Operacionet në QKUK, ilustrim Foto: ShSKUK

Sa do t’i kushtonte shtetit të sigurojë aparaturë për rezonancë magnetike në 7 spitalet rajonale?

Shërbimi i rezonancës magnetike nuk ofrohet në asnjë nga shtatë spitalet rajonale në vend. Pacientët të cilët kanë nevojë për një shërbim të tillë duhet të shkojnë në Klinikën e Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi që vetëm në këtë Klinikë mund të kryhet një shërbim i tillë.

Drejtori i Klinikës së Radiologjisë, Bujar Gjikolli, në emisionin “Kallxo Përnime” duke bërë një llogaritje të thjeshtë të çmimit të aparaturës për rezonancë magnetike sqaroi se shtetit i duhen rreth 11 milionë euro investime – blerje të aparaturave për rezonancë magnetike dhe të gjithë spitaleve rajonale u shtohet shërbimi i rezonancës.

“Me 11 milionë e kryen krejt Kosovën”, thotë ai.

Sa u përket shërbimeve të tomografisë së kompjuterizuar apo CT, Klinika e Radiologjisë aktualisht ka tre aparatura për CT dhe e katërta është në objektin e ri të Klinikës së Pediatrisë, e cila ende nuk është funksionalizuar.

Tomografia e kompjuterizuar apo CT shërben për incizimin e brendshëm të trupit.

Në Klinikën e Radiologjisë detektohen sëmundjet pa e hapur trupin, por përmes aparaturave mjekët mund të arrijnë të shohin detajisht brenda trupit të njeriut e përmes tyre bëhet diagnostikimi i sëmundjes.