Gara për drejtor të Agjencisë Kundër Korrupsionit 

Komisioni Parlamentar për Legjislacion i ka rekomanduar Kuvendit për votim dy kandidatë për drejtor të Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkajnë dhe Visar Krasniqin.

Yll Buleshkaj është kandidati më i poentuar, me 33.7 pikë, nga anëtarët e komisionit vlerësues të përberë nga Adnan Rrustemi (Kryesues), Artan Abrashi, Dimal Basha, Driton Selmanaj, Hajdar Beqa, Hydajet Hyseni.

Buleshkaj ishte kandidati më i poentuar me 31.6 pikë edhe nga komisioni i dy ekspertëve britanikë të BDO-së, Jan Dejung dhe Anne Montgomery.

Buleshkaj është bërë i njohur pasi si drejtor ekzekutiv i zyrës për regjistrimin e partive dhe certifikim në kuadër të KQZ-së kishte rekomanduar që të mos largohen nga lista e kandidatëve të partive politike për zgjedhjet e 14 shkurtit. 

Rekomandimi i tij nuk ishte marrë parasysh nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të cilët kishin vendosur që t’i largonin nga lista kandidatët që në tri vitet e fundit kanë pasur probleme me ligjin, duke përfshirë liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin. Ky vendim i KQZ-së ishte lënë në fuqi edhe nga Gjykata Supreme.

Buleshkaj kishte qenë kandidatë për kryeshef të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ai ishte renditur i dyti pas Burim Ahmetit, i cili ishte emëruar në këtë pozitë. Vetëvendosja e kishte kundërshtuar konkursin për kryeshef të KQZ-së duke thënë se konkursi ishte i parregullt.

Kundërkandati i Belushkajt është Visar Krasniqi ka marrë 33.5 pikë nga deputetet e Kuvendit të Kosovës që ishin pjesë e komisionit përzgjedhës duke u renditur si kandidati i dytë i emërueshëm për këtë pozitë.

Krasniqi nuk është në mesin e dy kandidatëve më të poentuar nga ekspertët britanikë të BDO-së, mirëpo është në mesin e kandidatëve të emërueshëm. Krasniqi është renditur i treti tek BDO-ja me 29 pikë. Ai aktualisht mbanë pozitën e koordinatorit të komisionit për legjislacion në Kuvendin e Kosovës.

Krasniqi dhe Belushkajë do të garojnë për drejtor të AKK-së për një mandat 5 vjeçar dhe votimi në Kuvend është i fshehtë.

Në garë për një mandat të dytë për ta udhëhequr agjencinë, ishte edhe ish-drejtori, Shaip Havolli, por ai nuk është në mesin e dy kandidatëve më të poentuar dhe nuk do të jetë pjesë e votimit në seancën në Kuvendin e Kosovës.

Shaip Havolli është renditur i treti sipas poentimit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ishin pjesë e komisionit vlerësues, ndërsa është renditur i pesti në listën e ekspertëve britanikë.

Eliminimi i kandidatëve nën hetime 

Komisioni Parlamentar kishte vendosur që të largojë nga gara katër kandidatë nga 25 kandidatë sa kishin aplikuar.

Dy kandidatë janë larguar nga gara pasi nuk kishin bashkangjitur dëshmi të përvojës së punës.

Kandidatët Fahri Maxhuni dhe Valbona Osmani janë eliminuar nga gara për shkak që kanë pasur raste të hapura në Gjykatë, edhe pse në njoftimin për konkurs të publikuar në web-faqen e Kuvendit të Kosovës kërkohet që si kriter për këtë pozitë kandidati nuk duhet të jetë i dënuar për ndonjë vepër penale.

Sipas diskutimit të bërë nga deputetet e Kuvendit që kanë qenë në komisionin vlerësues, Maxhuni dhe Osmani nuk janë të dënuar me vendim të formës së prerë, por kanë raste të hapura në Gjykatë.

Arsyetimi i komisionit për eliminimin e kandidatëve ka qenë se institucioni i Agjencisë Kundër Korrupsion është i ndjeshëm, prandaj edhe kandidatët që kanë rast të hapur nuk duhet të jetë pjesë e procesit.

Me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës një person konsiderohet si i dënuar vetëm nëse ndaj të njëjtit aktgjykimi ka marrë formën e prerë.

Kodi i Procedurës Penale, neni 19, par. 1.6., përcakton se: “Person i dënuar – personi i cili  me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës është shpallur fajtor për kryerjen e veprës  penale”.

Valbona Osmani, e cila është eliminuar nga gara për shkak të një rasti të hapur që e kishte në Gjykatë, ka qenë e vetmja kandidate grua në këtë konkurs.

Ndërsa konkursi i kaluar për drejtor të kësaj agjencie është anuluar pikërisht për shkak se në të nuk kishte aplikuar asnjë kandidate grua.

Përkundër vendimit që kishte marrë komisionit në fazën e shqyrtimit të CV-vë të kandidatëve, ekspertët britanikë para se të fillonte faza e intervistimit të kandidatëve i kanë kërkuar deputeteve që të rishqyrtojnë vendimin e tyre për eliminimin e kandidatëve që kishin raste të hapura në Gjykatë.

Përkundër kërkesës së ekspertëve të BDO-së, Komisioni Parlamentar ka vendosur që dy kandidatët që kishin raste të hapura në Gjykatë të mos rikthehen në proces për shkak të ndjeshmërisë së institucionit dhe pozitës për të cilën ka qenë konkursi.

Përfaqësuesja nga BDO ka thënë se vendimi i takon komisionit, por që sipas saj ky nuk është vendim i BDO-së për këtë fazë dhe qëndrimi i tyre do të ishte ndryshe.

Agjencia Kundër Korrupsionit është organ i pavarur për zbatimin e politikave shtetërore për luftimin dhe për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit në Kosovë.

Kjo agjenci ka për detyrë që të iniciojë dhe të përcjellë kallëzime penale për rastet e dyshimit për korrupsion në prokurorinë publike kompetente.

AKK po ashtu mbikëqyrë dhe parandalon rastet e konfliktit të interesit si dhe mbikëqyrë pasuritë e zyrtarëve të lartë publik.