Parregullsitë e trashëguara të Klinikës së Radiologjisë

Klinika e Radiologjisë në QKUK po del të jetë e rrezikshme për pacientët dhe punëtorët e saj.

Pas matjeve të fundit, Agjencia për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore thotë se në këtë Klinikë ka mungesë të pajisjeve mbrojtëse, mungesë të ekspertit të fizikës mjekësore e mungesë të pajisjeve që gjenerojnë jonizimin.

Raporti ka gjetur se në Radiologji nuk kanë pajisje mbrojtëse të mjaftueshme për pacientë, përcjellës të pacientëve dhe staf profesional, po ashtu nuk kanë “dorëza të plumbuara, syze, qafore, pajisje për gonade”.

“Gjatë inspektimit, teknikët e radiologjisë realizuan dy raste të ekspozimit të pacientëve, një fëmije (me përcjellës) dhe një grua e moshuar se nuk kishin vendosur pajisje mbrojtëse edhe ato pak pajisje që kishin nuk i përdornin për këtë qëllim”, thuhet tutje në raport.

Tutje në raport thuhet se punëtorët asnjëherë nuk kanë mbajtur takim me kryeteknikun e Radiologjisë për t’u informuar për dozat e rrezatimit për secilin punonjës, rrjedhimisht edhe të vendosin nëse duan të vazhdojnë punën në një klinikë me rrezikshmëri të tillë. Më tej në gjetjet e inspektimit thuhet se stafi asnjëherë nuk është trajnuar për mbrojtje nga rrezatimi dhe për përdorimin e pajisjeve.

Inspektorati i AKMRrSB ka gjetur se mbi 80 për qind të punonjësve nuk kanë pasqyrë mbi dozat e pranuara të rrezatimit (dozimetër) dhe gjithashtu nuk ka raportuar për këto doza.

“Mbi 80 për qind e punonjësve nuk kanë pasqyrë mujore mbi dozat e pranuar të rrezatimit nga rrezet X kjo për shkak se dozimetrat personale ose i kanë kthyer pa i shfrytëzuar ose dozimetrat nuk i kanë kthyer fare (sipas Institutit të mjekësisë së Punës), gjë që është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore. Nga kjo pikë mund të kolaudojmë se bazuar nga inspektimi paraprak me numër të procesverbalit 021/2015, gjendja rreth monitorimit dozimetrik personal është edhe më e keqe. Andaj me këtë ne nuk kemi një pasqyrë se ekspozimet e punonjësve janë brenda limiteve mujore/vjetore për vitet 2017 dhe 2018”, thuhet në raport.

Inspektorati i Agjencisë nga gjetjet pas inspektimit ka dhënë një urdhëresë dhe ka bërë disa kërkesa për Klinikën e Radiologjisë. Inspektorati ka kërkuar që të funksionalizohet sistemi i ventilimit dhe të urgjentisht të kontaktojnë më ekspertin për mbrojtje nga rrezatimi dhe të bëjnë aplikimin për licencim në këtë Agjenci.

Drejtori i Klinikës së Radiologjisë, Bujar Gjikolli, në janar i ka bërë disa kërkesa në ShSKUK rreth përmirësimit të gjendjes në këtë Klinikë.

“Kërkesë për mbrojtje të vendit të punës, kontrollime sistematike, kërkesë për mbrojtje në punë, funksionalizim të plotë të ventilimeve nëpër kabinete radiologjike, kërkesë për një fizicient klinik dhe kërkesë për blerjen e pajisjeve mbrojtëse për stafin dhe pacientët”, janë kërkesat e Gjikollit sipas raportit.

Në raport po ashtu tregohet se kjo Klinikë tashmë ka aplikuar për licencim dhe tashmë ka filluar procesi i licencimit.

Kjo Agjenci që vepron në kuadër të Qeverisë së Kosovës, në raportin e saj të inspektimit thotë që kjo Klinikë nuk ka licencë. E në Ministrinë e Shëndetësisë kanë një shpjegim pse Klinika e Radiologjisë nuk ka nevojë për licencim.

“Shumica e institucioneve shëndetësore publike kanë qenë të themeluara dha kanë punuar edhe para luftës, siç është Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe klinikat e saj. Pas përfundimit të luftës, institucionet shëndetësore publike kanë vazhduar punën në rrethana të reja dhe leja e tyre për punë është marrë si e mirëqenë.  Kjo ka të bëjë me të gjitha klinikat, spitalet publike dhe jo vetëm me Radiologjinë. Pra, këto institucione kanë ekzistuar dhe kanë punuar shumë vite para se të krijohet Agjencia të cilës i referoheni dhe në rrethana të tjera”, kanë thënë nga Ministria.

Nga Ministria po ashtu thonë se licencimit nga kjo Agjenci i nënshtrohen institucionet private shëndetësore, të cilat janë themeluar pas luftës. Licencat e tyre janë pesëvjeçare dhe pas skadimit ato aplikojnë për rilicencim.

Drejtor i Klinikës së Radiologjisë, Bujar Gjikolli, ka thënë për JnK se rreth licencimit të kësaj Klinike nuk mund të flasë për periudhën kur nuk ka qenë në këtë pozitë, ndonëse ka shtuar se tashmë kjo klinikë ka aplikuar për ta marrë atë.

Ai ka thënë se janë duke punuar në trajnimin e stafit rreth përdorimit të pajisjeve.

“Klinika e Radiologjisë në Odën e Mjekëve të Kosovës ka akredituar programin e edukimit profesional të vazhdueshëm, për herë të parë në këtë formë dhe në këtë magnitudë duke kyçur edhe ekspertë të jashtëm të cilët ligjërojnë për personelin tonë”, ka shtuar Gjikolli.

Në anën tjetër, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore, Beqir Mezelxhiu thotë se kanë bërë inspektime në këtë Klinikë disa herë, por edhe përkundër gjetjeve, drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë, udhëheqësit e ShSKUK-së dhe të kësaj Klinike asnjëherë nuk i kanë marrë parasysh ato.

“Pas disa takimeve të njëpasnjëshme me ish drejtorin e ShKSUK-së dhe në atë kohë me Ministrinë e Shëndetësisë për t’i përcjellë rregullimet e gjetjeve nga inspektimi, rregullimet dhe përmirësimi i situatës radiologjike ka rezultuar pozitiv për Institutin e Onkologjisë dhe për Klinikën e Mjekësisë Bërthamore.  Ndërsa drejtuesit e Klinikës së Radiologjisë nuk kanë pasur vullnetin dhe kompetencën e duhur për ta rregulluar situatën”, ka thënë Mezelxhiu.

Ndërsa për inspektimin e fundit të muajit prill 2019 ai ka thënë se tashmë janë parë frytet e para, pasi që kjo Klinikë ka aplikuar për licencim duke shtuar se Agjencia do ta përcjellë situatën e kësaj Klinike në vazhdimësi.