Gjikolli: Në Radiologji nuk ka aparaturë që nuk punon

Drejtori i Klinikës së Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Bujar Gjikolli, në emisionin “Kallxo Përnime” ka treguar nëse ka aparatura në Klinikën që nuk punojnë.

Radiologu sqaroi se ka raste kur aparatura prishet dhe duhet të presë disa ditë për të rregulluar mirëpo ai thotë se nuk ka aparaturë në Klinikë e cila nuk është në funksion për t’u ofruar shërbime pacientëve.

“Aparatet nuk janë ndalur së punuari në vazhdimësi, për herë të parë në historinë e Klinikës së Radiologjisë. Prishje ka pasur, është rregulluar një ditë, dy ditë apo një javë sa ka munguar pjesa (e aparaturës) por me mungu një muaj, dy muaj apo tre muaj nuk ka ndodhur”, tregon ai.

Klinika e Radiologjisë aktualisht ka tre aparatura për tomografi të kompjuterizuar – CT dhe e katërta është në objektin e ri të Klinikës së Pediatrisë së fëmijëve e cila ende nuk është funksionalizuar.

Tomografia e kompjuterizuar apo CT shërben për incizimin e brendshëm të trupit të njeriut.

Në Klinikën e Radiologjisë detektohen sëmundjet pa e hapur trupin e njeriut, por përmes aparaturave mjekët mund të arrijnë të shohin detajisht brenda trupit të njeriut e përmes së cilës bëhet diagnostikimi i sëmundjes.