Votim i listave në pako apo individual, sërish debat brenda anëtarëve të KQZ-së

Ylli Buleshkaj, Drejtor i zyrës për certifikim të partive politike në mbledhjen e sotme të KQZ-së ka rekomanduar që të certifikohen të gjithë kandidatët për deputetë në listat ekzistuese

Në mbledhjen e cila po mbahet në KQZ, pesë vota nga anëtarët ishin që të votohen të gjithë në pako, ndërsa gjashtë vota ishin që të votohen një nga një të gjithë kandidatët për deputet për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Propozimi kaloi ndërsa listat e kandidatëve do të votohen veç e veç.

Lëvizja Vetëvendosje u ankua se nuk u votua rekomandimi i Zyrës për Regjistrim dhe Certifikim të partive politike.

Anëtarët e LVV-së po kërkon që të votohet rekomandimi i kësaj zyre.

“Ma gjeni një vendim ku e kemi pasur një vendim të KQZ, certifikohen në pako subjektet politike. A po ma gjeni një vendim?”, pyeti kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

“Unë kisha lutur drejtorin e zyrës politike nëse ka, nëse s’ka secili person  prekur apo secili person që ka interes, secili subjekt politik ka të drejtë me ankimu çdo vendim të KQZ për secilin person dhe secilën listë dhe nëse ju se paskeni të qartë atëherë është rregullativa ligjore”, tha anëtari i LVV-së, Sami Kurteshi.

“Qysh ka me apelu atë në PZAP kur e kemi në pako?”, pyeti tutje Daka.

“Shikoni vendimet, vendimet janë për secilin veç e veç nuk janë të përshirë të gjithë kandidatët. Secili është veç e veç, andaj nëse vendimi është veç e veç, ligji thotë veç e veç, praktikat janë veç e veç, atëherë votoni veç e veç, unë ju thash ju keni punuar natën”, tha anëtari i PDK-së, Arianit Elshani.

Për këtë të fundit pati përgjigje edhe Kurteshi.

“Ne punojmë edhe ditën edhe natën. Këtë potencial e keni ju që e keni pasur që 20 vjet pushtet. Mënyra e kërcënimit të drejtorit të zyrës politike nga ky mikrofon është e qartë. Kërcënim i hapur”, tha Kurteshi.

Mbledhja e KQZ-së e nisur në orën 14:00 u mbajt ndërsa kur arriti deri te ky diskutim atëherë çertifikimi i kandidatëve u shty për në orën 17:30.

“Kemi kërkuar shkresa nga institucionet e ndryshme për të na ndihmuar në vendimmarrje, disa na kanë ndihmu, disa na kanë konfuzu, ajo çka vlen të theksohet është që zyra nuk ka arrit me zbatu plotësisht në bazë të shkronjës ‘q’ të nenit 29, për shkak të interpretimeve të ndryshme, ne rekomandojnë certifikimin, pastaj palët mund t`i drejtohen institucioneve për ankesa”, shtoi ai.

Kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka tha se nga ky rekomandim nuk e kanë të qartë se cilët kandidatë i plotësojnë kushtet e cilët jo.