Grupi i Llapit-Fajtorë për Krime Lufte

Latif Gashi për pikën tetë të aktakuzës e cila pikë e ngarkonte atë për rrahje dhe tortura në qendrën e ndalimit në Llapashticë, u shpall fajtor dhe u dënua me 5 vjet burgim.

Gashi ishte i dënuar më parë edhe nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë në vitin 2009 për pikat 5 dhe 14 të aktakuzës së njëjtë, me nga 2 vjet për secilën vepër. 

Gjykata Themelore në Prishtinë, të pandehurit Latif Gashi, të premten, duke unifikuar të dy dënimet, i shqiptoi masën prej 6 vjetësh burg. Gjykata do ta llogarisë kohën e kaluar në paraburgim.

Pika 5 e aktakuzës ngarkon Gashin dhe të tjerët se “nga tetori 1998 deri në prill 1999 në bashkëkryerje kanë urdhëruar dhe kanë marrë pjesë në themelimin dhe vazhdimin e trajtimit çnjerëzor të civilëve shqiptarë të Kosovës, të paraburgosur në qendrën e paraburgimit në Llapashticë.

Sipas kësaj pike, Gashi dhe të pandehurit tjerë kanë mbajtur civilët në kushte çnjerëzore duke i privuar nga higjiena, uji, ushqimi dhe trajtimi i nevojshëm mjekësor.

Pika 14 akuzon Gashin se “nga 2 gushti deri në fund të shtatorit 1998 ka urdhëruar dhe marrë pjesë në rrahjen dhe torturimin e një rojtari serb të pyllit, i cili ka qenë i ndaluar në qendrën e ndalimit në Bajgorë”.

Sipas aktakuzës kjo është bërë në tentim që ai të detyrohet të pranojë se ka kryer veprime kundër UÇK-së ose të japë informata për inteligjencën.

Nazif Mehmeti për pikën tetë të aktakuzës u dënua me 3 vjet burg. Ndërsa më parë edhe ky i pandehur ishte i dënuar nga ish Gjykata e Qarkut në Prishtinë me 1 vit e 6 muaj qëndrim prapa grilave. Nazif Mehmeti mori një dënim unik prej 3 vjetësh burgim.

Rrustem Mustafa, i njohur si Remi, u shpall fajtor për pikën tetë të aktakuzës dhe u dënua me burgim prej 4 vjetësh. Mustafa qe dënuar edhe nga ish-Gjykata e Qarkut me dënim prej 2 vjetësh, lidhur me pikën 5 të aktakuzës.

Mustafa mori një dënim të përgjithshëm nga gjykata prej 4 vjetësh burg.

Gjykata dha edhe arsyetimin e saj lidhur me vendimin që mori.

Kryetari i Trupit gjykues, Jonathan Carol para të pranishmëve në sallën e gjykimit tha “është një luftë që shumë persona i bën krenarë. Anjë gjë që thotë ose që ka bërë kjo gjykatë nuk është kundër saj”.

Ai vazhdoi “Ka disa persona në pozita të larta që thonë se individët nuk kanë bërë asgjë…pasi që regjimi serb ka provokuar ngjarjet, janë pikërisht ata që duhet të përgjigjen për këto”.

“Kur dënohen individë që kanë kryer krime, janë ata që dënohen dhe dënohen veprimet e tyre. Pra edhe pse regjimi i Millosheviqit i ka provokuar veprimet, kjo nuk u jep të drejtën që të veprojnë ashtu”, tha më tutje Carol.

Arsyetimi i gjykatësit vazhdoi duke treguar se nuk ka rëndësi se cilat ishin veprimet e mira të të pandehurve në UÇK, ata kanë kryer veprat penale që i ka vërtetuar trupi gjykues, duke mos i përmbushur detyrimet që i kanë pasur.

“Janë të tre të pandehurit që kanë kryer këto veprime, e jo e gjithë UÇK-ja” shtoi gjykatësi Carol.

Gjykatësi Carol foli edhe për qendrën e ndalimit në Llapashticë duke thënë se ajo ka ekzistuar dhe se aty janë mbajtur, rrahur dhe torturuar njerëz.

Sipas arsyetimit të gjykatës, Latif Gashi dhe Rrustem Mustafa mbajnë përgjegjësi superiore, ndërsa po prapë Latif Gashi dhe Nazif Mehmeti mbajnë edhe përgjegjësi personale.

Gjykata tha se ka gjetur që Latif Gashi ka marrë personalisht pjesë në marrjen në pyetje dhe torturimin e civilëve shqiptarë në Llapashticë, ndërsa për Nazif Mehmetin tha se “brutalisht ka marrë pjesë në rrahjen e këtyre civilëve”.

Për Rrustem Mustafën gjykata tha se “nuk kanë gjetur se ai i kishte urdhëruar veprimet e tilla, porse e ka ditur për këto veprime janë duke u ndërmarrë nga të pandehurit dhe ka pasur përgjegjësi superiore të i ndalojë ato”.

Prokurori në përfundim të shpalljes së aktgjykimit kërkoi paraburgimin për të pandehurin Latif Gashi, të cilin e refuzoi trupi gjykues me arsyetimin se një gjë e tillë nuk është e përshtatshme për momentin pasi që vendimi nuk e ka formën e prerë.

Para se të fillonte shqyrtimi para hyrjes së gjykatës dhe para sallës së gjykimit ishin mbledhur shumë qytetarë e familjarë, po edhe media të interesuara për ta ndjekur gjykimin.

Deklaratat e të pandehurve pas shpalljes së aktgjykimit kundër tyre

Rrustem Mustafa jashtë gjykatës tha “ky trup gjykues edhe sot gabimisht shpalli një vendim neve na mbetet beteja juridike dhe ne jemi të bindur që këtë betejë do ta fitojmë”.

Ndërsa Latif Gashi para gjykatës tha “na ishim në shërbim të drejtësisë ndërkombëtare, drejtësia ndërkombëtare nuk është në shërbim tonin. Gabimisht është e orientuar kah luftëtarët e lirisë,  ne i kemi kërkuar që të orientohet kah kriminelët, e kriminelët i kanë në Serbi. Kriminelët janë ata që i kemi pas të ndalum ata kanë bashkëpunu me armikun, e jo ne”.

Vendimin e trupit gjykues të premten nëpërmjet një deklarate e përshëndeti edhe prokurori Charles Hardaway.

Ai mes tjerash tha se me këtë vendim nuk është dënuar UÇK-ja, por vetëm të pandehurit, ndërsa shtoi se ata u dënuan për vepra të kryera kundër bashkëkombësve të tyre shqiptarë.

Kundër shpalljes fajtorë të atyre që njihen si Grupi i Llapit reagoi Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Kjo organizatë të premten nëpërmjet një komunikate drejtësinë ndërkombëtare në Kosovë e akuzoi për komplot ndaj ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa dënimin e vlerësoi proces të montuar.

OVL e UÇK-së tha se mandatit ekzekutiv të EULEX-it po i vie fundi. Para tri ditësh kjo organizatë i dërgoi Kuvendit të Kosovës një kërkesë për heqjen e këtij mandati misionit evropian.

Nëse deputetët do të jenë të  paaftë të kryejnë punën e vet, nuk mbetet rrugë tjetër pos që mandatin ekzekutiv të EULEX-it ta ndërpresim me anë të formave të tjera konform Programit dhe Statutit të OVL të UÇK-së”, thuhet në komunikatën e organizatës.

Mbrojtja e të akuzuarve, tashmë të dënuar, paralajmëroi ankesë.Dënimin e konfirmoi të premten edhe misioni i EULEX-it nëpërmjet një komunikate.