Letër Komandantit Tim

Nuk munda të rrijë qetë dhe ta kapërdij atë se çfarë po ndodh me vendim tim – Kosovën. Unë jam nga Tetova, por nëna ime është kosovare, pra shqiptare. E mbase shprehjen ‘vendin tim’ do ta tallni ju dhe shumë individë të tjerë, por për mua çdo vend shqiptar është edhe vendi im. Nuk kam qenë kurrë i qetë me atë se çfarë ka ndodhur atje, prandaj hap pas hapi jam munduar të përcjell çdo veprim të shqiptarëve përballë Serbisë, duke u munduar me aq sa mundem të kontribuoj diçka për çlirimin e saj. E që të mos ndalem shumë në të kaluarën e Kosovës, do të ndalem në të tashmen, apo të kaluarën e para tri ditëve, kur qeveria e Kosovës vendosi që në protestën e organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE, të sillet mu ashtu siç është sjellë Serbia me ne, mu ashtu siç janë sjellë sistemet komuniste në të kaluarën, mu ashtu siç u soll  Ben Aliu, Mubaraku e Gadafi me popujt e tyre. 

Shpesh herë kemi pasur biseda të hapura rreth rrjedhës së ngjarjeve politike në IRJM, biseda në të cilat unë kam dhënë vërejtjet e mia ndaj pjesëmarrjes në qeverisje të Ali Ahmetit, duke i shikuar gjërat në prizmin e një ish-pjesëtari të luftës që rrjedh nga një familje dy-krahëshe (Tetovë dhe Ferizaj), familje që rrjedhin nga fise të cilat kanë dhënë kontribut në mbrojtje të kombit shqiptar, duke pasur të burgosur politikë, ushtarë në luftë, madje dhe të rënë në beteja. Në të gjitha këto biseda jemi dakorduar që gjërat nuk shkojnë si duhet, por që duhet të presim akoma sepse do të rregullohet gjendja. Ne jemi duke pritur por gjërat nuk janë ndryshuar. Besoj, u kujtohet edhe iniciativa juaj që të vini në selinë e BDI-së e të takoni dikë aty, për të intervenuar për mua, për punësim, me çka edhe u vërtetuat se punët nuk shkojnë si duhet. Intervenimi u mendua pas dështimeve të mia që të punësohem, sepse në një rast më shpallën të-pakualifikuar, në rastin tjetër më refuzuan, në rastin tjetër më refuzuan sepse nuk kisha qenë më herët student i UEJL-së, në disa raste më thoni troç mos apliko sepse s’do të marrim në punë.  Ju u interesuat për një ushtar që ka kryer një master dhe ka tri botime shkencore si bashkautor. E pikërisht, ndodhi ajo që ndodhi, ushtari që e keni pasur në komandë, nuk u punësua, edhe pse Fazli Veliu të dha premtimin për këtë gjë. E ky ushtari yt sot gjendet në Afganistan. Fatmirësisht, tashmë kam dy premtime punësimi kur të kthehem dhe shpresoj që do ta mbajnë fjalën premtuesit.

Për të mos ju lodhur shumë me IRJM-në, po ndalem në protestën e 14 Janarit. Gjithnjë i kemi diskutuar veprimet politike dhe hapat politikë të subjekteve politike si për Tiranën, ashtu edhe për Prishtinën dhe Shkupin. Jemi dakorduar në gjithçka, që gjërat nuk janë në rregull, që duhet të ndryshojnë që të ecë përpara vendi ynë. 

Ju jeni njeri i afërt me Rustem Mustafën dhe asnjëherë nuk keni folur për qeverinë e Kosovës me përemrin vetor NE, pra duke përfshirë edhe veten tuaj. E kur bisedonim rreth kësaj protesete ju nuk bëtë asgjë tjetër vetëm se treguat se do e goditni protestën ashpër, se nuk do të lejoni asnjë gjë më të vogël pa e shfrytëzuar për të rrahur dhe maltretuar protestuesit, se do të bëni gjithçka që të shtypni protestuesit. Ju i thatë të gjitha këto me një mllef që ene nuk arrij ta kuptoj përse. Pra, ju më treguat atë që pamë në ditën e protestës, shtypjen, rrahjen, goditjen e protestuesve. 

Habia është se në gjithë këtë mllef që ju shprehët ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE, nuk thatë asgjë për budallallëqet e qeverisë së Kosovës, për dështimet e saj në zbatimin e reciprocitetit, si aktin më të freskët që doli nga parlamenti e që qeveria duhet ta përmbushë, nuk përmendët asgjë për mos-shitjen e Mercedesave ndaj kësaj qeverie të korruptuar, për pasurimin e tyre brenda një nate, duke vjedhur popullin, e çka është më e dhimbshme, duke keqpërdorur luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare. Pra, ju heshtët përballë gjithë këtyre të këqijve të kësaj qeverie dhe u hodhët në sulm ndaj protestës që pritej të mbahet një ditë më vonë; heshtët përball kompromiseve të dhimbshme që kjo qeveri vazhdon t’i bëjë.

Protesta doli ashtu siç ju më thatë, pra qytetarët të cilët protestuan qetë, u rrahën, torturuan, iu thyen gjymtyrët, turinjtë, iu çanë vetullat. Madje, nuk u kursyen as gazetarët, ndër ata edhe fotoreporterin  Vedat Xhymshiti që raporton për agjenci të huaja britanze dhe amerikane. Nuk ishte kursyer as invalidi në karrocë dhe pa duar, të cilit policët ishin munduar t’i vendonin pranga. E si do të mund të lidhet një njeri pa duar ? E si mundet të kërcënohet një njeri i gjymtuar për qetësi se ndryshe i shqiptohet dajaku i njëjtë si me të tjerët ? 

A mundët të qëndroni apo hiq ej? 

Kjo ishte pyetja e parë që ju ma drejtuat një ditë pas protestës. A të tregova se do ju arrestojmë ? Cilit i dolën fjalët ? Këto ishin disa nga pyetjet që mi drejtuat, e unë u thashë që zullumi ndaj popullit po trashet, që gëzohem se dhuna u nis nga policët, që rendi nuk u prish nga protestuesit. Madje, më pyetët se a do të dalim sërish në protestë. Deklaruat se jeni ju ata që e dini se kur e vazhdoni dhe kur e ndalni jaraninë me Serbi sepse ju  jeni forca dhe ju jeni pushteti. Kështu, ju e morët përsipër torturën dhe dhunën. Ju e mbrojtët jaraninë me Serbi, vjedhjen e Kosovës dhe dëmtimin e saj sa më shumë. Ju dolët në mbrojte të përdhunimit të luftës dhe dëshmorëve të cilët janë mjeti kryesor me të cilin kjo qeveri e ka marrë pushtetin. 

Përse duhej që ju t’i thoshit gjithë këto gjëra ?

Keni qenë frymëzim i imi për shumëçka. E tani? Tani e tutje do të jeni frymëzimi im, sidomos në urrejtjen ndaj padrejtësisë më të vogël të mundshme ndaj popullit. Do të më frymëzoni akoma më shumë që të mos bëj gabime te ngjashme siç janë duke bërë ata që ju i mbrojtët në këtë dhunë ndaj popullit. Do të kem kujdes që të mos turpërohem ashtu siç u turpëruat ju. 

Mos harroni se popujt kanë rrëzuar një Çaushesk, Ben Ali, Mubarak, Gadaf. Një ditë do të rrëzohet edhe Hashim Thaçi (bashkë me juve dhe të tjerët). E deri sa të ndodhë kjo gjë, unë do të lutem që të mos ju vijë ndëshkimi i popullit, por të rrëzoheni vetvetiu. 

Me respekt, 

Lirim SHABANI

Afganistan, 16 Janar 2012