Sonte në DnK: Gypat që Dogjën Mijëra Euro

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” sonte transmeton hulumtimin ekskluziv që tregon se si janë shpenzuar fondet publike nga ana e Komunës së Rahovecit.

Hulumtimi i sontëm sjell detaje të projektit për instalimin e ujit të pijes në 5 fshatra të Rahovecit që kushtoi 412 mijë euro, ndërsa gypat kishin filluar të plasariten menjëherë pas lëshimit të ujit.

Poashtu do keni mundësi të shihni detajet se si u pranua teknikisht një projekt i cili nuk funksionoi dhe si u desh të investohen mijëra euro për të dytën herë në këtë projekt.

Se cili është shpjegimi i kryetarit aktual të Rahovecit, Smajl Latifi, në kohën e të cilit ishte instaluar dhe pranuar teknikisht një projekt i cili dështoi me lëshimin e ujit, flet vet kryetari Latifi.

Poashtu do keni mundësi të ndiqni edhe intervistat me banorët e zonës dhe zyrtarët e kompanive që kishin hartuar dhe ekzekutuar projektin i cili dogji mijëra euro.

Në pjesën e dytë të emisionit do mund të ndiqni një reportazh ekskluziv me efektivët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në pamje ekskluzive do mund t`i ndiqni aksionet e realizuara nga pjesëtarë të Batalionit të parë të Brigadës së reagimit të shpejtë që janë të stacionuar në kazermën ushtarake në Gjilan.

Në fund të emisionit do të mund të ndiqni rubrikën Policia.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” transmetohet sonte në ora 22:20 në RTK dhe repriza transmetohet të hënën në mesditë.