Gratë e Kosovës i kthejnë zanatet tradicionale në biznese fitimprurëse

Ndërmarrëset në Kosovë po kthejnë aftësitë e vjetra që mësuan në prehrin e nënave të tyre në biznese në lulëzim.

Në një cep në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë rrinë Emily, Hazel, dhe Harry. Ata presin me durim fëmijët të cilët do të luajnë me ta. Të tre janë kukulla të punuara me dorë nga Doruntina Ukimerit, një arkitekte 35-vjeçare të cilës i erdhi idea derisa luante me të bijën gjatë izolimit prej COVID-19.

“Fillova t’i bëj kukullat rastësisht në pandemi. E kam një vajzë të vogël dhe bashkë me të filluam të bënim punë dore. Një ditë bëmë kukulla”, Ukimeri i tha BIRN, duke shpjeguar që shumë shpejt ajo filloi të lexonte si t’i bënte, dizajnonte, dhe t’i qepte ato.

Biznesi i Ukimerit me kukulla të punuara me dorë tashmë lulëzon dhe ajo po planifikon ta zgjerojë.

Shumë gra shqiptare të Kosovës e kanë kthyer artizanatin, e mësuar kryesisht për nevoja familjare, në biznese të vogla. Artizanati jo vetëm që po i ndihmon gratë të mbulojnë shpenzimet e tyre të përditshme por është kthyer në një mjet fuqizimi dhe punësimi i grave të tjera.

Traditë shekullore e modernizuar

Doruntina Ukimeri dhe kukullat e saj. Ilustrimi: BIRN

Qendisja dhe thurja janë tradita që për shekuj të tërë kanë kaluar brez pas brezi tek gratë në familjet shqiptare. Në ditët e sotme, me kthimin e zejeve në trend, gratë po avancojnë në një nivel tjetër, kthimin e krijimit të tyre në biznese.

“Pamë që shumë të famshëm po vishnin bikini të thurura me grep, madje edhe Dua Lipa, kështu që menduam ta provonim”, thotë Bardha Oshlani, mamaja e së cilës, Drita Oshlani, nga Vushtrria, ka shitur bikini të qepura me dorë që nga viti 2017.

Drita kishte mësuar si të punonte me grep nga e ëma, e cila kishte mësuar gjithashtu nga mamaja e saj të bënte triko, shalle, dhe çorape për pjesëtarët e familjes. Shumë familje të varfra shqiptare janë varur nga rrobat e qepura me dorë që t’i mbijetojnë dimrit.

Drita i qepi bikinet e para në vitin 2017 për vajzën saj e cila në atë kohë ishte 18 vjeçare. Shoqet e vajzës kur i panë donin gjithashtu bikini dhe kur Drita e pa sa shumë interes kishte për produkte të tilla, hapi një llogari Instagram-i ku filloi t’i shiste.

Drita Oshlani dhe bikinit e qepura me dorë nga ajo. Ilustrim: BIRN

Njëjtë si Drita Oshlani, edhe Ajshe Isufi Pllana, 38 vjeçare nga Prishtina, nënë e katër fëmijëve që ka shitur çanta të thurura me grep në Instagram që gati katër muaj, ka mësuar si të thurë nga e ëma e saj.

“Nëna më ka mësuar. Artizanati është trashëgimia jonë”, thotë ajo duke shpjeguar që e ëma qepte rroba për të dhe motrat e vëllezërit.

Isufi Pllana gjithashtu thuri fillimisht për të bijat dhe pastaj për shoqe e tyre. Çanta e parë që thuri ishte për shoqen e saj të ngushtë dhe kur e pa sa shumë u pëlqye nga të afërmit dhe shoqëria, ajo filloi t’i shiste online.

Vesa Galica, një 20 vjeçare nga Vushtrria e cila studion Teknologji Informacioni në Universitetin e Prishtinës, thotë që kryesisht  mësoi si të thurte nga video në YouTube. Ishte e motra ajo që e shtyu t’i shiste produktet dhe të postonte në rrjete sociale. “Nisa t’i shisja produktet në 2019, kur isha 17,” thotë ajo.

Gratë shqiptare nga Kosovo nuk po i përdorin aftësitë e trashëguara nga mamatë për t’i shitur produktet vetëm brenda Kosovës.  Shumë prej tyre po i dërgojnë me postë nëpër botë produktet e bëra me dorë. Disa madje i hapën bizneset e tyre jashtë shtetit, aty ku emigruan apo shkuan si refugjate gjatë luftës së Kosovës.

Vesa Galica dhe punimet e saj. Ilustrim:BIRN

Rajmonda Selmanaj nga Klina, e diplomuar në ekonomi nga Universiteti i Pejës, e cila thur produkte për fëmijë si batanije, gjithashtu e ka trashëguar artizanatin nga e ëma.

“Fillimisht thura për mbesën time Dalina, e cila më solli fat,” kujton Selmanaj, duke thënë që deri në janar 2019, ajo qepte vetëm për fëmijët e familjarëve të saj.  “Pastaj mora porositë e para nga Zvicra pasi kushërinjtë e mi reklamuan punimet e mia te kolegët e tyre”.

Më vonë, Selmanaj filloi të merrte porosi edhe nga Gjermania dhe Italia nga kolegët e motrave dhe kushërinjve të tjerë, dhe ngadalë filloi punën edhe në Ballkan.

Shpresa Hoxha, 63, nënë e tre fëmijëve, emigroi në Zvicër në fillim të viteve 1990. Në atë kohë një nënë e re, Hoxha punonte si juriste në Prishtinë para se të shpërngulej në Zvicër, ku nuk kishte kohë apo mundësi që të përfundonte provimet për të vazhduar të punonte në profesionin e saj.

“Kisha qepur që e vogël”, thotë Hoxha, duke kujtuar hapat e saj të parë në biznesin e saj para rreth dhjetë vitesh, kur bënte vetëm riparime të vogla. Sot ajo bën çanta të personalizuara, përveç të tjerave.

Hoxha tha për BIRN që ajo kishte tre atelie para pandemisë të COVID-19,  por tani e ka kthyer një dhomë në shtëpinë e saj në një studio dhe punon nga aty.

Çmime të ulëta dhe shpenzime të larta të postës

Shpresa Hoxha dhe çantat e saj të punuara me dorë. Ilustrim: BIRN

Papunësia është e lartë në Kosovë dhe shumë më e lartë te gratë në krahasim me burrat. Gratë kanë edhe nivelin më të ulët të pjesëmarrjes në fuqinë punëtore. Pandemia e ka përkeqësuar situatën duke i shtyrë gratë t’i kthejnë aftësitë e vjetra në biznese të reja.

Sipas Agjencisë të Statistikave të Kosovës, ASK,  papunësia te gratë është rreth 30%; ndërkohë 72% e grave në Kosovë nuk janë pjesë aktive e fuqisë punëtore.

Isufi Pllana punonte në një kafene me bashkëshortin e saj. Për shkak të masave parandaluese për COVID-19 ata patën shumë humbje dhe e mbyllën kafenenë. Papritmas pa punë, ajo përvoli mëngët dhe i nxorri në treg çantat e bëra për të bijat dhe shoqërinë.

Selmanaj gjithashtu filloi të bënte punë dore pasi kompania ku ajo punonte u mbyll në gusht të vitit 2018, që bëri që ajo t’i dërgonte me postë këto produkte nëpër botë, pasi të afërmit që jetonin jashtë shtetit i reklamuan.

Galica thotë që “klientët jashtë Kosovës gjithmonë më thonë që kam çmime të ulëta, kurse ata në Kosovë thonë që janë të larta”. Megjithatë, problemet e saj kryesisht kanë të bëjnë me pagesat e larta të postës për të dërguar jashtë Kosovës.

“Por kur klientët e kuptojnë që shërbimet postare janë të shpejta, maksimumi 72 orë për në ShBA, ato pranojnë”, shpjegon ajo.

Ndërkohë që Selmanaj dhe Galica kanë gjetur shërbimet e duhura postare për klientët e tyre, të tjera si Oshlani i dërgojnë produktet e tyre vetë, për të kursyer para. Kjo ndodh gjithashtu për shkak të sasisë së limituar që një person mund të prodhojë.

Gratë që shesin artizanatin e tyre online synojnë që të zgjerojnë bizneset e tyre dhe të punësojnë të tjerë.

Pllana tashmë ka angazhuar dy gra të tjera nga lagja e saj për të thurur  çantat që të rrisë prodhimin.

“Dua të hap dyqanin tim një ditë dhe të punësoj dhe fuqizoj gra të tjera”, thotë ajo.

Ajshe Isufi Pllana dhe çantat e qepura nga ajo. Ilustrim: BIRN

Ukimeri, kukullat e të cilës debutuan në teatrin e kukullave në Prishtinë së fundmi, ka filluar bashkëpunimin me një organizatë të grave dhe planifikon ta zgjerojë biznesin edhe më shumë në të ardhmen.

“Disa gra të cilat jetojnë në fshatra kryesisht jashtë Prishtinës po më ndihmojnë me qepjen e trupit të kukullave,” thotë Ukimeri duke shpjeguar që së fundmi ajo fitoi disa pajisj një grant. “Synoj të punësoj shumë gra”, thotë ajo.

Ajo dëshiron të krijojë linjën e saj të kukullave, me disa produkte të tjera që planifikon t’i shtojë, si shtëpi kukullash prej druri ose skena te drunjta teatri ku do të punësohen edhe më shumë gra.