Glauk Konjufca - Një muaj kryeparlamentar, tash ministër i Jashtëm

Glauk Konjufca nga pozita si kryetar i Kuvendit të Kosovës që e ka mbajtur pak më shumë se një muaj, sot me votimin e Qeverisë së re të Kosovës është emëruar ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje do të bashkëqeverisë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, derisa ekzekutivi do të udhëhiqet nga Albin Kurti.

Njeriu i dytë më i votuar nga LVV-ja, Konjufca në pak javë ka kaluar në tri pozita të ndryshme.

Nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019 , ai u zgjodh deputet, me 26 dhjetor të vitit të kaluar u bë kryeparlamentar ndërkaq me 3 shkurt 2020 kaloi në udhëheqjen e diplomacisë kosovare.

Por puna në Kuvend gjithmonë i ka shkuar për dore. Që nga viti 2010, kur partia Lëvizja Vetëvendosje hyri për herë të parë në Kuvend, Glauk Konjufca ka pasur pozita udhëheqëse.

Nga viti 2011 deri në vitin 2015 ai ka qenë nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, ndërsa në legjislaturën e kaluar ka qenë Shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Por, kush është Glauk Konjufca?

Glauk Konjufca është lindur në korrik të vitit 1981, në Prishtinë.

Ka përfunduar studimet e Filozofisë në Fakultetin Filozofik, në Universitetin e Prishtinës.

Konjufca është aktivizuar në Lëvizjen Vetëvendosje që në fillimet e saj. Është studiues i filozofisë dhe ka botuar librin “Huti i minervës fluturon në muzg G.W.F. Hegel”.

Në vitin 2010 u zgjodh deputet i LVV-së në legjislaturën e katërt të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në vitin 2011-2014 ishte nënkryetar i Kuvendit, ndërsa në vitin 2014 u zgjodh sërish deputet.

Në të njëjtin vit u zgjodh nënkryetar i kuvendit deri me 12 mars 2015.

Në korrik të vitit 2014 ai u zgjodh kryetar i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në legjislaturën e pestë ishte zëvendësryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukrurë, Tregti dhe Industri në Kuvendin e Kosovës.

Në legjislaturën e fundit ai u zgjodh kryetar i Grupit Parlamentar të LVV-së dhe ishte anëtar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik dhe Komisionit për Punë të Jashtme.

Glauk Konjufca është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Sa ishte shef i grupit parlamentar të kësaj partie, ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi dyshohej se ka hedhur gaz lotsjellës gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, në të cilën ishte vendosur që marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi të dalë për votim në Kuvend më 1 shtator të vitit 2016.

Sa është pasuria e tij?
387 mijë e 125 euro e ka vlerësuar pasurinë e paluajtshme deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca në Agjencinë Kundër Korrupsion këtë vit.

Në pasurinë e paluajtshme të Konjufcës hyjnë një banesë, një tokë, një truall, një shtëpi  në ndërtim, një shtëpi vikendi dhe një banesë tjetër.

Dy banesat janë të deklaruara në emër të Konjufcës, një tokë dhe një shtëpi në ndërtim janë të deklaruara  në emër të përbashkët dhe një truall dhe një shtëpi vikendi në emër të prindit të Konjufcës.

Pasuria e luajtshme e Konjufës vlen 3 mijë e 500 euro, pra një veturë Passat 3C të cilën e ka në emër të tij.

Konjufca ka deklaruar se mban 4 mijë euro të gatshme në institucione financiare.

Paga vjetore e Konjufcës nga Kuvendi i Kosovës është 23 mijë e 779 euro, ndërsa mëditjet 3 mijë e 11 euro.

Ai ka treguar se merr mëditje edhe nga Ministria e Diasporës për udhëtimet për Projektligjin për Diasporën në vlerë prej 1 mijë e 827 eurove.