Komuna e Prizrenit - Foto: KALLXO.com

Në kulmin e pandemisë, Komuna e Prizrenit nënshkruan kontratë për mbajtjen e koncertit veror

Në kulmin e pandemisë së Coronavirusit dhe kur ndalohet mbajtja e koncerteve, Komuna e Prizrenit ka nënshkruar një kontratë me “Sfinga” SHPK për organizimin e një koncerti veror në këtë komunë.

Kontrata që peshon 9,779 euro, me numër 622-21-4904-2-3-6/C668, për këtë koncert, në mes të Komunës së Prizrenit dhe “Sfinga” SHPK është nënshkruar më 30.08.2021.

Sipas kontratës në koncert do të performojë një këngëtar i huaj, i cili do të caktohet nga komuna.

Në Kontratën që e ka siguruar KALLXO.com nuk ceket lokacioni dhe koha kur do të mbahet koncerti dhe as emri i këngëtarit që do të performojë në koncert.

Sipas kontratës, palët janë pajtuar që koncerti të realizohen brenda 60 ditëve të punës, nga hyrja në fuqi e kontratës.

Kontrata në mes të Komunës dhe “Sfingës”, për organizimin e një koncerti veror në Prizren është nënshkruar dy ditë pasi Qeveria e Kosovës miratoi masat të reja për parandalimin e COVID-19.

Sipas këtij vendimi deri më  13 shtator 2021, ndalohet organizimi i koncerteve dhe festivaleve.

Koncerti është paraparë të organizohet nga Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik (DTZHE) e Komunës së Prizrenit në bashkëpunim me “Sfinga” SHPK.

Në një përgjgije të Komunës së Prizrenit, për KALLOX.com nuk tregohet se kur dhe ku është planifikuar të mbahte koncerti, por thuhet se koncerti është paraparë të organizohet sipas vendimeve të Qeverisë për parandalimin e COVID-19.

Ndërsa, po sipas Komunës së Prizrenit në këtë koncert do të përformojë një artist.

“Në rast se nuk do të ketë zbutje të masave, atëherë organizimi i koncertit do të shtyhet apo edhe do të anulohet. Sipas planifikimeve është paraparë të performojë një artist. Përcaktimi i artistit do të bëhet para vendosjes së mbajtjes së koncertit”, thuhen në përgjigjen e DTZHE të Komunës së Prizrenit.

Po sipas DTZHE-së së Prizrenit, tenderi për organizimin e koncertit është publikuar më 28.07.2021, ndërsa një kompani ka qenë pjesëmarrëse në këtë tender.

Ndërkaq, Liburn Asllani nga kompania “Sfinga” SHPK ka thënë për Kallxo.com se është përgjegjësi e DTZHE që shtyjë më tej procedurat për mbajtjen e  koncertit, pas nënshkrimit të kontratës.

“Nga momenti i nënshkrimit të marrëveshjes deri më tani ne nuk kemi ndonjë informate rreth këtij organizimi apo kontakt nga menaxheri i projektit. Në paramasë është e specifikuar Angazhimi i një artisti në bashkëpunim me DTZHE. Andaj për çdo detaj rreth këtij organizmi është kompetent e INVESTITORI”, ka thënë përfaqësuesi i “Sfinga” SHPK, Liburn Asllani.

Aktualisht në vend janë në fuqi masat qeveritare anti-COVID-19. Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës të 28 gushtit 2021, për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, deri më 13 shtator 2021 ndalohet organizimi i koncerteve.

“Pavarësisht numrit të personave, ndalohet veprimtaria e klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, eskurzioneve, peligrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Muajt e fundit sidomos në gusht dhe shtator në vend është shënuar një numri i madh i vdekjeve dhe infektimeve me COVID-19.

Vetëm në baza ditori në vend shënohen vdekje që i kalojë 30 persona, ndërsa regjistrohen me mijëra infektime.