KE-ja Nuk e Lejon Martyn të Dëshmojë

Prokurori Jonathan Rathel bëri të ditur në seancën e të martës se në përgjigje, Këshilli i Evropës (KE) e ka përmendur çështjen e imunitetit të Martyt, përkatësisht nenin 14, i cili e kufizon imunitetin.

Sipas këtij neni, një anëtari i KE-së nuk mund të ndiqet penalisht apo me padi civile si dhe të merret në pyetje për ato çka ai ka deklaruar, apo ka votuar në Këshill.

Rrjedhimisht, pjesa kufizuese bie në punën që Marty ka bërë si raportues special i KE-së.

Dick Marty, ish-senator i Zvicrës dhe asamblist në Këshillin e Evropës, kishte përpiluar një raport special ku ngre dyshime lidhur me trafikimin e organeve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) në Shqipëri, në kohën e luftës në Kosovë.

Përmes raportit të tij, Marty kishte akuzuar UÇK-në dhe udhëheqës të saj se kishin trafikuar njerëz dhe kryer transplante organesh në të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” në Shqipëri.

Edhe anëtari i kolegjit të gjyqtarëve, Dean Pinales, deklaroi se kolegji e ka të qartë se Këshilli i Evropës ka kthyer një përgjigje negative dhe se nuk i ka lënë mundësi tjetër gjykatës. Nga ana tjetër, ai theksoi se në përmbajtjen e përgjigjes nuk është përmendur fare neni 19, i cili e lejon heqjen e imunitetit.

Seanca e sotme në Rastin Medicus ka vazhduar me marrjen të tre dëshmitarëve. Seanca e radhës në këtë çështje është caktuar me datën 3 shtator.