Ilustrim

Identifikimi i Gropave me Ndihmën e iPhonave

Dimri i ashpër i këtij viti i ka lënë rreth 500 rrugët e kryeqytetit me gropa dhe prishje të shumta.

Komuna ia ka dhëne tenderin për riparimin e rrugëve, kompanisë “Kastrioti”, mirëpo zyrtarët komunalë pranojnë se mund të marrë muaj për të identifikuar se në cilat rrugë do të duhej të punohej.

Por një teknologji e re e zhvilluar në Boston të SHBA-së, ka gjasa që është çelësi i zgjedhjes për të shkurtuar, në masë të madhe, kohën që nevojitet për këtë proces.

Aplikacioni lejon që akselerometri i telefonave smart të ndiejë gropat gjatë vozitjes, dhe me pas i dërgon këto të dhëna përmes koordinatave të GPS-it në një bazë të dhënave që do të vendosej në komunë, për të krijuar një hartë reale, që kap problemet nëpër rrugë dhe i identifikon herët.

Avni Bytyqi nga organizata Iniciativa për Progres, INPO, tha se kjo qasje do të mund të ishte e suksesshme edhe në Kosovë.

“Praktikat e tilla si në SHBA dhe Britani janë praktika që pa dyshim mund të gjejnë zbatim efikas jo vetëm në kryeqytetin, por në të gjitha komunat e Kosovës”, tha Bytyqi. Sipas tij, “një sistem i tillë mund të jetë shumë efikas për identifikimin sa ma te lehtë të rrugëve të dëmtuara në rrugët e kryeqytetit”.

“Shumë qytetarë kanë telefona me aplikacion android dhe iOS (Apple) kështu që nuk do të ishte e vështirë për ta implementuar këtë program”, mendon Bytyqi.

“Përkundrazi, në Kosovë kemi shumë nevojë për praktika të tilla, kur qytetarët janë aktivë në proceset komunale”.

Komuna e Prishtinës dështoi të përgjigjet në pyetjen e gazetës se a do të mund ta përdornin ata një aplikacion të tillë.

Asdren Osaj, këshilltar i kryetarit të Komunës, i fajësoi kompanitë e ndryshme të pastrimit për shumë dëme që janë bërë në rrugë.

“Një prej shkaktarëve të dëmtimit të rrugëve në brendësi të qytetit janë edhe ngricat e mëdha që e kanë përshkruar këtë dimër, si dhe përdorimi i madh i kripës, që ka shkaktuar copëtimin e asfaltit”, tha Osaj

Sipas tij, dëmtimet më të mëdha të rrugëve janë konstatuar në lagjet Tophane, Dodona dhe Pejton. “Këto dëmtime të rrugëve në këto lagje kanë ardhur si pasojë e intervenimeve të ndërmarrjes ujësjellësi rajonal ‘Prishtina’, e cila është duke bërë riparimin dhe ndërrimin e gypave të ujit të pijshëm”.

Komuna thotë se bashkërisht me kompaninë e ujësjellësit do të intervenojë në riparimin e këtyre dëmtimeve, menjëherë pasi të përfundojnë punimet në rrjet.

Osaj tha se riparimi i rrugëve është një proces qe merr kohë. “Mirëmbajtja verore e rrugëve, ku përfshihen edhe mbulimi i gropave me shtresa asfalti zgjat gjatë terë sezonin veror. Identifikimin e pjesëve të dëmtuara e bën Komuna”, tha ai.