Avancimi i dyshimtë në Fakultetin e Mjekësisë

Arbnore Batalli-Këpuska, asistente e Fakultetit të Mjekësisë, nuk është avancuar në pozitën e profesorit në katedrën e Pediatrisë. Ajo pretendon se komisioni recensues nuk e kishte përzgjedhur përkundër që ishte superiore karshi kundërkandidates.

Batalli-Këpuska kishte konkurruar në konkursin e Fakultetit të Mjekësisë për pranimin e dy mësimdhënësve në katedrën e Pediatrisë, të shpallur me datën 27 prill. Procesi i rekrutimit ishte ndarë në dy konkurse përkundër që bëhej fjalë për pozita të njëjta: mësimdhënës në Katedrën e Pediatrisë për lëndët “Pediatri, Infermieri pediatrike dhe e adoleshentëve, Gjenetika mjekësore dhe Pediatri MK”. Konkursi ishte ndarë në pozitën 31 dhe një në atë me numër 51.

Kandidatja Arbnore Batalli-Këpuska thotë se në këtë konkurs kishte aplikuar vetëm në pozitën numër 31. Ndërkaq Vlora Ismajli-Jaha kishte aplikuar për dy pozitat: 31 dhe 51. Kurse, kurse Naim Zeka kishte aplikuar vetëm në pozitën 51.

Në fund, në pozitën 31 ishte përzgjedhur Vlora Ismajli-Jaha, kurse në pozitën 51 ishte përzgjedhur Naim Zeka, si kandidat i vetëm.

Batalli-Këpuska për Gazetën JnK ka treguar prapaskenat e këtij konkursi. Ajo thotë se kishte marrëveshje me Vlora Ismajli-Jaha që mos të ishin kundërkandidate, mirëpo njëra të aplikonte në pozitën 31 e tjetra në pozitën 51.

Ajo thotë se nuk është në dijeni nëse kjo marrëveshje ishte e kundërligjshme, por thotë se është lajthitur nga kundërkandidatja e saj. Ajo e arsyeton marrëveshjen me faktin se konkursi ishte për të njëjtën lëndë.

Përzgjedhja e motrës së ministrit

Kryetare e Komisionit Vlerësues në këtë konkurs për katedrën e Pediatrisë ishte profesoresha Lidvana Spahiu e cila njëkohësisht është edhe shefe e kësaj katedre, profesor Nehat Baftiu dhe profesoresha Gjeorgjina Kuli-Lito nga Universiteti i Tiranës.

Prorektori për kërkime shkencore, Faton Berisha ka thënë për JnK se në pozitën 31 të konkursit për staf të rregullt akademik në UP, me vendimin e Senatit është zgjedhur kandidatja Vlora Ismajli-Jaha.

Sipas prorektorit, rekomandimi i Komisionit Këshillëdhënës të Rektorit për pozitën 31 ka qenë se kandidatja me recension pozitiv të Komisionit Vlerësues dhe e propozuar nga Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë, Vlora Ismajli-Jaha, plotëson kushtet e nevojshme për zgjedhje në thirrjen Profesor asistent.

Arbnore Batalli-Këpuska thotë se nuk u përzgjodh për avancim pavarësisht se edhe ajo kishte plotësuar kriteret formale. Batalli-Këpuska pretendon se i është bërë padrejtësi meqë kundërkandidate ishte Vlora Ismajli-Jaha, e cila është motra e ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe bashkëshortja e këshilltarit të kryeministrit, Luan Jaha.

“Mua në pozitën e vetme që kam aplikuar më dhanë recension negativ, kurse ass.dr. Vlora Ismajli-Jaha recension pozitiv e cila është në fakt motra e ministrit të Shëndetësisë dhe bashkëshortja e këshilltarit të kryeministrit ka marrë recension pozitiv nga prof. Nehati dhe prof. Gjeorgjina”, ka thënë Batalli-Këpuska.

Doktoresha Vlora Ismajli-Jaha ka thënë për JnK se ajo është zgjedhur në thirrjen profesor asistent në lëndën e Pediatrisë pas vlerësimit pozitiv nga Komisioni Recensues, Komisioni për shkencë dhe kuadro i Fakultetit të Mjekësisë, Këshilli i profesorëve të këtij fakulteti dhe Komisioni për shkencë dhe kuadro i UP-së.

“Jam autor i tekstit “Pediatria për infermierë” dhe autor i një numri të kapitujve në librat “Pediatria”- tekst universitar dhe “Pediatria për studentët e stomatologjisë”. Punimet e mia në platformën “Pubmed” janë cituar 119 herë.” , ka thënë ajo.

Sa i përket marrëveshjes për ndarjen e pozitave mes këtyre dy kandidateve, Ismajli-Jaha tha se konkursi ka qenë publik dhe se kandidatët kanë aplikuar sipas dëshirës, mirëpo nuk e ka mohuar një veprim të tillë.

“Rezultati nuk ka mund të paragjykohet, prandaj kurrfarë marrëveshje nuk ka pasur kuptim”, theksoi Ismajli-Jaha.

Sa i përket pretendimit se Ismajli-Jaha është favorizuar për shkak të lidhjeve politike, ajo thotë se ka qenë e punësuar si mjeke, asistente dhe ligjëruese, para se vëllai dhe bashkëshorti të marrin pozitat politike.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar me ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismajli dhe këshilltarin e kryeministrit Luan Jaha, por të njëjtët nuk kanë kthyer përgjigje rreth kësaj çështje.

Arbnore Batalli-Këpuska, asistente në F. Mjekësisë pretendon se edhe ndarja e pozitës së njëjtë në dy konkurse të ndara është bërë qëllimisht.

“Në pozitën 31, Vlora del më e mirë se unë, kurse në pozitën 51 Naim Zeka del më i mirë se Vlora që është e njëjta lëndë dhe i njëjti komision recensues.”, theksoi Batalli-Këpuska.

Në anën tjetër, dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu ka thënë për Gazetën JnK se sipas rregullores për të ardhura personale fillimisht kishte orë vetëm për një pozitë në Pediatri. Mirëpo, më vonë i ishin miratuar orë shtesë.

“Këshilli Drejtues aprovoi kërkesën e Fakultetit të Mjekësisë dhe si rrjedhim fituam 10 pozita për profesorë asistentë në lëndë të ndryshme, duke përfshirë edhe një pozitë për pediatri. Pra nga një pozitë në pediatri fituam dy pozita për profesorë asistentë.”, deklaroi dekania Manxhuka-Kërliu.

Ndërkaq, për hapjen e këtyre pozitave për dy mësimdhënës për lëndën e njëjtë e që janë ndarë përmes numrit rendor në konkurs, dekania e këtij fakulteti thotë se konkursin e ka hapur UP-ja, prandaj është përgjegjësi e tyre.

Detajet e konkurrente

Kryetare e Komisionit Vlerësues në këtë konkurs për katedrën e Pediatrisë ishte profesoresha Lidvana Spahiu. Ajo ka thënë se kandidatët për pozitën 31 i kanë plotësuar kushtet formale për avancim.

“Sipas rregullores, kandidatet i kanë plotësuar kushtet por fatkeqësisht doktoresha Arbnore nuk ka konkurruar në pozitën 51”, tha ajo.

Gazeta ka kërkuar nga rektorati i UP-së qasje në buletinet e kandidatëve për këto pozita, për të sqaruar të gjitha përparësitë e secilit prej kandidatëve, mirëpo ky dokument nuk i është ofruar.

Recensenti Nehat Baftiu, pas shqyrtimit të dokumentacionit të dorëzuar nga të tre kandidatët thotë se përveç kritereve formale, ka bërë edhe vlerësim subjektiv sepse ka shkuar për pesë ditë në Katedrën e Pediatrisë për t’u konsultuar me stafin dhe specializantët rreth mendimit të tyre për kandidatët në fjalë.

Megjithatë, Baftiu nuk pranoi të bëj krahasimin mes kandidates Arbnore Batalli-Këpuska dhe Naim Zeka me arsyetimin se këta kandidatë kishin aplikuar në pozita të ndryshme.

“Te pozita 31 në bazë të dokumentacionit të prezantum në fund të recensionit e shkruaj se tre kandidatët i plotësojnë kushtet por recensionin apo vlerësimin e ndaj për Vlora Jahën, sepse në bazë të gjithë dokumentacionit të ofruar ka punuar më shumë dhe ka punime më shumë. Në recension në fund e kam shkru që ajo (Batalli-Këpuska) i ka dy punime të vlefshme për zgjedhje se për me u zgjedh profesor i duhet një punim”, ka thënë Baftiu.

Baftiu kishte dhënë recension negativpër Batalli-Këpuska.

Përveç plotësimit të kushteve formale, prorektori Berisha tha se KK i Rektorit ka konstatuar se revista shkencore ku është publikuar punimi shkencor i kandidates Vlora Ismajli-Jaha dhe Arbnore Batalli-Këpuska plotëson kriteret e Senatit të UP-së mbi revistat shkencore kredibile.

Pavarësisht konstatimit se edhe kandidatja Arbnore Batalli-Këpuska plotëson kriteret, prorektori Berisha thotë se nuk kanë kërkuar sqarime shtesë nga Komisioni Recensues apo Këshilli i Fakultetit te Mjekësisë për t’ua sqaruar se përse është dhënë recension negativ nga dy anëtarë në rastin e saj.

E ky veprim sipas tij, arsyetohet me faktin se kjo procedurë është praktikë që zbatohet në të gjitha universitetet botërore me qëllim të sigurimit të mosndërhyrjes në vlerësimin nga ekspertë të fushës së ngushtë akademike.

E pyetur nga Gazeta Jeta në Kosovë, për pretendimet e kandidates Arbnore Batalli-Këpuska se ajo është më e kualifikuar se kundërkandidatja e saj në bazë të dokumentacionit, dekania Suzana Manxhuka-Kërliu ka thënë se “Arbnore Batalli-Këpuska ka konkurruar vetëm në pozitën 31 dhe Komisioni Recensues nuk i ka dhënë vlerësim pozitiv”.

Recensenti, Nehat Baftiu thotë se arsyeja e vetme e vlerësimit të kandidatëve në këtë mënyrë, qëndron tek fakti se dokumentacionet janë shqyrtuar sipas numrit rendor, por që siç thekson Baftiu, Pediatrisë si lëndë dhe klinikë i duhen së paku gjashtë apo tetë pedagog.

Zbulimi i punimit

“Personalisht kam menduar që kjo (Vlora Ismajli-Jaha) meriton para dy kandidatëve të tjerë Naim Zekës dhe Arbnora Këpuskës. E kam shkru që e meriton me u zgjedh Vlora por meqë ishte recension pozitiv te 31-shi nuk ishte nevojë dy herë me dhënë recension pozitiv. E kam shkru e meriton e ka recensionin pozitiv në 31 prandaj te pika 51 kandidati i vetëm qenka Naim Zeka”, përfundoi ai.

Ndërkaq, kur jemi tek pozita 51 e lëndës së njëjtë, kandidati Naim Zeka kishte marrë recension pozitiv nga Komisioni Vlerësues, meqenëse kundërkandidatja e tij Vlora Ismajli-Jaha tashmë ishte propozuar për pozitën 31 nga dy anëtarë të komisionit dhe Zeka ishte kandidati i vetëm pas saj.

Prorektori Faton Berisha tregon se Senati kishte kthyer rastin e kandidatit Naim Zeka në Këshill të Fakultetit, për shkak se ai kishte marrë vlerësim pozitiv nga dy anëtarë të Komisionit Vlerësues por Këshilli i Fakultetit i kishte dhënë vlerësim negativ.

“Rekomandimi i Komisionit Këshillëdhënës të Rektorit për mbledhjen e Senatit të 15 tetorit ka qenë po ashtu negativ. Me propozimin e Rektorit, Senati i UP ka kthyer për rishqyrtim pozitën pranë Këshillit të F. Mjekësisë, siç është praktikë e Senatit me rastin e ndryshimeve ndërmjet tri propozimeve relevante”, përfundoi ai.

Dekania e Fakultetit të Mjekësisë thotë se e kanë rishqyrtuar pozitën 51.

“Me kërkesë të Senatit e me recension pozitiv nga Komisioni Recensues dhe duke qenë se është gjetur punimi në njërën nga platformat e aprovuara nga rektorati, Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë i ka propozuar Senatit që Naim Zeka të zgjidhet në thirrjen Prof. Ass.”, përfundoi dekania Manxhuka-Kërliu.

Kandidati Naim Zeka ka thënë për JnK se ai është i punësuar në UP që nga viti 1999 në pozitën e asistentit dhe se kandidatja Arbnore Batalli-Këpuska nuk ka qenë pjesë e konkursit në pozitën 51, prandaj edhe nuk mund të ankohet për këtë pozitë.

“Nuk më takon mua të vlerësoj kush është më i kualifikuari, janë komisionet recensuese që e bëjnë këtë.“, ka thënë Zeka.

Pas kthimit të rastit të tij në Këshill të Fakultetit, Zeka thotë që është ftuar nga Komisioni për kuadro, të cilët e kanë njoftuar se punimi në të cilin ai është autor korrespondent është publikuar në platformën WorldCat (Revistë e indeksuar në baza akademike që baras-vlerësohet me koeficientin 1).

Konfirmimi për publikimin e këtij punimi sipas kësaj platforme është dhënë me 12 maj, gjegjësisht dy ditë para mbylljes së konkursit dhe se është publikuar në gusht të këtij viti.

Anëtarja e tretë e këtij Komisioni Vlerësues, profesoresha nga Universiteti i Tiranës, Gjeorgjina Kuli-Lito është kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë për ta pyetur rreth kësaj çështje, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk është përgjigjur. Ajo kishte dhënë recension negativë për kandidaten, Arbnora Këpuskës.

Gazeta ka kërkuar nga rektorati i UP-së qasje në buletinet e kandidatëve për këto pozita, për të sqaruar të gjitha përparësitë e secilit prej kandidatëve, mirëpo ky dokument nuk i është ofruar.