Hetimet për sulmin terrorist në Banjskë, bastisjet e Policisë nuk pengohen nga qytetarët e veriut

Policia e Kosovës vazhdon të sigurojë informacione e prova të reja rreth sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Informacionet që po i grumbullon nga burime të ndryshme po e shtyjnë Policinë të kryejë bastisje në lokacione të ndryshme, kryesisht në veri të vendit.

Disa bastisje janë kryer edhe sot.

“Të gjitha bastisjet kanë të bëjnë me personat e dyshimtë në rastin e Banjskës”- tha sot zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë – Veriu të Policisë së Kosovës Veton Elshani pas bastisjeve që kryen njësi të ndryshme policore në veri të vendit.

Bastisje janë kryer në dhjetëra lokacione për të cilat Policia pati informacione se potencialisht mund të ketë diçka të dyshimtë që lidhen me sulmin terrorist në Banjskë.

Operacionit i ka prirë Drejtoria e Anti-Terrorit e Policisë.

Ajo çka vihet re gjatë këtyre bastisjeve është se nuk ka pasur as edhe një kundërshtim të vetëm nga banorët.

Policia po shkon në lokacione, po kryen bastisjet dhe po largohet nga aty pa u regjistruar asnjë incident.

Ekipi i KALLXO.com ka qenë prezent në shumë prej bastisjeve të cilat janë zhvilluar nga njësitet policore në javët e fundit.

Në asnjërin prej operacioneve të bastisjeve nuk është shënuar ndonjë incident me qytetarët, të cilët herë-herë ndaleshin në rrugë për të vëzhguar kontrollet, disa prej tyre vëzhgonin nga ballkonet por kishte edhe të tjerë që vazhdonin punët e tyre pa bërë ndonjë pyetje se çka po ndodhte.

Mëngjesin e sotëm, një njësit i Policisë u nis nga Drejtoria Rajonale në jug për në lagjen e njohur si “Tre Rrokaqiejt” në Mitrovicën Veriore.

Atje ata do të kryenin një kontroll në një banesë. Meqenëse pronari i banesës nuk ishte brenda, rregullat e Policisë thonë që mund të hyhet edhe me forcë për të bërë kontrollin në rast se nuk ka përgjigje pozitive për të hapur derën.

Ashtu edhe ndodhi. Pas thirrjeve të Policisë për disa herë që të hapej dera, askush nuk u lajmërua e kjo bëri që Policia të përdorte mjetet e saj për të hapur derën me forcë, me ç’rast dera u dëmtua.

Pesë vetura të Policisë së Kosovës, tri të EULEX-it zunë njërën korsi të rrugës kryesore te “Tre Rrokaqiejt” për të kryer bastisjen.

Misioni i EULEX-it ishte aty për të monitoruar bastisjen nga Policia, madje edhe në momentin kur dera duhej të hapej me forcë.

Në objekt nuk shihej ndonjë lëvizje e banorëve ndonëse disa prej tyre zgjodhën që të vëzhgonin situatën nga ballkonet.

Bastisja zgjati gati gjysmë ore e më pas ekipi i Policisë u drejtua për në stacion policor.

Krahas bastisjes që po zhvillohej në lagjen “Tre Rrokaqiejt” në kohë të njëjtë po zhvilloheshin edhe bastisje të tjera.

Katër lokacione gjithsej janë bastisur vetëm në Mitrovicë Veriore gjatë ditës së sotme, tri në Zveçan e një në fshatin Banjskë.

Ngjashëm sikurse në lagjen “Tre Rrokaqiejt” KALLXO.com qëndroi edhe në një bastisje tjetër që u zhvillua në Zveçan.

Ajo që ishte ndryshe nga lokacioni i parë, në Zveçan po bastisej banesa e njërit nga të plagosurit e që i përkiste grupit terrorist në Banjskë, Vlladimir Toliq.

Banesa e 38-vjeçarit gjendet në një nga lagjet e Zveçanit, më saktësisht në vendin e quajtur “Lugina e Diellit”.

Policia kishte identifikuar banesën e tij ndërsa sot në mungesë të Toliqit, i cili është në paraburgim, nuk kishte nevojë për ndërhyrje me forcë pasi fqinjtë thirrën pronaret e banesës dhe ato u lajmëruan dhe e hapën derën.

Banesa e Toliq identifikohet me mbiemrin e tij të vendosur në derë.

Edhe gjatë kohës sa kryhej bastisja në banesën e Toliqit nuk u pa asnjë banor të dilte e interesohej se çka po ndodhte.

Pronaret e banesës hynë brenda ndërtesës, hapën banesën, u krye bastisja, ishin dëshmitare gjatë kohës sa po zhvillohej aksioni dhe më pas u larguan sërish.

Secili aksion i cili zhvillohet në këtë pjesë përveç ekipeve që kryejnë bastisjen sigurohet dera e objektit dhe perimetri i sigurisë.

Policët shihen të pajisur me armë të gjata, helmeta e me jelek anti-plumb. Edhe hetuesit policorë ngjashëm duken gjatë këtyre bastisjeve.

Aksionet policore që prodhuan edhe incidente

Maji e qershori shënuan dhjetëra raste të sulmeve e incidenteve të tjera në tri komunat në veri të vendit. Aksione policore që u shënuan me incidente të fundit ishin ato të qershorit, më saktësisht të 13 qershorit, në ditën kur Policia arrestoi Millun Milenkoviqin, i njohur me nofkën si “Llune”.

Arrestimi i “Llunes” u përcoll me alarme e incidente. Ai ishte arrestuar gjatë kohës sa po dilte nga një lokal floktarësh që gjendej në Mitrovicën veriore, nën dyshimet se kishte marrë pjesë në sulmin ndaj KFOR-it më 26 maj e po ashtu edhe sulmin me mjete shpërthyese ndaj Zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor.

Në momentin kur njësia elitare e policisë FIT kreu arrestimin e “Llunes”, alarmi u dëgjua në pjesën e komunave me shumicë serbe me ç’rast dha edhe informacioni se duhet mbledhur qytetarët për të protestuar.

Persona të maskuar ishin parë në rrugën nga Lagjja e Boshnjakëve deri te Shkolla tTeknike që gjendet në Mitrovicën veriore.

Automjetet e Policisë u gjuajtën me gurë e mjete të tjera ndërsa makineri të tjera shtesë u dërguan në Lagjen e Boshnjakëve për të mbajtur rendin dhe sigurinë.

Prezent gjatë këtyre ngjarjeve ishte edhe KFOR-i.

Vetëm pak orë pas arrestimit të “Llunes”, situata u qetësua dhe qytetarët iu kthyen normalitetit.

Përveç incidenteve të 13 qershorit, ka edhe raste të tjera kur qytetarë të shumtë, e grupe të dyshuara krijuan incidente të ndryshme pas aksioneve policore që zhvilloheshin në të kaluarën në veri të vendit.

Edhe aksioni për të asistuar hyrjen e kryetarëve të rinj në katër komunat në veri të vendit janë përcjellë me incidente, sulme, gaz lotësjellës e madje edhe me të shtëna armësh në ajër.

Më 29 maj të këtij viti protestat në Zveçan eskaluan ndërsa u plagosën e lënduan dhjetëra ushtarë të KFOR-it.

Incidente u shënuan edhe në ditët në vijim pas 29 majit. U sulmuan gazetarë, misione ndërkombëtare, Policia, madje pati raste edhe të veturave të djegura e të demoluara të ekipeve të mediave që po raportonin për zhvillimet në veri.

Një tjetër aksion i Policisë së Kosovës që u përcoll me incidente ishte edhe ai kundër kontrabandës në vitin 2021. Në mesin e të kërkuarve në atë kohë ishte edhe Mentor Beqiri, i njohur si “Kaça”.

Policia e Kosovës në orët e hershme të mëngjesit të 13 tetorit kishte nisur një aksion kundër kontrabandës në vend, përfshirë edhe në veri të vendit.

Por, qytetarët në veri të Kosovës e kishin kundërshtuar këtë aksion.

Gjatë kohës sa po zhvillohej aksioni pati edhe përdorim të gazit lotsjellës i cili ishte hedhur në drejtim të qytetarëve, për t’i shpërndarë ata pasi ishin nisur drejt Policisë.

Shumica e aksioneve të cilat janë zhvilluar në veri të vendit janë përcjellë me incidente, protesta, e përdorim të gazit lotsjellës.

Ndryshe nga aksionet e mëhershme, këto të ditëve të fundit po nisin e po përfundojnë pa ndonjë incident.

Kujtojmë faktin edhe se në sulmin terrorist që ndodhi më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit situata u menaxhua nga Policia e Kosovës.

Banorët e Banjskës nuk pranuan të flisnin për grupin terrorist ndërsa nuk u shënua asnjë tentativë se të njëjtit po mbronin grupin apo po i bashkëngjiteshin atyre.

Pjesë e grupit terrorist që u pozicionua në Banjskë e kreu vrasjen e rreshterit policor Afrim Bunjaku ishin edhe qytetarë që jetojnë në Mitrovicë veriore, Leposaviq e Zveçan.

Tre nga pjesëtarët e grupit të dyshuar terrorist aktualisht janë në paraburgim. Ata po dyshohen për pjesëmarrje në grup terrorist dhe kryerje të veprave penale që ndërlidhen me cenimin e rendit kushtetues.