Shkolla Profesionale “Selajdin Mullaabazi-Mici” në Rahovec || Foto: Kallxo.com

Ish-Drejtoresha e Arsimit ia ‘Qëndis’ Vetes Konkursin

10 ditë para raundit të dytë zgjedhjeve për kryetar të komunës, Drejtoria e Arsimit në Komunën e Rahovecit kishte shpallur konkurs për plotësimin e vendeve të punës në tri shkolla në Rahovec. Konkursi është hapur gjatë kohës kur Drejtoria e Arsimit udhëhiqej nga Vjollca Vuçitërna.

Vuçitërna, e cili prej vitit 2016 e ka udhëhequr Drejtorinë e Arsimit në Rahovec, ka konkurruar për pozitën e drejtores së Shkollës Profesionale “Selajdin Mullaabazi-Mici” në Rahovec, në ditët e fundit të konkursit.

Pushtetet u ndërruan në Rahovec, Smajl Latifi i AAK-së doli fitimtar në raundin e dytë të zgjedhjeve para Idriz Vehapit të PDK-së. Por, drejtoresha Vuçitërna nuk mbeti pa punë. Ajo u zgjodh menaxhere e kësaj shkolle, madje u organizua edhe një ceremoni festimi.

Gazeta JnK ka gjetur shkelje të shumëfishta në këtë konkurs për drejtor të shkollave në Rahovec.

Drejtoria që udhëhiqej nga Vuçitërna në qershor të 2017-ës kishte hapur konkurs për 3 drejtorë në shkollat “4 Dëshmorët” në Ratkoc, “Ukshin Hoti” në Krushë të Madhe, “Faik Sylka” në Rahovec dhe një zëvendësdrejtor në Shkollën “Isa Boletini” në Rahovec. Por, konkurs nuk kishte hapur edhe për dy shkolla e tjera, “Selajdin Mullaabazi-Mici” dhe “Isa Boletini”. Udhëzimi Administrativ i MASHT 08/2014 parasheh që konkursi për drejtorët e shkollave hapet 3 muaj para se të skadojë mandati i drejtorit të shkollës. Ky afat i përcaktuar në udhëzimin administrativ ishte lëshuar nga kjo drejtori kur bëhet fjalë për shkollën “Selajdin Mullaabazi-Mici”, në të cilën është punësuar më vonë Vuçitërna.

Zvarritja e dyshimtë e konkursit 

Një shkelje tjetër që është vërejtur gjate hulumtimit është se kjo drejtori nuk e kishte njoftuar MASHT-in një muaj para se të hapte konkurs për drejtor shkolle, ashtu siç e parasheh neni 5 i këtij udhëzimi.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar përgjigje nga Vuçitërna se pse nuk e kanë njoftuar MASHT-in për hapje të konkursit dhe pse nuk është hapur konkursi në muajin qershor. Ajo nuk i është përgjigjur pyetjeve të gazetës të dërguara përmes SMS-së dhe as thirrjeve telefonike.

Hulumtuesi i Gazetës JnK i ka bërë vizitë edhe shkollës në të cilën është punësuar Vuçitërna, mirëpo e ka gjetur derën e mbyllur të drejtorisë. Të punësuarit e tjerë të kësaj shkolle nuk kanë pranuar të tregojnë se kur kthehet drejtoresha.

Kryetari në largim në atë kohë, Idriz Vehapi kishte nënshkruar vendimin për zgjedhjen e Vjollca Vuçitërnës, drejtoreshë të Shkollës së Mesme të Lartë Profesionale “Selajdin Mullaabazi-Mici” në Rahovec me 1 dhjetor 2017. Kontrata ishte nënshkruar me datën 4 dhjetor 2017, pasi kumtimit të rezultateve të zgjedhjeve që e bënin Latifajn kryetar.

I kontaktuar nga gazeta JnK, ish-kryetari Vehapi tha se të gjitha veprimet janë marrë në pajtim me ligjin.

“Ne i kemi respektuar procedurat ligjore, të gjitha, në kohën kur i është nënshtruar intervistës ajo ka qenë e dorëhequr prej drejtoreshës komunale të arsimit dhe kemi pasur konsulta me Inspektoratin e Arsimit në Gjakovë. Ne konsiderojmë që nuk ka shkelje ligjore, por sido që të jetë këtë punë prape e përcakton ligji. Drejtoresha Vjollcë paraprakisht kishte dhënë dorëheqje nga Drejtoria e Arsimit para se të konkurronte për drejtoresh shkolle”, tha ish-kryetari i Rahovecit, Idriz Vehapi.

Gazeta ka kontaktuar me kryeinspektorin e Inspektoratit të Arsimit në Gjakovë, Gjergj Gojani. Ai e ka përgënjeshtruar Vehapin, pasi thotë se kanë dhënë këshilla për Rahovecin.

“Ne nuk kemi marrë asgjë zyrtare nga Rahoveci, as nuk kemi këshilluar askënd në këtë drejtim”, tha shkurt kryeinspektori, Gojani.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi thotë se veprimi i Vuçitërnës është joracional.

“Nuk është e arsyeshme dhe racionale, as e pranueshme që me mendu se si me rehatu veten gjate kohës kur ushtron një funksion publik”, tha Latifi.

Ai thotë institucionet duhet të merren me këtë rast.

“Sa i përket aspektit ligjore-procedural, nuk kam koment- për ato japin përgjigje institucionet që janë të thirrura për këtë punë”, tha Latifi.

Konflikti i mundshëm i interesit

Veprimi i Vuçitërnës mund të bie ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Sipas nenit 4 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të interesit pika 1.10 shprehimisht e parasheh që drejtorët e drejtorive komunale janë zyrtarë të lartë publikë dhe si të tillë janë të obliguar të shmangin çdo lloj konflikti të interesit.

Në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik (Nr.04/L-051), tregohet se çka nënkuptohet me konflikt interesi: “Konflikti i interesit është gjendja e mospajtimit ndërmjet detyrës publike dhe interesave private të zyrtarit të lartë, kur ai ka interesa private të drejtpërdrejta ose të tërthorta, personale ose pasurore, të cilat ndikojnë, mund të ndikojnë, ose duket sikur ndikojnë në ligjshmërinë, transparencën, objektivitetin dhe paanësinë e tij gjatë ushtrimit të funksionit publik”.

Neni 9 i këtij ligji i përcakton veprimet e ndaluara për zyrtarin e lartë. Gjatë ushtrimit të funksionit publik, zyrtarit të lartë i ndalohet të ndërmarrë veprime të cilat në ndonjë mënyrë do t’i përshtaten interesit personal të tij, apo interesit të personave të afërt apo të besueshëm.

Ndonëse veprimet që çojnë në konflikt të interesit i parasheh edhe Kodi Penal i Republikës së Kosovës ku neni 424 shprehimisht thotë që “Personi zyrtar i cili merr pjesë personalisht në ndonjë çështje zyrtare në të cilën ai apo ndonjë anëtar i familjes ose ndonjë person juridik që ka të bëjë me të ka interes financiar, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet.”