Skema e rritjes së çmimeve, Dronët e Shpend Ahmetit paguhen dyfish më shtrenjtë (VIDEO)

Komuna e Prishtinës e ka paguar një dron dyfish më shtrenjtë se sa çmimi i tregut. Dronin me pajisje përcjellëse që kushton prej 1,400 deri në 1,800 euro në treg, Komuna e Shpend Ahmetit e ka paguar 3,908 euro.

Tenderi për blerjen e dronëve ishte hapur me datën 11 nëntor të vitit 2018, ndërsa në muajin mars të vitit 2019 ishte bërë përmbyllja e procedurave të prokurimit. Për blerjen e 2 dronëve dhe 14 tripodëve, Komuna kishte pranuar 3 oferta prej të cilave më e lira ishte oferta e konzorciuimit “FutureBits dhe Techcom” në vlerë prej 11 mijë e 652 euro.

Kontrata në mes të këtij biznesi dhe Komunës së Prishtinës për blerje të dronëve ishte nënshkruar me datën 15 mars 2019.

Në kontratën e publikur nga Komuna e Prishtinës nuk janë dhënë detajet për çmimin e pajisjeve të kërkuara nga Komuna e Prishtinës, por figuronte vetëm çmimi total.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime shtesë nga Komuna e Prishtinës për çmimin e sëcilës pajisje të blerë.

Komuna e Prishtinës e ka dërguar listën e produkteve dhe çmimet që i ka paguar për to.

Në dokumentin zyrtar të çmimeve të këtyre produkteve, një dron “DJI Mavic Pro” së bashku me pajisje “Virtual Realty Viewer” komuna e ka paguar 3 mijë e 908 euro, apo 7,816 euro për dy dronë dhe dy ‘VR Viewer’.

KALLXO.com ka dalë në teren për të verifikuar se sa kushton një dron i tillë në Kosovë.

Në lokalin ‘Mega’ në Prishtinë, një dron ‘DJI Mavic Pro’ kushton 1 mijë e 90 euro, ndërsa versioni më i ri i këtij lloji, “DJI Mavic Pro 2”, çmimi i tij është 1,450 euro.

“Fillimisht dronin më të lirë që e kemi është DJI Telo është 99 euro, pastaj është modeli DJI Spark, 549 euro është çmimi, pastaj vjen ky modeli Mavic Air, 890 euro. Dhe pastaj është kjo klasa që shiten më së shumti, që janë më profesional ëshë Mavic Pro 2 dhe Mavic Zoom 2, para kësaj kategorie ka qenë vetëm Mavic Pro i cili ka kushtu 1 mijë e 90 euro, ndërsa Mavic 2 Pro është 1 mijë e 450 euro”, ka thënë Drin Fonda, dyqani ‘Mega’ për KALLXO.com

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar edhe me dyqanin “Zgatar Shop”, e cila gjithashtu shet pajisje teknologjike, përfshirë edhe dronë.

Pronari i këtij dyqani, Rexhep Ibrahimi, na ka dërguar ofertën për dron i tipit ‘DJI Mavic Pro’.

“Çmimi i dronit që keni kërkuar është si në vijim: DJI Mavic Pro + Fly More Combo kushton 1 mijë e 150 euro”, ka treguar Rexhepi.

Specifika ‘Fly More Combo’ është pako ekstra e dronit, ku përfshihen 2 bateri dhe një çantë.

Përveç dronit, Komuna e ka kërkuar edhe pajisje “Virtual Realty Viewer” që në tregu kushton rreth 400 euro. Pra, të dy pajisjet në treg kushtojnë prej 1,400 deri në 1,800 euro, por komuna e udhëhequr nga Shpend Ahmeti ka paguar 3,908 euro.

I kontaktuar nga gazeta, Vigan Ajazi, pronar i kompanisë Techcom  si fituese e tenderit, ka thënë se çmimi i arritur prej 3 mijë e 900 euro arsyetohet, sepse droni ka specifika ekstra.

“Mundesh me e ble një ‘sen’ që i ka sdi sa sene opsionale, kështu që kur të ia shton ato sene në fund e merr vesh çfarë çmimi e ki. Ne punojmë njëjtë me çdo institucion në Kosovë, e kemi një masë tonën simbolike që na i hekë shpenzimet edhe qikjo është krejt”, ka thënë Ajazi.

Ai madje ka thënë se dallime në çmime të dronëve nëpër dyqane dhe prej distributorëve është edhe për shkak të obligimeve për pagesë të tatimeve.

Kur është pyetur se cilat opsione kanë ndikuar në rritjen e çmimit të dronit, ai nuk ka pranuar të përgjigjet, duke thënë se për këtë gjë të drejtohemi te komuna sepse kompania e tij ka dalë fituese meqë kishte çmimin më të lirë.

Në Komunën e Prishtinës nuk kanë dhënë shumë detaje. Miranda Mullafazliu, zyrtare për media në komunën e Prishtinës, ka thënë se kontrata e nënshkruar “është brenda buxhetit të paraparë’.

Për blerjen e 2 dronëve dhe 14 tripodëve, Komuna kishte planifikuar të shpenzojë 15 mijë euro.

E parashikimin e buxhetit për këtë tender, Mullafazliu ka thënë se e ka bërë drejtoria e Administratës si njësi e kërkesës.

Por, Komuna e Prishtinës nuk është përgjigjur në pyetjet shtesë nëse është bërë ndonjë hulumtim i tregut para se të caktohet buxheti i paraparë për tu shpenzuar për këto pajisje që në treg po kushtojnë shumë më lirë.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.