me votë popullore dhe ka fituar besimin në Parlament, thotës se “Kosova bëri hapa për tejkalim të një krize që u krijua pa nevojë nga të gjitha partitë politike, sidomos Vetëvendosje, me insistimin e nominimit të Albulena Haxhiut për gati shtatë muaj.”

Vetëvendosje kishte propozuar katër ministra dhe një deputet për postin e Kryetarit të Kuvendit, por asnjëri prej tyre nuk ka arritur të sigurojë votat e nevojshme. Arsyetimi kryesor i partive të tjera ka qenë se nuk duan të votojnë kandidatë që kanë qenë pjesë e kabinetit qeveritar.

Nga kandidatët: Albulena Haxhiu (Ministre e Drejtësisë) është propozuar një herë; Hekuran Murati (Ministër i Financave) dy herë; Donika Gërvalla-Schwarz (Ministre e Jashtme) një herë; Arbërie Nagavci (Ministre e Arsimit) një herë.

Ndërkohë, Kosova tashmë ka më shumë se gjysmë viti pa institucione të reja, pasi seanca konstituive që ka nisur që më 15 prill, por ende nuk ka përfunduar me një zgjidhje.

Seanca e fundit e legjislaturës së tetë është mbajtur mbajt me 5 dhjetor 2024.

Nga Zgjedhjet e 9 shkurtit fitues doli Lëvizja Vetëvendosje me 42.30%, PDK e dyta me 20.95%, LDK e treta 18.27%, AAK-Nisma me 7.06%.