Foto: KALLXO.com

Flaka jashtë e myku brenda - Lufta e dyfishtë e zjarrfikësve të Kosovës

Gjatë kohës së verës shpeshherë na bie të shohim ekipe të shumta të zjarrfikësve duke luftuar me flakët që kanë përfshirë fusha, male e edhe objekte banimi e biznesi. 

Përveç flakëve, zjarrfikësit thirren edhe për intervenime në aksidente trafiku e situata të ndryshme e të rrezikshme. 

Përveç tymit e flakëve me të cilat përballen në terren, shumë zjarrfikës në Kosovë kur kthehen në stacionin e tyre pas intervenimeve, përballen edhe me kushte të rënda e të mjerueshme në objektet e punës. 

Në Klinë, myku është shfaqur në dhomën e kujdestarisë së zjarrfikësve derisa në një pjesë muri është plasaritur. 

“Dhoma e pushimit kur kemi nevojë nga rastet kur jemi të lodhur e shfrytëzojmë dhomën e pushimit. Pjesa nalt veç plafoni ka mundësi që edhe bjen siç po shihet. Ka nja 1 vjet apo 2 që u plasarit. Në momentin që bjen shi mundet me depërtu shiu. Vendi është shumë i vjetër, është pak problem dhe çdoherë duhet me bë riparime, me u sanu problemi”- tregon Izet Haxhaj deri sa shprehet se objekti nuk përmbush asnjë standard të qëndrimit aty. 

Një objekt, i cili në të kaluarën, para luftës, është shfrytëzuar si shtëpi shëndeti, tashmë ka dhjetë vite që në të është vendosur ekipi i njësisë së zjarrfikësve të Klinës. 

Nga gjashtë dhoma të objektit, në tri prej hapësirave nuk ka as energji elektrike. Shqetësuese është fakti se në hapësirën ku mbahen pajisjet kryesore të punës nuk ka as poç elektrik. 

Derisa ekipi i KALLXO.com bashkë me Haxhajn nisen për t’u futur brenda objektit, ky i fundit kërkon që të ndizet drita e një zjarrfikës tregon se nuk ka poç elektrik në korridor. 

“Që kur kemi hy, kjo orë e rrymës është kështu, përjashto ndonjë ndërhyrje që e kemi bërë në siguresa. Ka ndodhur me pasë problem, me gjujtë siguresën kur ka lagështi e shi, e gjuan siguresën, ka ndodhë”- thotë Haxhaj.

Te hapësira e pajisjeve, Haxhaj thotë se i marrin pajisjet dhe dalin jashtë që të vishen e bëhen gati për të dalë në terren.

Përveç mungesës së energjisë elektrike në disa hapësira, zjarrfikësit nuk i kanë të testuara as aparatet e frymëmarrjes.

“Aparatet, pajisjet personale të zjarrfikësve, nuk është se jemi keq, nuk është me u anku shumë, me përjashtim të aparateve të frymëmarrjes, e kanë një limit, një kohë që duhet me u testu e nuk testohen, të frymëmarrjes e kam fjalën”- ngre shqetësimin udhëheqësi i ndërrimit të zjarrfikësve në Klinë, Izet Haxhaj.  

Në Klinë, njësia përbëhet nga 15 zjarrfikës.

Haxhaj thotë se që 20 vite është pjesë e këtij shërbimi emergjent dhe asnjëherë nuk ka pasur kolegë të rinj. Me ata që ka nisur në atë kohë, të njëjtit i ka edhe tani.

Përveç mungesës së një objekti adekuat që plotëson standarde normale, mungesës së kolegëve zjarrfikës, Haxhaj tregon edhe se kanë mungesa të shumta edhe në pajisje intervenuese. 

Deri para dy viteve, njësiti i Klinës nuk kishte as pajisje adekuate për të intervenuar në raste të aksidenteve. 

“Ne i kemi dy automjete, një automjet është i mirë, i ka diku 4 mijë litra ujë. Njëri nga këta dy automjete është jashtë standardit. Nuk kemi automjete fushore dhe dihet që në sezonin e verës kemi zjarre të shumta fushore dhe kemi vështirësi sepse terrenet janë të papërshtatshme”- thotë Haxhaj. 

“Po bëhen dy vite që i kemi marrë do dara hidraulike për intervenim në aksidente. Më herët i kemi pasë do dara të tjera primitive që me të thanë të drejtën as nuk ia ka vlejtë me shku me to në terren mirëpo vullneti e dëshira e zjarrfikësve me punu në këtë drejtim me ato mundësi e kapacitete kemi shku e iu kemi përgjigjë thirrjeve, me takat çka kemi mujt me bë”- rrëfen tutje Haxhaj. 

Me njërin nga automjetet, atë të vetmin që i plotëson standardet, Haxhaj thotë se nuk mund të intervenojnë në ndërtesa të larta. 

“Me këtë automjet deri në katin e dytë, të tretë më së shumti, mundemi me intervenu me shkallë mekanike që i quajmë ne. Në katin e katërt nëse ndodh zjarri nuk kemi shkallë hidraulike dhe duhet me e rreziku jetën me ndërhy përmes shkallëve normale qysh të mujmë”- tregoj tutje Haxhaj për KALLXO.com. 

Gjendje e rëndë sa u përket pajisjeve të zjarrfikësve është edhe në Viti.

Ekipi i KALLXO.com vizitoi njësitin e zjarrfikësve atje për të parë nga afër situatën.

Në një garazh tre automjete për ndërhyrje emergjente të njësitit të zjarrfikësve në Viti kanë mbetur në mëshirën e një stufe të druve, e cila duhet të mbahet e ndezur gjatë gjithë kohës për të mos u ngrirë tubat e ujit.

Kjo pasi që në rast të ndonjë thirrjeje emergjente njësiti duhet të niset menjëherë në intervenim ndërsa stina e dimrit dhe ngricat shpeshherë krijojnë probleme me ngrirjen e ujit, gjë e cila mund të pamundësojë edhe intervenimin e shpejtë.

Njësia e zjarrfikësve në Viti tash e sa vite po funksionon brenda një objekti me kushte të mjerueshme dhe me mungesë të shumë pajisjeve emergjente.

Ata hall kanë ngrirjen e tubave të kamionit për operacione, që mund t’ua vështirësojë ndonjë intervenim emergjent.

“Ne po kemi probleme tash me temperaturat e ulëta që janë shkaktu, janë në minus, kemi vështirësi në automjetet që na u ka dashtë me i mbrojtë nga temperaturat e ulëta dhe siç po e shihni edhe vetë kushtet janë shumë të vështira”- thotë Zaim Salihu, shefi i ndërrimit të zjarrfikësve në Viti.

Automjeti sulmues është ai që i prin intervenimit dhe ai duhet të jetë 24 orë i shkrirë dhe në gjendje të gatshme për t’u përdorur.

“Na është dashur 24 orë me u kujdesë për automjetet. Siç po e shihni edhe vetë, gjendja qysh është, e kemi pas vështirë me i mbrojtë automjetet nga ngricat. Zgjidhjet po i shihni edhe vetë – me dru, është një stufë e improvizuar, shumë e dobët, me këtë kemi arritë që me i mbrojtë automjetet sepse qytetarit nuk i interesojnë kushtet e tona, ne duhet gjithsesi duhet me i mbrojtë nga ngricat sepse duhet me i pasë të pajisura me ujë dhe mos me u ngri, të gatshme për intervenim”- thotë Salihu.

Salihu me shqetësim e thotë se situata e vështirë u ka krijuar probleme zjarrfikësve.

“Asnjë njësit në Kosovë nuk është në këtë gjendje si ne, është shumë e vështirë, unë si përgjegjës i ndërrimit vazhdimisht me qëndru aktiv, mos me i lanë zjarrfikësit me i këqyrë automjetet, fokusin e kemi të kamionët me të thanë të drejtën”- shton ai.

Zjarrfikësit kanë pak shpresë meqë tashmë në muajt e fundit ka përfunduar edhe objekti i ri në të cilën do të transferohen ndërsa ka mbetur edhe procedura e pranimit teknik.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Viti, Basri Aliu, në një intervistë për “Kallxo Përnime” tha se tashmë procedurat janë drejt përfundimit.

“Në vitin 2017, Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur tenderin për ndërtesën e zjarrfikësve dhe diku deri në vitin e kaluar nuk ka qenë e përfunduar për shkak se operatori që ka pasur nuk i ka kryer të gjitha punët që është dashtë me u kry për shkak, sigurisht ka kërku edhe punë shtesë, mirëpo ndërkohë MPB i ka ndërprerë kontratën atij dhe i ka bë prerjen e punimeve në objekt dhe ka mbetë që të vazhdohet me rregullimin e objektit të ri”- thotë Aliu.

Ai shton se përgjegjësia ka kaluar te Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave.

“Ata janë arsyetuar se nuk kanë fonde të mjaftueshme për rregullimin e objektit. Ne kemi shprehur vullnetin si Komunë e Vitisë që të ndihmojmë në projekt që të përfundojë puna e cila ka mbetur pa u kryer. Janë në përfundim punimet përveç që ende nuk është pranuar teknikisht dhe disa punë të tjera që duhet me i kry operatori dhe pastaj të dalin zjarrfikësit në objektin e ri”- shton tutje Aliu derisa pranon se gjendja aktuale është jashtë standardeve.

“Është fakt që gjendja është e rëndë por pa u bërë pranimi teknik nuk mund t’i bartim zjarrfikësit atje. Por kjo çështje është thuajse e kryer sepse veç është në finalizim dhe punë të vogla dhe të përfundojë objekti i ri. Saktë nuk mund të them por brenda 1 muaji 2 gjithsesi, varet edhe nga kushtet atmosferike”- përfundon Aliu.

Në Suharekë, brenda një hapësire prej 50 metrave katrorë zjarrfikësit mbajnë oraret e tyre derisa nuk kanë ndonjë thirrje për intervenim. Ngjitur është një garazh në të cilin rri në gjendje gatishmërie një automjet. Për të mos u ngrirë ujë në të rri ndezur një kalorifer.

Nga nëntë automjete që ka Suhareka gjithsej për zjarrfikësit vetëm një mund të jetë në gjendje gatishmërie pasi që nuk ka hapësira të tjera ku të mirëmbahen.

Objekti ku janë të vendosur zjarrfikësit e Suharekës është i viteve ‘70-ta.

Komandanti i njësitit të zjarrfikësve të Suharekës, Vehbi Krasniqi, thotë se objekti është i stërvjetëruar, duke shtuar faktin edhe se hapësira e mirëmbajtjes së automjeteve është shumë e vogël.

“Nuk i plotëson kushtet as minimale për shërbimin zjarrfikës në çdo aspekt”- thotë Krasniqi.

As në Suharekë nuk mund të intervenohet nga kati 3 e lart me automjetet që posedojnë aktualisht.

Kjo pasi që nuk kanë shkallë hidraulike që ndihmojnë ngjitjen në katet e larta për intervenim.

Edhe në këtë njësit, ngjashëm sikurse të tjerët që vizitoi KALLXO.com, intervenimi në katet e larta bëhet përmes shkallëve të ndërtesave të brendshme apo ato emergjente.

Meqë nuk ka hapësirë të gjerë e të përshtatshme, zjarrfikësit në Suharekë pajisjet e punës por edhe veshjet i mbajnë në disa kontejnerë.

“Me lëshu uji, nuk e lëshon brenda kontejnerit, por mirëmbajtja e tyre nuk është adekuate kur nuk ke sipërfaqe të mjaftueshme. Këto pajisje duhet të jenë të vendosura ndaras”- thotë tutje Krasniqi derisa në njërin kontejnerë shihen se të gjitha pajisjet, bombolat e oksigjenit, ato të fikjes së zjarrit, mjetet e lehta për intervenim janë të grumbulluara në një vend dhe të ngjitura njëra me tjetrën.

As veshjet personale e profesionale të zjarrfikësve nuk janë në një vend më të mirë. Në kontejnerin përballë pajisjeve janë edhe veshjet.

“Ky është një kontejner për veshjet, çdo zjarrfikës ka dollapin e vet, ku i mbajmë pajisjet personale. Siç po shihni kushtet nuk janë kurrqysh, por, jemi gjithmonë me shpresë se kushtet do të rriten”- tregon Krasniqi.

Madje një problematikë tjetër e këtij njësiti është se gjenden në qendër të Suharekës dhe kjo më pas pengon edhe daljen emergjente për shkak të frekuentimit të madh të rrugës kryesore nga këmbësorët.

Në Malishevë ekipin e KALLXO.com e priti zëvendëskomandanti i zjarrfikësve, Muhamet Xhyliqi.

Ai tregoi se përveç numrit të vogël të zjarrfikësve dhe mungesës së pozitave nga të cilat janë pensionuar kolegët e tij dhe nuk janë plotësuar, kanë edhe mungesë të mjeteve dhe hapësirave adekuate.

Për shembull, në këtë komunë, automjetet që gjendeshin në garazh kohë pas kohe ndizeshin ndërsa nga to liroheshin edhe gazra të cilat ndikonin më pas edhe në shëndetin e zjarrfikësve.

“Si objekt nuk është keq, por për kapacitetet e zjarrfikësve objekti duhet me qenë më i madh sepse kamionët i vendosim këtu ku jemi në këtë hapësirë por këta dimrit duhet me i ndezë dhe i gjithë tymi mbetet brenda, ne këtu qëndrojmë”- thotë Xhyliqi.

Për dallim nga Klina, Suhareka e Vitia, në Malishevë të paktën kanë sistemin e ngrohjes qendrore më të cilët i mbajnë ngrohtë e të gatshëm për intervenim automjetet.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme funksionon edhe Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave.

Objekti i kësaj Agjencie ka tash së fundmi që është funksionalizuar. Pra objekti është i ri i vendosur në Hajvali.

KALLXO.com ka sfiduar drejtorin e Departamentit të Zjarrfikësve, Nexhat Behrami, me kushtet me të cilat po përballen zjarrfikësit jo veç në terren por edhe në objektet ku qëndrojnë.

Ai tha se kanë ndarë një buxhet për vitin 2024 dhe se me të njëjtin do të mundohen t’i plotësojnë disa nga kushtet e zjarrfikësve.

“Në Klinë kam qenë vitin e kaluar, mirëpo nuk është vetëm Klina, i kemi 34 stacione në Kosovë të njësive zjarrfikëse dhe ato vizitohen kohë pas kohe dhe sipas kërkesave të tyre në terren”- thotë Behrami.

Ai pranoi vetë se nuk ka ndonjë njësit që është i kompletuar me të gjitha pajisjet.

“Kjo është pyetje e vështirë me u përgjigj sepse zjarrfikësit janë një shërbim specifik dhe nuk është shërbim i rëndomtë prandaj ata përdorin pajisje të shumta të specializuara dhe të cilat përdoren çdo ditë. Gjatë përdorimit ato amortizohen, dëmtohen dhe prandaj nuk mund të themi 100 për qind që kanë të gjitha pajisjet, por mund të them se nuk janë pa pajisje”- thotë Behrami.

Ai arsyeton mungesën e automjeteve me shkallë hidraulike për njësitet e zjarrfikësve duke u shprehur se kanë metoda të ndryshme që mund t’i përdorin për të intervenuar në kate të larta.

“Kur thash se kanë pajisje dhe automjete, ato i kanë nuk janë 100 për qind po e përsëris, mirëpo ato ekzistojnë, e vërtetë është edhe se janë të vjetra dhe janë standarde të ndryshme si rezultat i donacioneve kjo pak krijon edhe vështirësi për mirëmbajtjen e tyre, e sa i përket automjeteve për katin e dytë e të tretë, nuk ka nevojë të përdoren automjetet zjarrfikëse por janë shkallët manuale që mund të përdoren për këtë lartësi”- tha Behrami.

Ai tha se Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave ka paraparë ndërtimin e disa objekteve për njësi të ndryshme të zjarrfikësve në regjionet e Kosovës.

“AME ka paraparë edhe ndërtimin e objekteve në disa komuna ku kushtet nuk janë të mira për qëndrim të personelit dhe automjeteve e pajisjeve, është paraparë që në këtë vit dhe dy vitet e ardhshme të realizohen projekte në këtë drejtim. Sa i përket nxehjes së garazheve është evidente dhe është e domosdoshme sepse automjetet janë të mbushura me ujë dhe në temperatura të ftohta mund të ngrihen”- thotë tutje Behrami.

“Është një bindje që shërbimi i zjarrfikësve nuk është vendos në atë vendin që duhet të ketë në krahasim me shërbimet tjera të sigurisë publike. Megjithatë është koha që të mendojmë në këtë drejtim dhe zjarrfikësit të kenë një vend meritor”- shton ai.

Behrami shton se Ministria tashmë ka ndarë buxhetin për disa linja, automjete, kompensimin dhe pajisje të tjera për zjarrfikësit.

Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës gjatë vitit 2023 ka organizuar protesta për të kërkuar trajtim më të dinjitetshëm për këtë kategori.

Muharrem Beka, kryesindikalist, në një intervistë për KALLXO.com tregon se vështirësitë janë të mëdha dhe se zjarrfikësit janë të lënë anash shumë.

Ai u zu ngushtë kur u pyet se kush merr përgjegjësi në rast se një zjarrfikës mund të humbë jetën në vendin e punës.

“Dhashtë Zoti mos të ndodhë! Mirëpo specifikat e zjarrfikësve janë që kanë punë me rreziqe të ndryshme, nuk dihet çka ndodh, jemi të shqetësuar për kushtet e tyre të punës. Është mjaft e vështirë për t’u përgjigjur sepse ende nuk kemi ndonjë punëdhënës që përkujdeset për mbarëvajtjen dhe për punët e zjarrfikësve sepse kemi mbetur të padefinuar”- thotë Beka.

Ai shton se në shumicën e regjioneve në Kosovë janë evidentuar kushte të dobëta edhe në aspektin higjienik, edhe të pajisjeve të punës.

“Kemi disa komuna stacionet janë në gjendje më të keqe, në Prishtinë për shembull janë kushtet bile pak më të mira. Kemi raste për shembull në disa stacione lëngjet që janë lëshuar nga kamionët kanë reflektuar edhe në shëndetin e zjarrfikësve”- shton ai.

As Beka nuk mund të thotë me vërtetësi të plotë se ka ndonjë stacion që i plotëson të gjitha standardet që kërkohen.

“Shumica edhe nëse kanë pajisje i kanë donacione, të vjetra, mirëpo ka të atilla që nuk kanë fare pajisje për një çështje të caktuar. Nuk është çështja e reagimit dhe as stafi standard që duhet të ndiqet apo ndiqet aktualisht në botë”- thotë ai, duke shtuar edhe se janë diku rreth 500 zjarrfikës mangu në këtë kategori.

Beka thotë se pavarësisht gjendjes në të cilën gjenden zjarrfikësit, ende kanë shpresë se të njëjtit do të trajtohen ndonjëherë në mënyrën se si e meritojnë, duke u bazuar edhe në përgjegjësitë dhe detyrat që kanë.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar në lidhje me problemet, protestat e gjendjen në të cilën punojnë zjarrfikësit.

Edhe në vitin 2021, KALLXO.com publikoi një hulumtim që tregonte për thuajse problemet e ngjashme të zjarrfikësve.