Foto: BQK

BQK për letrën anonime: Bordi do punojë me përkushtim në qartësim të pretendimeve

Banka Qendrore e Kosovës, BQK përmes një komunikate ka bërë të ditur se me shqetësim i kanë përcjellë raportimet lidhur me letrën anonime me pretendime të ndryshme për këtë institucion.

“Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës ka përcjellë me shqetësim lajmet e publikuara më datë 5 maj 2022 nëpër mediume të ndryshme lidhur me letrën anonime mbi pretendime të ndryshme që sipas medieve është dërguar në Agjencinë Kundër Korrupsionit”, thuhet në komunikatë.

Tutje, në komunikatë theksohet se, bordi i BQK-së do veprojë me përkushtim dhe konform legjislacionit për të rritur transparencën, përfshirë pretendimet në letrën anonime.

“Duke pasur në konsideratë rolin dhe rëndësinë e BQK-së, si dhe reputacionin e kredibilitetin e saj, Bordi i BQK-së brenda kompetencave të tij do të veprojë me përkushtim, profesionalizëm dhe në pajtim me legjislacionin në fuqi për të avancuar institucionin në fjalë, ruajtur reputacionin, rritur transparencën dhe llogaridhënien, përfshirë këtu edhe ndaj pretendimeve në letrën anonime të potecuar në medie si më sipër, duke mos cenuar në asnjë rrethanë punën dhe përgjegjësitë e institucioneve relevante lidhur me ato pretendime”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre, institucionet në fjalë  konform legjislacionit në fuqi, tanimë janë ftuar zyrtarisht dhe publikisht nga ana e BQK-së.

Në komunikatë potencohet se bordi do punojë në qartësimin e pretendimeve në letrën anonime.

“Bordi i BQK-së zotohet që brenda kompetencave të përcaktuara me legjislacionin në fuqi do të punojë me përkushtim që pretendimet e tilla dhe të ngjashme të qartësohen në mënyrë që transparenca dhe llogaridhënia të jenë në nivelin më të lartë”.

“Sigurimi i vendimmarrjes së shëndoshë, të drejtë dhe transparente mbi bazën e parimeve kushtetuese dhe ligjore duhet dhe do të jenë shtyllë e punës për BQK-në si institucion kredibil me rendësi vitale për vendin”, thuhet në komunikatën e BQK-së.

KALLXO.com ka raportuar që një sinjalizues ka dërguar një shkresë në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK) me informacione, të cilat, sipas tij, dëshmojnë keqpërdorime të ndryshme dhe punësimet në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK).

Sinjalizuesi në dokument (të cilin e ka siguruar KALLXO.com) pretendon se mbi 70 persona përmes lidhjeve familjare janë punësuar në BQK gjatë pesë viteve të fundit.

Ai ka treguar një listë të personave që janë punësuar dhe lidhjet e të punësuarve me zyrtarë të institucioneve, të partive, të drejtuesve të BQK-së dhe personalitete të tjera.

Gjithashtu, sinjalizuesi pretendon se disa zyrtarë brenda BQK-së janë shkarkuar e suspenduar kur nuk kanë zbatuar “urdhrat” nga eprorët.Në letrën 11-faqëshe të sinjalizuesit përfshihen edhe pretendimet për abuzime me tenderë ndër vite, revokimet dhe dhënia e licencave të institucioneve financiare, marrëveshjet me kompanitë e sigurimeve etj.

BQK i ka quajtur pretendime të sajuara këto informacione ndërsa, ka thënë se në vijimësi ky institucion është qeverisur sipas standardeve më të larta të transparencës dhe llogaridhënies.

Sinjalizuesi kërkon nga Qeveria dhe deputetët të kthejnë vëmendjen te BQK-ja, pretendon skandale të shumta